Blog

Manipulatorët e viktimizuar - Nga Artan Gjyzel Hasani

Për disa muaj përgjatë vitit 1997 shoqërova si përkthyes një grup gazetarësh japonezë. Kam shkruar edhe herë të tjera për atë përvojë të jashtëzakonshme.

Pas qëndrimit shumëjavor në Jug të vendit vendosëm të shkojmë në Veri. Meqë lufta civile po shkonte drejt fundit japonezët menduan të bënin një reportazh të gjatë për Kanunin. Në disa ishuj të Japonisë akoma ekzistonte një Kanun disa qindra vjeçar dhe gazetarët ishin kuriozë për kanunin tonë.

U vendosëm në Theth, në Shalë të Dukagjinit në shtëpinë e familjes Çarku. Unë u kisha folur japonezëve për virgjinat dhe kështu, rregullova kundrejt pagesës, të intervistonim virgjinën e fundit të mbetur në atë zonë. Virgjina Pashka tashmë quhej Pashuk. Intervistat nga të huajt ishin burim i sigurtë financiar për të. 300 dollarë amerikanë për një intervistë para kamerave. E gjetëm duke bërë dru në një pyll të vogël dushqesh mbi Theth. Kur iu afruam shoqëruesi ynë lokal e thirri në emër dhe ajo la kmesën (një lloj sopate me teh të gjatë të harkuar) dhe zbriti drejt nesh. U dha dorën burrave dhe zgjati krahët të përqafonte të vetmen femër mes nesh, gazetaren e ndjerë Mika Yamamoto (që vite më vonë do të vritej në Alepo të Sirisë). Mika u largua e trembur. “Çfarë ke?”, e pyeta Mikën. “Nuk dua të më përqafojë një burrë i panjohur!”, u përgjigj ajo. Keqkuptimi u sqarua: Mika gjatë kohës që unë u flisja për virgjinat kishte menduar se virgjinat tona ishin transseksualë. Pra femra që kishin ndërruar kirurgjikisht seksin dhe ishin bërë meshkuj. Një ide që buronte nga padituria e Mikës në lidhje me shqiptarët dhe traditat historike të tyre. “Virgjinat nuk janë transseksualë, Mika! Ti mendon që në këtë zonë nga më të varfërat e të prapambeturat e botës, banorët do kishin mundësi financiare të kryenin ndërrim seksi?”.

Ia sqarova Pashkës-Pashuk keqkuptimin dhe ajo nisi të na tregonte para kamerave historinë e saj. Një vajzë 17 vjeçare në një familje pa baba, me nënën të paralizuar dhe vëllain të vdekur aksidentalisht. Fshati nuk kishte farmaci dhe ilaçet e nënës mund të bliheshin në Shkodër, rreth 14 orë larg në këmbë. Meqë shtëpia nuk kishte burrë që të bënte këtë rruge të gjatë, Pashka vendosi të bëhej Pashuk dhe kësisoj të kishte të drejtën kanunore për të ecur e vetme deri në Shkodër e kthim. Po flasim për një ngjarje të ndodhur diku nga vitet shtatëdhjetë. Nuk e di nëse jeton akoma Pashka-Pashuku.

Kjo histori mu kujtua ndërsa pashë që 28 vjet më vonë, një shqiptare LGBTQ po pretendonte se virgjinat shqiptare ishin transgjinore. Lesbikja në fjalë, ndryshe nga Mika, nuk ishte aspak e paditur, por po përpiqej të manipulonte. Të manipulonte të vërtetën e virgjinave me çdo kusht, dukë parapaguar koston e të bërit qesharake në sytë e shqiptarëve.

Manipulimi dhe loja me fjalët janë arma më e fortë e atyre që promovojnë dhe mbrojnë agjendat e gender e të tjera kudo në botë. Ata trajnohen posaçërisht për lojën me termat. Mjafton të shikosh listën e termave për 70 e ca llojet e gjinive që kanë shpikur. Lloj-lloj emra e përemra që e bëjnë edhe më qesharake kauzën e tyre manipulative. Janë ekspertë të etiketimit të kundërshtarëve. Fashist dhe Homofob janë dy fjalët më të preferuara të tyre sa herë që dikush i përball me të vërtetën shkencore. Në thelb nuk ka asgjë shkencore apo të natyrshme në tërë strategjitë e tyre. Ka veç Viktimizim dhe Manipulim të Fjalës deri në shtrëmbërimin tërësor të një të vërtete me pasojë krijimin e të vërtetave artificiale të tyre që me forcën e parasë dhe peshën e viktimizimit fallco i hedhin pastaj për aprovim publik dhe ligjor.

Një zeje qesharake, por që jo rrallë ka pasur sukses kudo që e kanë ushtruar.

“Ndihem, pa jam” është filozofia e gjinive të tyre fluide. Dhe kjo anomali psiqike po shkon edhe përtej gjinive. Në të drejtën e tyre themelore si njerëz, ata po ndihen ndërtesa, pemë, po ndihen sende, po ndihen edhe kafshë. Dhe kërkojnë pothuajse dhunshëm që edhe ne të tjerët t’i konsiderojmë siç ndihen ata.

“Unë ndihem Dhelpër dhe ju duhet ta respektoni këtë të drejtë themelore timen dhe të më trajtoni dhe referoheni si dhelpër!”, tha në debat televiziv një femër e veshur si dhelpër.

“Edhe unë ndihem Gjahtar”, iu përgjigj debatuesi, “dhe ju duhet ta respektoni këtë të drejtë themelore timen” dhe kërkoi t’i sillnin një çifte.

© Artan Gjyzel Hasani - Toronto