Nexhmie Zaimi, vajza e Libohovës që bëri emër në Amerikë - Nga Kolec Traboini
Kolec Traboini
E para shqiptare që punoi për “New York Times”, CNN dhe “Zëri i Amerikës”
Nexhmie Zaimi (1914-2004) ka lindur në Libohovë në vitin 1914. Ishte një prej katër fëmijëve të libohovitit Musafa Zaimi, që kish shërbyer si një nëpunës i lartë i Perandorisë osmane. Nexhmia kishte një motër, Hanifenë dhe dy vëllezër, Mehmetin dhe Hiqmetin. Ky i fundit do të vdiste në moshë të re. Familja e Mustafa Zaimit u vendos në Tiranë dhe atje kaloi vitet e rinisë dhe u shkollua Nexhmie Zaimi. Bashkë me një nga vëllezerit e saj, Mehmetin, vazhduan mësimet në një shkollë drejtuar nga misionarët amerikanë të Kishës Protestante. Kjo, sipas tregimit të birit të saj, gazetarit Eric Margolis, nuk ishte dëshirë e prindërve, madje ata dëshironin që vajzën ta vishnin me perçe, por Nexhmia 14-vjeçare kundërshtoi duke e hedhur perçen nga dritarja e shtëpisë, kësisoj ajo publikisht refuzoi të ndiqte traditat turko-orientale dhe ndoqi rrugën e kulturës perëndimore.
Familja, që kishte një traditë të mentalitet oriental, e martoi kundër dëshirës së saj kur ishte 16 vjeçe, po ajo nuk pranoi të bashkëjetojë me burrin që i kishin dhënë dhe me vdekjen e nënës, me ndihmën e zonjës Jesse Munger nga New Jersey, në vitin 1937 u largua nga Shqipëria për në Amerikë. Vazhdoi studimet universitare në “Wellesley College” dhe gjatë viteve të studimeve shkroi e botoi librin “Bija e shqiponjës”. Më pas vazhdoi studimet në Columbia University ku u diplomua në gazetari. U martua me një jurist nga Nju Jorku, Henry M. Margolis. Nga kjo martesë, që ishte e shkurtër, në vitin 1943 lindi një djalë që i vuri emrin Eric Scanderbeg Margolis, e cili do të bëhet gazetar i njohur dhe sjell kujtimet për nënën e tij.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Nexhmia shkoi në Itali, ku dha një ndihmesë të madhe për shqiptaret që ishin larguar nga atdheu për shkak të vendosjes së regjimit komunist. U njoh me shqiptarët arbëreshë të Kalabrisë dhe studioi traditat, zakonet e gjuhën e arbëreshëve. Për veprimtarinë e saj humanitare u dekorua nga autoritetet italiane me titullin Comandatoressa della Coronna d’Italia (Komandante e Kryqit të Italisë).
Në mjaft nga analizat e Nexhmie Zaimit në median amerikane, ajo, duke promovuar vlerat më të mira të shqiptarëve, fshikullonte me forcë regjimin komunist të vendosur në Shqipëri menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk i shkëputi për asnjë çast lidhjet e saj me vendlindjen dhe kudo u krenua me faktin që ishte shqiptare. Pas luftës dhe në vitet 1950 dhe 1960 ajo ka dërguar ushqime dhe veshmbathje për njerëzit e saj në Tiranë që ishin në varfëri të skajshme dhe ishin shpallur armiq të regjimit komunist, që i burgosi të vëllain për 16 vjet në burgun e Burrelit.
U bë një gazetare dhe veprimtare e njohur në Amerikë dhe veprimtaria e saj përfshin shkrimet në “Zëri i Amerikës”, organe të tjera si dhe stacionin televiziv CNN, por edhe në shoqatën “Vatra”, si një prej drejtuesve të saj më aktive. Kishte njohje me figurat e mëdha kombëtare si Fan Noli dhe Faik Konica. Në kujtimet e saj lexojmë:
“Ishte prill i vitit 1924, kur u takova për herë të parë me Nolin në qytetin e Vlorës. Ai kishte ardhur aty për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Avni Rustemit. Në karrocën me të cilën shkonim në funeral bashkë me mua dhe prindërit e mi ishte edhe nëna e Avni Rustemit, që herë pas here lotonte dhe qante me dënesë. Ky çast mortor u bë shkak të njihesha me Fan Nolin, i cili ndjehej shumë i dëshpëruar për humbjen e papritur të Avniut, që siç thoshte ai, kishte qenë një patriot i rrallë. Mbaj mend që nëna ime Sherifja, gjatë atyre ditëve vuri në dritaret e shtëpisë pëlhurë të zezë. Ndërkaq, nëna e Avniut për ditë të tëra pas kësaj ndenji në shtëpinë tonë”.
Nexhmie Zaimi do të takohej vite më vonë me Nolin në Nju Jork në veprimtaritë e federatës atdhetare “Vatra”. Ajo përfaqësonte Shqipërinë në Ligën e Kombeve të Evropës Juglindore me qendër në SHBA dhe në Kongresin Amerikan për çështjet shqiptare ku tregonte për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Eshtë për t’u përmendur se ka qenë një gazetare e veprimtare e njohur që kurrë nuk e ka fshehur identitetin e vet si shqiptare. Madje edhe e ka manifestuar. Në një nga udhëtimet e saj si gazetare në Jordani ka një episod në takimin dhe intervistimin me mbretin Hussein të Jordanisë për median amerikane.
Ja çfarë shkruan ajo në shënimet e veta për takimin me mbretin e Jordanisë. “Kur e përfunduam intervistën, mbreti Hussein më tha se do të më përcillte deri te hyrja e pallatit mbretëror. Madje vuri në dukje se kishte rezervuar një surprizë për mua, gazetaren shqiptare që kisha shkuar nga larg për opinionin e tij. Ndërsa zbrisnim shkallët e pallatit, në të dy anët e tyre na nderonin me qëndrim gatitu 60 roje të Gardës të gjatë e të veshur me uniformë ceremoniali.
Diku më tha se mund të komunikoja me ta.
“Anglisht?”, - i thashë.
“Jo, shqip”, - më tha ai, duke u ndalur para tyre. “Shqip?!”
“Po, po, shqip”, - këmbënguli mbreti Hussein.
“Si ka mundësi?”, - e pyeta unë e habitur.
“Këta të gjithë janë shqiptarë”, - sqaroi ai surprizën që kishte vendosur të më bënte në ndarje e sipër. Kur i thashë se pse kishte zgjedhur pikërisht shqiptarët për t’i bërë roje, mbreti Hussein shpjegoi se ata janë besnikë dhe trima”.
Nexhmije Zaimi ka marrë me dhjetëra dekorata nga institucionet ndërkombëtare. Eshtë dekoruar së pari nga Shoqëria amerikane e veteranëve të luftës American Legion. Ka marrë titullin e nderit Komandante e Kryqit Italian, një nga medaljet italiane më të larta. Ndërkaq, është dekoruar edhe me Medaljen e Mirënjohjes nga presidenti i SHBA-së, Franklin D. Roosevelt.
Vitet e fundit të jetës Nexhmie Zaimi vuante nga sëmundja e glaucoma-s, që e pengonte dëshirën e saj të madhe për të shkruar një libër tjetër, pas atij që kishte botuar që në rininë e saj “Bija e shqiponjës”. Ndërroi jetë në Santa Barbara të Kalifornisë në moshën 90-vjeçare.
Romani “Daughter of the Eagle: Autobiography of an Albanian Girl” (“Bija e shqiponjës: Autobiografia e një vajze shqiptare”), i botuar së pari në New York në vitin 1937, dhe nga kërkesat e lexuesve i ribotohuar pas disa muajsh po të atij viti, do të pasohej dhe me një botim të tretë në vijim, përkatësisht më 1938, nga shtëpia botuese “Ives Washburn.INC. Në gjuhën shqip është përkthyer nga Enida Rusi dhe është botuar më 2007 nga shtëpia botuese “Plejad” në Tiranë.
© K. P. Traboini (Nga libri “Libohovitët e Amerikës”, Pantheon Books Edition 2016)



