Fëmijët

“Pushimet” e Lilit - Tregim nga Vangjush Saro

  • Published in Fëmijët

Pushimet e verës ia behën. Mësimi ishte shkrehur me kohë, por kur ra zilja për orën e fundit, atëherë u bë ç’u bë në klasë. Britmat dhe të përplasurat e librave e të çantave andej-këtej, nuk mund të përshkruhen. Ne kishim mësim me zyshë Lindën. Ajo është e urtë dhe shumë e sjellshme. Kur na gjeti ashtu të çoroditur, zuri kokën me duar.

-Fëmijë! Ju s’duhet ta bëni këtë… Ju lutem, fëmijë të mbarë!

Eh, ku kishte më fëmijë të mbarë! Ca hidheshin andej, ca këtej. Njëri griste fletoren. Tjetri ngacmonte shoqen e bankës. Nga klasa përballë, vinin herë pas here ata më “trimat”; dhe hapnin e mbyllnin derën, duke e përplasur si mos më keq. Mirë që mësueses i shkoi mendja të flisnim për pushimet verore, se nuk qetësohej ndryshe klasa jonë. Tani po; do t’ia kalonim për bukuri. Tema e pushimeve verore ishte më e dashura për ne. Këtu të gjithë shkëlqyem. Miranda me familjen e vet do të shkonin për pushime gjer në Korfuz. Genci tha se do ta kalonte një kohë në fshat, te gjyshërit. Familja e Lules e kishte syrin për në Sarandë. Landi tregoi se shkonin në Durrës së paku dy herë në javë. Sot, gjeografia u bë ujë fare.

Kështu pra, ligjëruam e ligjëruam një copë herë të mirë. Vetëm Lili nuk fliste. Ai rri gjithmonë në bankat e fundit. Mungon shpesh herë në mësim dhe po kaq shpesh duket i trishtuar, i lodhur, sikur kushedi ç’halle e kanë zënë. Edhe për të mësuar, shkel e shko. Disa thonë se në familjen e tij heqin keq. Thonë se… Tani Lili dëgjonte të tjerët, me sytë mbërthyer te shpina e bankës, ku gishtërinjtë e tij seç vizatonin kuturu.

Mësuese Linda iu afrua edhe atij dhe e pyeti:

-Pa hë, Lili! Na thuaj edhe ti, ku do t’i kalosh pushimet verore? Liliii...

Ai nuk u përgjigj. Herë-herë gërricte me thonj çantën dhe sytë nuk i ngrinte as edhe për një çast të vetëm. Pushimet. Pushimet verore…

-Lili! Nuk do t’i tregosh kurrgjë mësueses dhe shokëve? Për pushimet verore...

Tani e gjithë klasa ishte kthyer nga shoku ynë gojëkyçur. Ai u skuq krejt dhe zuri të vështronte andej-këtej, si i zënë në faj. Dhe seç mërmëriste. Vetëm kur ra zilja dhe ishte gati të shpërthente zhurma nga e para, shpërtheu edhe ai:

-Pushimet verore? Ku do t’i kaloj pushimet verore? Te “Palma” do t’i kaloj!

Fjalët e Lilit u përpinë sakaq nga britmat dhe fërshëllimat. Tani po që kishte mbaruar shkolla vërtet. Korridoret u mbushën plot. Zhurmat u përzien dhe gëzimi flatroi gjer jashtë, në oborr. Megjithatë, mua më mbeti mendja te përgjigjia e çuditshme e Lilit. Te “Palma”… Po pse pikërisht atje? “Palma” është një hotel i madh dhe i shtrenjtë, që... që Lili mund ta shohë vetëm me dylbi(!)

***

Kaluan javë. Pothuaj e kisha harruar atë fjalinë inatçore të Lilit dhe hotelin “Palma”. Një mbasdite, po ktheheshim të “raskapitur” nga Plazhi i Shëngjinit. Dielli përvëlonte. Gjithçka përjashta dukej e trembur dhe vallzonte nga e keqja prej zhegut. Por në makinë nuk bënte vapë. Ne ishim pak a shumë të qetë dhe të kënaqur. Babi në timon, duke fërshëllyer diçka; mami në krah të tij, si gjithmonë duke e ndjekur nga pak melodinë... Unë me motrën rrinim në sediljet e pasme. Pinim lëng qershie të ftohtë dhe shikonim rrugën. Makina jonë po kalonte në krah të hotelit “Palma”. Përpara semaforëve, babi ndaloi. Në këtë kohë, krejt papritur, një zë tepër i njohur përcëlloi aty pranë më keq se dielli:

-Cigare, zotëri! A doni cigare? Çakmakë, zotëri! Kikirikë…

Në dritaren e babit, u shfaq një kuti me gjithfarë çikërrimash dhe pastaj fytyra e hirnosur e Lilit… Dhe mua, m’u kujtua menjëherë biseda në klasë për pushimet e verës.

-Kikirikë, zotëri!

U ula poshtë sa munda dhe u fsheha prapa sediljes së babit. Nuk e di pse. Nuk e di për sa kohë.

-Çakmakë, zotëri! Një mijë lekë, tre copë!

Por babi nuk kishte ndër mend të blinte gjë. Kur u nis makina, e pashë edhe njëherë, nëpër rrezet e diellit përvëlues, shokun tim, që po i kalonte pushimet te “Palma”. Dhe s’di pse, më erdhi të qaja…

© Vangjush Saro