Nderi i humbur i një qeverie - Nga Vangjush Saro
Qeverisja e stërzgjatur e socialistëve - dhe kjo s’është vetëm përvojë shqiptare - ka krijuar skorje në të gjitha rrugët ku (thotë se) ecën; në të gjitha premtimet që dha e s’i mbajti; në krejt hapësirën që përpiqet ta mbulojë me gjithfarë sajesa në fusha të ndryshme të jetës. E s’mundet më. Ç’të molloisim për Korrupsionin dhe katandisjen si mos më keq të administrates? Nuk numërohen drejtuesit e lartë, nëpunësit e lartë, drejtorët, kryetarët e bashkive, policët e gjithfarë njerëzish pa cipë që i kanë hapur aq shumë punë Drejtësisë. Bonusi i pensionistëve. Çfarë vodevili! Pse bonus dhe jo rritje reale e pensioneve? A nuk i rregulloi mirë rrogat e veta klani qeverisës, bashkë me shpurën e deputetëve që i shkojnë pas, qoftë edhe ata që bëjnë sikur ‘luftojnë’ me të?
Qeveria aktuale ka kohë që po luan në mënyrë të padenjë me çështje të mëdha të vendit. Një hall i tillë i madh është Arsimi, fushë e term që s’di nga ta kapësh: prej shkollës 9-vjeçare dhe gjimnazeve, ku cilësia e mësimdhënies dhe edukimit, si dhe autoriteti i mësuesit kanë kapur fundin, te… shkolla e lartë (sa “e lartë”?) për të cilën është folur e shkruar kaq e kaq herë teksa shiten provimet dhe diplomat. Do të ishte e mërzitshme të sillnim këtu dhjetra raste e skena nga më të shëmtuarat, për të mos folur për ngjarje të dhimbshme.
Kam shkruar edhe njëherë tjetër (madje jo vetëm njëherë) që nuk na hyn në punë megalomania. Jemi një vend i vogël, duhet të shikojmë së pari punët tona; po zgjatet tranzicioni si askund. Por jo, për ndokënd nuk shkon kështu; oreksi për t’u dukur është ylli drejt të cilit (duhet të renditim). Bie fjala, ku shkoi “Ballkani i hapur?” U mbyll? Shumë publicistë e shumë media - ku do të reshtonim veten me modesti - i kujtonin kryeministrit, z. Rama, se fis e familje e tij ishte z. Kurti, jo z. Vuçiç. Por ai vazhdonte me kokëngjeshje takimet dhe përpjekjet për të krijuar atë që (siç u tha më lart) tash mund të quhet Ballkani i mbyllur. Pse duhej të përpiqej të merrte rolin e një “lideri politik rajonal”, kurse në krahasim me shumë vende të rajonit, Shqipëria ka probleme të rënda: me krimin, me korupsionin, me edukimin e popullatës?! (“Forma më e lartë e injorancës, është dëshira për lavdi.” G. Santayana)
Kështu, me mungesa të mëdha e rrena ka kaluar edhe premtimi se qeveritë e dy vendeve do të bashkëpunonin, do të kishte madje edhe mbledhje të përbashkëta. Për fat të keq, duke përjashtuar disa aktivitete kulturore e sportive, asgjë tjetër nuk u shënua, megjithë përpjekjen për ta “ngjyrosur” së fundi gjithçka (siç edhe kryeministri e ka zakon) me praninë e z. Kurti në festimet për Pavarësinë. Kaq e vështirë është të bësh një program real bashkëpunimi dhe të afrosh dy vendet në një përfitim të përbashkët, historik dhe aktual? (“Tepër e zorshme të fshehësh të metat e mbretërve.” J. V. Gëte)
Sikur të mos mjaftonin hallet e sotme - numeracioni i problemeve shkon gjatë - hidhen pareshtur edhe shashka që godasin tutje: në histori, në gjuhësi, në kulturë e gjetkë. Dhe qeveria e institucionet e saj i bëjnë sehir, zhurmat dhe shfaqjet. Kryeministri dhe institucionet që drejtohen nga njerëzit e tij, e kaluan sikur të mos ishte asgjë 80-vjetori i Çlirimit të vendit, fundja një ngjarje që përkujtonte të rënët në Luftën e Dytë Botërore dhe sakrificat e kontributin e popullit shqiptar në këtë përballje të egër me nazi-fashizmin. (Amerika u prononcua më shumë se ne; o ç’vend i shkalafitur…)
Fundja, nuk u muar vesh, pse kjo shpërfillje: patën frikë nga ballistët apo thjesht duan të hiqen modernë, snobë? U trembën nga ata që flasin dokra: jo po jugosllavët, jo po lufta u bë vetëm në Jug, jo po ishte ajo civile. (U mbeti ora tek ata dy përfaqësuesit e Titos, por nuk zënë në gojë se si Zogu - për qeverisjen e të cilit, megjithatë, kam nderim - erdhi në pushtet jo me ndihmën e “vetëm” dy emisarëve, por “pjesërisht” me atë të ushtrisë jugosllave.) Plasën për t’i shndërruar disa elemente të përplasjes brenda vendit në luftë civile. Turp! Edhe ata më ekstremistët e dinë shumë mirë që nacionalistët, gjer në fund të vitit 1943, dhanë edhe ata njëfarë kontributi në atë luftë; dhe konflikti partizanë-ballistë ka filluar shumë vonë dhe ka zgjatur vetëm disa muaj të fundit të Luftës.
Në këtë katrahurë mendimi e qeverisjeje, për fat të keq, një rol jo edhe aq bindës po luajnë një sërë media, ku bërtitet me të madhe për këto tema e të tjera, që rëndom trajtohen sipas interesave të Qeverisë. Edhe kur janë jashtë atyre interesave, ato (si për dreq) lëndojnë kujtimet, vetë jetën e popullit, me presione nihilistësh e snobësh, me karafilë që bëjnë çmos të transformojnë gjithçka, mjaft që të tërheqin ca më shumë publikun. Po kujtoj vetëm njërën nga këto gafa: U fol diku se qenkëshin vrarë 100 vetë te tuneli i Porto Palermos në atë kohë (!) Por… del në TV një inxhinier që ka punuar vetë atje, madje është plagosur; dhe thotë se janë vrarë… 3 persona, dy ushtarakë dhe një civil dhe janë plagosur disa të tjerë. (“Mos e shiko të shkuarën me tërbim, apo të ardhmen me ankth, por shiko përreth me kujdes.” Xh. Thurber).
Mirë është që qytetarët të jenë sa më të ftohtë ndaj shanseve të pakta për t’i mbajtur ata ende në këto rrugë e kanale me skorje. Mirë është që ky të jetë dimri i fundit me kaq shumë sakrifica; mirë është që në pranverë të kemi një qeverisje më të mirë, nuk e di të kujt dhe si e qysh, por jo më këtë që e ka bërë baltë…
© Vangjush Saro