Gjuhë & Letërsi

Mësime nga një orë gazmore - Tregim nga Vangjush Saro

Llui s’e kishte menduar kurrë se mund të shkonte aq keq ajo orë. Mësuesja e Gjeografisë u pat kërkuar të shkruanin një hartim të shkurtër për pasuritë e Shqipërisë: Vendi ynë ka fusha, dete, minerale, pyje. Vendi ynë është i pasur në kullota, lumenj, liqene. Mandej, kështjellat tona... Historia. Bujqësia. Kultura. Ja diçka të tillë duhej të sillnin në këtë detyrë.

Mirëpo Llui ishte harruar pas futbollit e pas lojërave të celularit. Për më keq, nuk ishte konsultuar fare me gjyshin, i vetmi që i jepte një dorë ndonjëherë; ai kishte shkuar në një mbledhje me kandidatin për Kryetar Bashkie. Mami po... gjysma mbi tenxhere e gjysma te Big Brother. Babi, te klubi, për të parë një ndeshje për të cilën kishte vënë bast.

Mirë mo mirë, se tema nuk ishte e vështirë... Kështu që, Llui ia mbyti njëfarësoj. E kishte lidhur pak edhe me futbollin. Ja kjo ishte. Dhe sot, tani, po shkëmbente mesazhe (në celular) me shokët e tij të klasës, kur ia behu hundë e buzë “Gjeografia”. Ajo është edhe mësuesja e tyre kujdestare. Quhet Monda dhe e duan të gjithë; është e bukur dhe shpirt njeriu, ëngjëll. Por këtë mëngjes, dukej si ndonjë re e ngarkuar. Filloi të ndante fletoret; s’ishte në humor. Në gjestet dhe në sytë e saj, ndihej stuhia.

-Në përgjithësi, kini shkruar mirë, - pothuaj mërmëriti. -  Por disa nga ju, - befas ajo e ngriti zërin - me sa shihet edhe nga hartimet, nuk jetojnë këtu. Iliri, për shembull, e ka mbushur hartimin me emra futbollistësh: Mesi, Ronaldo, “Partizani” kampion, ne dhe Evropiani...

Llui u drodh. Ai kishte menduar se edhe futbolli është njëfarë pasurie. E vendit. E të gjithëve.

-Pa hajde në dërrasën e zezë, Ilir! - e ftoi mësuesja “ekspertin” e futbollit. - Na trego diçka tjetër përtej sportit. Për shembull, na thuaj çfarë di ti për bujqësinë e vendit tonë, për prodhimet kryesore, për eksportin e tyre, për fushat, për serat...

Llui nuk po ndihej mirë. Zakonisht, zyshë Monda, një më dy dhe thotë “zemra ime”. Kurse sot... Paçka. Llui ia bëri njëherë hm, vështroi përqark dhe pastaj filloi me vrull:

-Okej! Bujqësia. Bujqësia në Shqipëri. Në Shqipëri, bujqësia... Ajo është... Ajo zhvillohet. Për bujqësinë... Sepse nga bujqësia...

Megjithëse e lakoi mbarë e prapë atë emër të uruar, Llui ende nuk po thoshte ndonjë gjë për të qenë. Dhe zyshë Monda ndërhyri për ta ndihmuar pak:

-Po blegtoria? A mund të na tregosh diçka për blegtorinë?

-Blegtoria, - ia filloi Llui disi më i sigurt këtë herë. - Blegtoria. Okej! Blegtoria në Shqipëri... Blegtoria është... Ka shumë prodhime blegtorale. Ato... - Dhe befas, për çudinë e të gjithëve, filloi të recitonte me zë të lartë - O maaalet e Shqipërisë dhe ju o liiisat e gjatë...

E gjithë klasa ia dha gazit. Zysha hapi sytë; dhe ata sy, që ishin të shkruar, tani se si dukeshin... Llui, nga ana e tij, vështroi edhe ai sa andej këtej dhe, siç dukej, nuk po kuptonte asgjë. Përse qeshin këta? A nuk po flas për Bujqësinë? A nuk po recitoj për Blegtorinë?

-Fuuushat e gjera me luuule...

Edhe ato pak vargje i kishte mësuar me këmbënguljen e gjyshit. Hë ore, i thoshte ai, se e kini kokën veç te topi e celulari...

-Fuuushat e gjera me luuule/ që ju kam ndërmend ditë e natë!

Mësuesja ose e kuptoi që Llui ishte tabelë e bardhë e s’dinte asgjë, ose e humbi durimin duke dëgjuar se si po teatronte. Ndryshe nuk mund të shpjegohej pse i kërkoi atij ta linte për njëherë tjetër recitimin dhe të kthehej në temë; për shembull, të thosh diçka për mineralet e Shqipërisë.

Mineralet? Llui ia filloi sërish me vrull:

-Mineralet? Okej! Mineralet e Shqipërisë. Mineralet tona... Ato... Shqipëria, njëherë, ka shumë minerale. Okej! Ajo... Domethënë ato… Mineralet na duhen për…

-Cilat janë disa prej tyre? - e nxiti mësuesja. - Deri tani, kemi dëgjuar vetëm okej okej. Për çfarë është i njohur vendi ynë?

-Vendi ynë. Okej! Vendi ynë është i njohur, është shumë i njohur. Ai… Ato… O maaalet e Shqipërisë dhe ju o liiisat e gjatë… Fushat e gjeeera me lule…

Se kush i kishte kërkuar atij të recitonte përsëri vargjet e Naim Frashërit nga poema “Bagëti e Bujqësi”, asnjë nuk e mori vesh. Por klasa ra përmbys së qeshuri. Dhe mësuesja filloi t’u tërhiqte vëmendjen që të mos i zbardhnin dhëmbët kot së koti.

E kishte pikasur ai që në fillim. “Gjeografia” sot ishte hundë e buzë. “Kështu është kur shikon në televizor vetëm futboll dhe spektakle… Okej okej dhe s’di asgjë për vendin tënd.”

Zyshë Monda iu kthye përsëri Lluit dhe e pyeti nëse mund të thoshte diçka për gjeografinë. (Bobo, vetëm këtu jo!) A dinte gjë ai për muzetë dhe turizmin? Muzetë? Ai nuk mbante mend kur kishte qenë hera e fundit që mund të kishte parë ndonjë muze. Sa për turizmin... po mo, pa problem...

-Turizmi - palli menjëherë Llui - është okej! Turizmi është… sepse ai… sepse ata… Turistë ka kudo...

Ndërkohë klasa vetëm qeshte. Qortimet e mësueses fluturonin përmbi të qeshurat së bashku me marrëzitë e djalit. “Turizmi ashtu dhe kështu. Turizmi andej dhe këtej.” “O Liri, përqëndrohu!” “Një ditë unë kam parë dy turistë.” “Çfarë, çfarë?” “Ata dukeshin të lodhur nga vapa… Turistët janë të mirë…”

Gazi gaz. Epo, klasa nuk kishte rastin të dëgjonin përditë gjëra të tilla kaq të mençura. Çfarë mund të bënin tjetër përveçse të qeshnin? Kështu shkoi kjo punë. Ata qesh dhe Llui mbytja edhe më keq. Dhe herë pas here, përsëri: O maaalet e Shqipëriiisë…

Mirë mirë, por zyshë Monda, teksa dilte nga klasa, i hodhi atij një vështrim që s’i pëlqeu fare dhe që do ta mbante mend gjatë. Djali u mërzit si rrallëherë; mund të pranonte gjithçka, por jo të humbiste vëmendjen e saj. U pa puna, duhej një konsultim tjetër me gjyshin. Ai u jepte drejtim këtyre halleve. Mend për herën tjetër e për detyrën tjetër!

© Vangjush Saro