Fëmijë diaspore

Dion Mosho, “Albanian Rocket” i Oakville Soccer Club

Sot sërish vjen i ftuar në një intervistë me Flasshqip, tashmë më shumë se 4 vjet më vonë, djaloshi 15 vjeçar shqiptaro-kanadez Dion Mosho, i cili jeton në Mississauga të Ontarios, së bashku me prindërit dhe dy motrat. Në këto katër vite ai ka kultivuar më tej pasionin e tij të veçantë, futbollin, praktikën e parë të të cilit e ka nisur qysh kur ishte 4 vjeç në vendlidje. Krahas të atit, Armando Mosho, me profesion bankier, ai që e pat inkuruajuar shumë Dionin e vogël asokohe në hapat e parë në futboll ka qenë gazetari i njohur sportiv Saimir Demi.

Dion Mosho ka lindur në vitin 2009 në Tiranë ku dhe ka kryer tre vitet a para të shkollës fillore. Më pas imigroi në Kanada me familjen në vitin 2018. Pas pak ditësh ai do të nisë vitin e dytë gjimnaz në shkollën Lorne Park në Mississauga, ku gjithashtu aktivizohet me ekipin futbollit të shkollës dhe e përfaqëson atë në kampionatet midis shkollave të mesme. Gjatë sezonit 2022-2023 ai ka luajtur me Clarkson Soccer që u shpall edhe kampion i sezonit të dimrit, për të kaluar më pas tek Oakville Soccer Club.

Dion duket se është shumë i motivuar t’i përkushtohet akoma më shumë futbollit në të ardhmen... madje ka marrë pjesë edhe në try-outs me talentet e rinj shqiptarë në Amerikën e Veriut, të zhvilluar në New York në kujdesin e ish-lojtarëve të ekipit kombëtar Ansi Agolli dhe Hamdi Salihi. Kur ka shkuar herën e fundit në Shqipëri verën e vitit të kaluar, Dion ka shpenzuar pothuajse gjithë kohën duke vizituar ambjentet e klubeve të ndryshme të futbollit ku dhe ka kryer disa praktika stërvitore me kampionët e Partizanit nën 14 vjeç, nën kujdesin e trajnerit Algert Hudhra. Po ashtu ka vizituar dhe ambientet e  Federatës Shqiptare të Futbollit dhe për këtë falenderon një nga kampionët e Tironës dhe Shqipërisë, të mirënjohurin Krenar Alimehmeti.

Flasshqip: Dion është kënaqësi të takohemi sërish, por këtë herë ftesa ishte për të ditur më shumë rreth ecurisë tënde me futbollin në Kanada. Me cilin ekip po aktivizohesh aktualisht?­ 

Dion Mosho: Prej rreth një vit po luaj me Oakville Soccer Club (Ontario).

Flasshqip: Si janë kushtet stërvitore që ju ofron klubi?

Dion Mosho: Kushtet që na ofron klubi janë shumë të mira. Ne kemi mundësi të bëjmë përgatitje fizike  dhe taktike në kushte tepër profesionale. Klubi na ofron mundësinë që gjatë dimrit të ashpër kanadez, ne të stërvitemi në ambiente të mbyllura, por që janë në përmasat e një stadiumi të madh.

Flasshqip: Çfarë e bën më të veçantë klubin Oakville Soccer për ty?

Dion Mosho: Përveç kushteve të mira që ne kemi për t’u stërvitur, e veçanta e klubit është që ne kemi një mënyrë tonën të lojës të futbollit dhe për këtë unë dua të falenderoj trainerët e mi Chris Warren, Angelo Mirto, Nick Efthimiadis dhe Michelangelo Mirto.

Flasshqip: Si ndikojnë trajnerët tuaj tek loja juaj e futbollit?

Dion Mosho: Trajnerët i kushtojnë shumë rëndësi kohës se kur ne paraqitemi në stërvitje dhe na kanë edukuar që t’i planifikojmë gjërat qysh më parë. Gjatë kohës që ne stërvitemi trajnerët janë gjithmonë shumë profesionalë dhe na udhëzojnë se si të pozicionohemi më mirë në fushë dhe të provojmë gjëra të reja. Ne e përsërisim të njëjtin ushtrim ose më saktë skemë loje disa herë, derisa trajnerët të jenë të bindur që ne e kemi përvetësuar plotësisht atë. Stërvitjet në klubin Oakville jo vetëm që na forcojnë për lojën e futbollit, por trajnerët tanë na i bëjnë stërvitjet edhe të këndshme, aq sa unë edhe kur nuk nuk jam në 100%  të gjendjes sime sportive, përpiqem të mos mungoj asnjë seancë.

Flasshqip: Ti po thua se ka raste që edhe kur je sëmurë tenton të mos mungosh seancat stërvitore? Kur ka ndodhur herën e fundit që nuk ke qënë në 100% të mundësive të tua, por prapë nuk ke munguar?

Dion Mosho: Ka qënë gjate mesit të muajit korrik 2024, kur kalova një gjendje gripale dhe ekipi Oakville duhej të merrte pjesë në turneun e Kingston. Trajnerët u kujdesën që unë të bëja një stërvitje të diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit, që të mos humbja kondicionin tim fizik për pjesmarrjen në turne.

Flasshqip: A ia dole të merrje pjesë në turne dhe si u paraqit ekipi i Oakville?

Dion Mosho: Unë nuk isha akoma në 100% të mundësive të mia gjatë zhvillimit të turneut, por u aktivizova me minuta më të kufizuara se zakonisht në të pesë ndeshjet që luajti ekipi dhe arrita edhe të shënoja një gol gjatë turneut. Ne ia dolëm si ekip ta sillnim kupën e turneut në Oakville, pasi fituam në finale 1 me 0 kundër ekipit të Paris.

Flasshqip: Na lejo të të përgëzojmë ty dhe ekipin e Oakville për fitoren e turneut dhe na trego cili është pozicioni yt i preferuar në fushën e lojës dhe cili është pozicioni që mban në klubin e Oakville?

Dion Mosho: Unë do të pëlqeja të luaja më shumë në mesfushë, nga ku do të kisha mundësi të nisja më shumë topa drejt sulmit si dhe të mundja të perdorja të majtën time për të gjuajtur nga jashtë zonës drejt portës, por trajnerët më kanë besuar qendrën e mbrojtjes dhe unë duke e ditur se sa delikat është si pozicion, përpiqem të luajë thjesht dhe të mos bëj gabime.

Flasshqip: Po si mundet të shënojë gola nje mbrojtës?

Dion Mosho: Unë ngjitem lart në zonën kundërshtare sa herë kemi goditje dënimi dhe ia kam dalë të shënojë disa herë me kokë. Për këtë arsye shokët e ekipit më kanë vendosur si nickname “Albanian Rocket”. Unë ia kam dalë të shënoj edhe kur gjuaj goditjet e dënimit nga jashtë zonës.

Flasshqip: Cila ose me saktë cilat janë ndeshjet që të kanë mbetur në mendje nga ato që ke luajtur?

Dion Mosho: Ndeshja më e rëndësishmë ishte finalja e turneut të Kingston që na dha edhe kupën e turneut, por kam edhe ndeshje të tjera që janë të rëndësishme, si për shembull: kur vesha për herë të parë bluzën e Kombëtares shqiptarë në  try-outs të zhvilluar në New York si dhe kur kam luajtur në stadiumin Tim Hortons në Hamilton, kundër ekipit të Burlington.

Flasshshqip: Mund të na tregosh pak më shumë rreth try-outs të Kombëtares shqiptare?

Dion Mosho: Ishte një kënaqësi e madhe që unë u takova me shumë bashkëmoshatarë të mi që kishim një nivel të lartë të zotërimit të lojës së futbollit dhe u ndjeva shumë mirë gjatë aktivizimit dhe lojës me ta. Niveli i futbollit ishte shumë i lartë dhe ishte fantastike të luaje në nivel aq cilësor. Dua të falenderoj kampionët e Kombëtares shqiptare që na e mundësuan këtë organizim, Hamdi Salihi dhe Ansi Agolli. Mezi pres të shkoj sërish vitin tjetër që të më shohin se si kam ndryshuar nga viti në vit.

Flasshqip: Cilën kombëtare do të zgjidhje nëse do të të thërrisnin edhe Kanadaja edhe Shqipëria?

Dion Mosho: Unë kam lindur në Shqipëri dhe zgjedhja ime e parë është gjithmonë Shqipëria.

Flasshqip: Cili është lojtari yt i preferuar i Kombëtares kanadeze dhe asaj shqiptare?

Dion Mosho: Nga kombëtarja kanadeze preferoj Alphonso Davies. Unë madje kam patur mundësinë të takoj personalisht dhe të bëj foto me të gjatë një ndeshjeje basketbolli në ScotiaBank. Ndërsa Kombëtarja aktuale shqiptare ka shumë yje, por do të veçoja Kristian Asllanin. 

Flasshqip: Po futbollisti yt i preferuar në nivel klubesh cili është?

Dion Mosho: Idhulli im është Bastian Schweinsteiger dhe në klubin tim të mëparshëm kam mbajtur numrin 31, njëlloj si ai. Ndërsa aktualisht më pëlqen Matthijs de Light.

Flasshqip: Ke një person që të motivon kur je në fushën e lojës?

Dion Mosho: Ne gjithmonë kemi mbështetjen e prindërve dhe njerëzve tanë të afërt në çdo ndeshje. Ne si lojtarë bëjmë atë qe duhet në fushën e lojës, por kur dëgjojmë edhe mbështetjen që na vjen nga të afërmit tanë, të cilët na ndjekin në çdo ndeshje, na shtohet edhe më shumë dëshira për të fituar edhe për ta.

Flasshqip: Dion, të urojmë shumë suksese të mëtejshme. Në Kanada, Shqipëri, apo kudo që do të luash në të ardhmen, ta mbash lart emrin “Albanian Rocket”!

Dion Mosho: Ju faleminderit juve për intervistën. Nga tani e në vijim Flasshqip.ca do jetë një ekstra motivim për mua në fushën e lojës. Do të përpiqem të arrij rezultate sa më të mira, që të kem se çfarë t`ju tregoj në takimin tonë të ardhshëm. Mirupafshim!

© Flasshqip.ca - Gusht 2024