Fëmijët e Diasporës: Eira Dardha, mes pasioneve sport-art
Prej dy vitesh, kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja, ka ftuar fëmijët dhe të rinjtë e diasporës shqiptaro-kanadeze, t’i përgjigjen pyetësorit “Fëmijët e Diasporës”, një format-cikël standard me 30 pyetje. Qëllimi është angazhimi pak nga pak i fëmijëve shqiptarë në një media komunitare për t’u njohur me njëri-tjetrin. Ju ftojmë të njiheni sot me Eira Dardhën, nxënëse në klasën e 8-të në Shkollën “Pierre Dupuy”, Montréal (Québec).
Pyetje 1: Ma prezanto pak veten; kush je ti, ku ke lindur, ku banon dhe në ç’klasë je?
Unë quhem Eira Dardha kam lindur ne Tiranë dhe jam në klasë të 8-të.
Pyetje 2: Ç’vend zë prejardhja jote kur prezantohesh me dikë për herë të parë?
Tirana zë një vend shumë të rëndësishëm, vendi i gjyshërve të mi të dashur.
Pyetje 3: Sa kohë harxhon për mësimet?
Për mësimet harxhoj nga dy orë minimumi deri ne katër orë.
Pyetje 4: Çfarë të përbashkëtash dhe diferencash ke me shoqen e ngushtë?
Të përbashkëtat janë se pëlqejmë të njëjtën rrymë muzikore dhe kemi të dyja shpirt artisti. Diferenca është se nuk vijmë nga i njëjti vend origjine dhe nuk flasim të njëjtën gjuhë në shtëpi.
Pyetje 5: Cili është hobi yt dhe lënda e preferuar në shkollë?
Unë ushtroj shumë sporte si skateboard, basketboll dhe biçikletë. Më pëlqen të luaj muzikë dhe jam në grupin e muzikës së shkollës. Luaj pak kitare, i bie baterisë dhe merrem me art, pikturë në grafikë elektronike dhe letër. Ndërsa lënda ime e preferuar është Anglishtja.
Pyetje 6: Më përshkruaj pak mësuesit e shkollës tënde, si komunikojnë me nxënësit, si vishen, çfarë dënimesh japin, etj.
Mësuesit janë të mirëkuptueshëm, na ndihmojnë dhe komunikojnë shumë mirë dhe qetësisht, vishen thjesht, me veshje praktike. Thonë nëse bëjmë gabime do të na çojnë në drejtori, apo për gabime shumë të mëdha na thonë se të çojnë në YMCA, por nuk e kam iden sepse nuk kam qenë atje asnjëherë .
Pyetje 7: Ma përshkruaj veten pas 10 apo 20 vjetësh, në aspekte të ndryshme të jetës.
Unë mendoj se do vazhdoj të studioj për Interior Designer ose për Siguri Kibernetike, por do bëj gjithmonë skateboard dhe muzikë me shoqet. Nuk mendoj se do qëndroj në Montréal. Ndoshta do shkoj në New York ose do punoj duke udhëtuar nëpër botë.
Pyetje 8: Cilën fjalë apo shprehje përdor më shpesh në Anglisht/Frengjisht?
Në Anglisht: “Nice”, që do të thotë “Bukur”.
Në Frengjisht: “Mais”, që do të thotë “Por”.
Pyetje 9: Cila është fjala ose shprehja më e pëlqyer në gjuhën shqipe?
Fjala shqiponjë, ndërsa shprehja “na e bëri gjakun ujë”.
Pyetje 10: Ç’lloj punësh shtëpie bën?
Unë pastroj pluhurat, ujis lulet, pastroj me fshesën me korent dhe laj enët.
Pyetje 11: A kërkon të shpërblehesh për këto punë? Pse?
Jo unë nuk kërkoj gjë të shpërblehem. Po të duan vetë prindërit e mi të më shpërblejnë, unë preferoj të bëjmë një aktivitet të gjithë bashkë.
Pyetje 12: Më thuaj një tipar që nuk të pëlqen te shqiptarët dhe një tjetër që të pëlqen.
Nuk më pëlqen imponimi. Më pëlqen mbajtja e fjalës së dhënë.
Pyetje 13: Çfarë të ka mbetur në mendje nga Shqipëria?
Plazhin e dua shumë, Dhërmiun, Vlorën dhe Ksamilin. Më pëlqen më shumë deti Jon, por edhe në Durrës në detin Adriatik, ka vende të bukura. Aty kam mësuar notin për herë të parë.
Pyetje 14: Më thuaj një të drejtë që duhet ta kesh sipas teje, por që të shkelet.
Gjithmonë më jepet leje, por jo aq gjatë sa dëshiroj për të qëndruar me shoqërinë jashtë.
Pyetje 15: Kujt do t’i ankoheshe nëse do kishe ndonjë problem?
Prindërve të mi, sepse e di që në çfarëdolloj situate do të ishin aty për mua.
Pyetje 16: Më thuaj një libër për fëmijë në shqip që ndodhet në bibliotekën tënde?
Tregime të moçme shqiptare.
Pyetje 17: Si e kalon kohën e lirë?
Bëj pjesë në komunitetin sportiv të vajzave që ushtrojnë sportin e skateboard-it, si dhe praktikohemi rregullisht me grupin e muzikës së shkollës për koncerte të ndryshme. Ndërsa përgjatë pandemisë jam ushtruar më shumë me art grafik duke pikturuar.
Pyetje 18: Cili është ushqimi yt i preferuar?
Kam disa, por më shumë më pëlqen fërgesa, si dhe pilafi me pulë.
Pyetje 19: Cila është frika jote më e madhe?
Qëndrimi vetëm.
Pyetje 20: Cila është ëndrra jote më e madhe?
Që në drejtimin që do të marr në jetë të jem e suksesshme.
Pyetje 21: Çfarë të mbush me gëzim?
Familja dhe shoqëria.
Pyetje 22: Cila është ngjarja më e bukur që të ka mbetur në mendje?
Një koncert muzikor dhënë nga grupi ynë i shkollës përpara 600 pjesëmarrësve.
Pyetje 23: Pse shumica e të rriturve duan të kenë fëmijë?
Sepse fëmijët i ndihmojnë të rriturit kur vjen koha.
Pyetje 24: Më shoqëro me fjalën e parë që të vjen në mendje fjalët:
Familje - dashuri;
Kanada - emigracion;
Québec - vendbanim;
Politikë - mosinteresim;
Shkollë - mësime;
Muzikë - kompozim;
Internet - teknologji;
Sport - skateboard;
Libër - dituri;
Rrugë - udhëtime;
Shtëpi - rehati;
Shqipëri - vendlindje.
Pyetje 25: Më identifiko një nga tiparet e personalitetit tënd që të bën të ndihesh shqiptare.
Vetëbesimi.
Pyetje 26: Pse disa të rritur kanë mall për fëmijërinë dhe thonë “Ah sikur të isha edhe një herë në atë moshë”?
Sepse është më e lehtë të jesh fëmijë.
Pyetje 27: Çfarë i streson më shumë të rriturit?
E ardhmja e fëmijëve.
Pyetje 28: Çfarë i mërzit më shumë fëmijët?
Mosmbajtja e premtimeve.
Pyetje 29: Çfarë këshille do t’u jepje të rriturve dhe fëmijëve që po të lexojnë?
Ecni me ndjesinë e brendshme.
Pyetje 30: Nëse do të të kërkohej të shkruaje apo flisje për një problem, cili do të ishte?
Ndryshimet klimatike.
Shënim:
Falenderojmë prindërit për bashkëpunimin dhe fëmijët e të rinjtë shqiptarë për angazhimin dhe çiltërsinë. Nëse jeni të interesuar të merrni pjesë në rubrikën “Fëmijët e Diasporës”, lutemi na kontaktoni në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose në faqen tonë në Facebook. Intervistat e fëmijëve do të jenë një kujtim i bukur për ta kur të rriten.
© Flasshqip.ca