Një vërejtje në Tv francez dhe gjuha shqipe - Nga Mehmet Elezi
Paraqitësja e festivalit europian të fëmijëve (Nisë - Nice - 26 nëntor), foli për një këngëtar dhe përdori fjalën “performeur” (“performues”). Pse “performeur”, tha Stefan Bern, që komentonte drejtpërdrejt në kanalin France 2. Duhet “chanteur” (këngëtar), jo “performeur”. Anglicizmë krejt e panevojshme në frengjisht, tha ai. Stefan Bern vlerësohet si “yll” i televizionit francez.
Po ne ç’do të thoshnim?
Tek ne “performon” ekonomia, “performon” ekipi i futbollit, “performojnë” fëmijët në festival; pularitë dhe qeveria kanë “performancë” të…
A thua para do vjetësh, kur ende s’kishin hyrë fjalët “performance”, “performon”, “performues”, gjuha shqipe ka qenë e mangët? Qysh janë marrë vesh shqiptarët ndërveti?
Gjuha shqipe i ka fjalët e veta të bukura, të larmishme. Në shqip futbollisti nuk performon, por luan. Këngëtarja nuk performon, por këndon. Ekonomia nuk ka performancë, ka ecuri. Trupa e teatrit s’ka performancë, ka paraqitje (të mirë ose jo).
Në përditshmërinë e politikanëve, të medias e të disa teknokratëve, “performancën” më të mirë e ka shkatërrimi i pandërprerë i gjuhës shqipe.
E “shkreta” Francë! Është kush është, ajo s’e ka luksin e shkatërrimit të gjuhës së vet amtare. Ne shqiptarët po!
© Mehmet Elezi