Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 12) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Kacimicrri u mëson gjuhën shqipe papagajve të Zelandës së Re.

Sa shumë u lodh Kacimicrri nga ajo shfaqje në Australi, nuk mund ta kuptojë asnjeri. Në ekranin e avionit iu shfaqën dy ishuj të mëdhenj dhe shumë ishuj të vegjël përtej Australisë. E kurdisi avionin në drejtim të tyre, larg maleve me borë në majë të një kodre në ishullin e madh jugor. Pastaj ra e fjeti në një gjumë të thellë, të thellë… Fjeti sa fjeti. Fjeti shumë.

Kur më në fund u zgjua, ngriti kokën dhe vështroi nga dritarëza e avionit. Përreth dukej një pyll jo shumë i dendur. Poshtë kodrës shtrihej një fushë e verdhë që dukej sikur nuk mbarone asgjëkundi. Anës kodrës dhe mes për mes fushës rridhte një lumë shumë i rrëmbyeshëm. Po të shihje ndonjë dru që lundronte në lumë, çastin e parë e kishe para syve. Në çastin e dytë ai lundronte njëqind metra larg. Në çastin e tretë dukej sikur e shihje një mijë metra më tutje. Dhe në të katërtin të zhdukej fare nga sytë. Ai lumë ishte aq i shpejtë, sa mund ta quaje lumë supsersonik, si avioni i Kacimicrrit.

Vetëm se diçka i ra në sy me shumë vonesë atij. E ç’ishte kjo diçka kaq e vonuar ? Mrekulli apo çudi ? Ndonjë njeri i egër si në Australi ? Ndonjë shkencëtar që ndez cigaren nga mërzia? Jo.

Ishte një nga çuditë që Kacimicrri nuk e kishte ndeshur as në përrallat e një mijë e një netëve. Në degët e drurëve të pyllit përreth kishin qëndruar me mijëra, me mijëra e me mijëra papagaj. Të dukej sikur aty ishin mbledhur të gjithë papagajtë e botës. Ata papagaj, që çuditërisht janë aq llafazanë, kësaj rradhe po heshtnin dhe po vështronin avionin e Kacimicrrit. Edhe Kacimicrri po i vështronte ata, duke hedhur sytë sa nga njëra, te tjetra anë e dritares.

I vështroi e i vështroi. E vështruan dhe e vështruan. Më në fund, Kacimicrri doli nga avioni dhe iu drejtua një papagalli:

  • O papagall, çfarë gjuhe flet ti?
  • Unë flas anglisht, anglisht, anglisht…

Pastaj ushtoi i gjithë pylli :

  • Ne flasim anglisht, anglisht, anglisht…

Sigurisht, papagajtë nuk flasin kaq qartë, siç e kam shkruar unë në libër, pasi jam i detyruar të përdor fjalorin e gjuhës letrare shqipe që kalamajtë të më lexojnë e të më kuptojnë mirë. Sepse, për shembull, në rast se unë them “bukë“, papagalli thotë “buuu-k-k-ëëëë“. Madje në këtë mënyrë, unë u mësova papagajve të Zelandës së Re fjalën e parë shqipe.

Pasi u mësoi papagajve fjalën e parë shqipe, Kacimicrri vuri re se disa prej tyre nuk flisnin fare. Por ata që nuk flisnin ishin shumë pak.

Kacimicrri pyeti :

  • Po këta papagaj, pse nuk flasin?

Të gjithë u përgjigjën me një zë, sikur të ishin një kor i madh kishe :

  • Ata nuk dinë anglisht, anglsht, anglisht…
  • Çfarë gjuhe dinë?

Këtu nisi tregimi i kryepapagallit që ishte kryetar në atë botë dhe quhej guvernator-gjeneral. Ndoshta ishte pasardhës i nënmbretit dhe kryetarit të dikurshëm të deputetëve të parlamentit të papagajve… Ai i tregoi Kacimicrrit se kryeqyteti i njerëzve në Zelandën e Re quhej Velington, kurse kryeqyteti i papagajve ishte në mes të pyllit dhe quhej Papagallnajë. Ata papagaj që nuk e mësuan dot fjalën e parë shqipe flisnin një gjuhë që quhej maorçe, maorçe, maorçe… Sepse në këtë vënd, treqind vjet më parë kishte patur vetëm papagaj maorë, si ata njerëzit maorë[1] që ngjajnë me zezakët. Vetëm se janë pakëz-pakëz më të bardhë. Janë jo katërçerekë, por treçerekë zezakë. Por ama janë sportistë shumë të mirë. Megjithatë, këtë do ta tregoj në fund fare…

Kacimicrri po dëgjonte me gojë të hapur dhe po mësonte. Po mësonte dhe po dëgjonte. Kryepapagalli vazhdoi të flasë, si ndonjë plak pa dhëmbë që mezi i kuptohen fjalët.

… Kur erdhëm ne papagajtë që flasim anglisht, anglisht, anglisht… filluam të shtoheshim shumë. Dhe erdhi një ditë si kjo që në këtë ishull tani, për shembull, në çdo njëqind papagaj, nëntëdhjetë e ca flasin anglisht, anglisht, anglisht, kurse shtatë e ca flasin maorçe, maorçe, maorçe… Ne kemi edhe shkolla, ku papagajtë mësojnë të flasin… Në tremijë shkolla mësojnë të flasin anglisht, anglisht, anglisht dhe në tridhjetë shkolla maorçe, maorçe, maorçe…

Kacimicrri i bëri kryepapagallit një propozim.

  • A t’ju mësoj edhe dy fjalë të tjera shqip, që ta pasuroni programin e gjuhëve të huaja në shkollat e Papagallnajës?
  • Pooooo… Ne jemi gjuhëtarë të zotët!

Kacimicrri tha :

  • Mirëdita!

Papagajtë u përgjigjën njëzëri :

  • Mi…rrë…rrë…dita !

Kacimicrri tha :

  • Faleminderit!
  • Fa…le…min…derr…derr…it!

Ama çfarë gjuhëtarësh këta papagajtë ! Ti u thua “faleminderit“… e ata shih si përgjigjen… Nejse, u falet kjo punë papagajve anglezë !

Kacimicrri u kujtua të pyesë për ata maorët treçerekë zezakë që ishin sportistë të mirë. Kryepapagalli i tregoi. Janë boksierë të fortë dhe atletë vrapues të mirë. A ke qënë ndonjëherë në Spanjë? A e ke parë Olimpiadën? Atje mund t’i shohësh vetë me sytë e tu sportistët maorë se sa të zotët janë…

 Shpjegime:

[1] Maorët e Zelandës së Re janë një popullsi indigjene me origjinë polineziane. Ata u instaluan atje në shekullin e tetë, pas shumë dyndjesh dhe sot përbëjnë rreth 15% të popullsisë së Zelandës së Re.

 

(vijon...)

Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij.