Blog

Beteja e fundit e Enver Hadrit me Serbinë - Nga Xhafer Shatri

Xhafer Shatri

Ka tri javë që në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në Bruksel, po rigjykohen vrasësit e Enver Hadrit; Bozhidar Spasiç, Veselin Vukotiç dhe Andrija Drashkoviç. Asnjëri prej tyre nuk janë në bankën e zezë.  Sepse Serbia po vazhdon ta refuzojë ekstradimin e tyre.

Më 2016, po kjo Gjykatë i pati dënuar me burg të përjetshëm që të tre. Aktgjykimin e kontestuan dy prej tyre, Vukotiç dhe Drashkoviç. Ndërkaq, në fund të procedurës së ankimimit mbeti vetëm Andrija Drashkoviç.

Për ata që i njohin rrethanat dhe dosjen sidomos, nuk do të kishte vijim ose shqyrtim gjyqësor të kësaj procedure penale, po të mos ishte familja e Enver Hadrit, e sidomos këmbëngulja kreshnike e vajzës së tij, Teutës. 

Me këtë rast nuk duhen harruar as pjesëtarët e gjeneratës së re në organet e drejtësisë belge, të cilët e të cilat nuk pranuan që profesioni i tyre të përdridhet në pazarin e  politikës dhe diplomacisë. Por i shkuan punës deri në fund. Derisa e zbardhën në plotni këtë krim të rëndë që Serbia e kreu në kryeqytetin e Evropës.

2.

Tri ditë më parë, në cilësinë e dëshmitarit të prokurorisë, dëshmova para Trupit Gjykues.

Të hysh në një sallë të madhe, para një Gjykate shumë të respektuar e me juri dhe ta shohësh aty familjen e Enver Hadrit të raskapitur por krenare në përpjekjet e saj 35 vjeçare për ta vënë drejtësinë në vend, është një përjetim më shumë se i vështirë, por edhe një rast me shumë përparësi. Sepse në këtë dosje ka aq shumë argumente, sa që mjafton vetëm t’i renditësh. 

Dhe ky është një përjashtim i rrallë, sepse askush si Serbia nuk di t’i fshehë gjurmët e krimeve të saj të shumta e të përgjakshme.

Edhe po të jesh japonez apo jugafrikan që ndoshta s’e di mirë as kah i bie Beogradi, mjafton ta lexosh librin e Edith Durham “Krimi në Sarajevë” për ta kuptuar se sa e zhdërvjelltë është Serbia në gjuajtjen e gurit e në fshehjen e dorës. 

Udhëheqja serbe kishte vendosur ta vriste Enver Hadrin me çdo çmim. Sepse ai me veprimtarinë e tij i dëmtonte substancialisht synimet e saj. Para institucioneve dhe personaliteteve evropiane me ndikim, Enver Hadri i zhvishte planet e Millosheviçit që mëtonte ta bënte Serbinë e Madhe në dëm të popujve të tjerë dhe, mundësisht, me ndihmën e Evropës... Për këtë qëllim, elitat serbe po përgatiteshin intensivisht edhe për luftë.

Prandaj, për njohësit e rrethanave, shpërthimi i luftërave në ish-Jugosllavi, praktikisht fillon me vrasjen e Enver Hadrit.

Më 25 shkurt 1990 gangsterët, që i kishte angazhuar UDB, arritën ta vrasin Enver Hadrin. Ata ishin Andrija Drashkoviç, Vesko Vukotiç, Darko Ashanin dhe Andrija Lakoniç. Këta ishin ajka e nëntokës së Beogradit; krejt biografia e tyre ishte e mbushur me dosje të zeza: vrasje, plaçkitje, përdhunime…

Vrasjen e kishte përgatitur Bozhidar Spasiç, përgjegjës për operacione speciale në Drejtorinë e Dytë të Shërbimit Federal të Sigurimit të Shtetit. Kjo Drejtori merrej ekskluzivisht me operacione jashtë. Në këtë funksion, Spasiç ua kishte nxjerrë vrasësve pasaportat me emra të rrejshëm, i kishte furnizuar me të holla dhe mjete të tjera, përfshirë armët dhe fishekët specialë dhe, përmes rrjetit të spiunëve, ua kishte përgatitur deri në hollësi terrenin për ekzekutimin e Hadrit.

Një muaj më vonë, konkretisht më 23 mars 1990, në klubin “Nana” në Beograd, që ishte strofull e elitave të mafias serbe, plasi sherri në mes vrasësve të Enver Hadrit. Në atë qërim hesapesh mbeti i vrarë Andrija Lakoniç. Fillimisht përgjegjësinë e mori Darko Ashanin, por më vonë ai u zëvendësua në përgjegjësi penale nga Vesko Vukotiç. Sipas të gjitha gjasave, vrasja ishte kryer me armën me të cilën e kishin vrarë Enver Hadrin…

Për ta përzgjedhur ekipin e vrasësve Bozhidar Spasiçit e kishte ndihmuar Miroslav Bizhiç, shef i sektorit për delikuentët e mitur në Sekretariatin e Punëve të Brendshme të Beogradit. Ky bashkëpunim kishte ndezur rivalitetin mes UDB-së Federale dhe asaj Republikane. Kjo e fundit përmes rrjetit të spiunëve në mediet e Beogradit, e nxori në publik prapavijën politike të qërimit të hesapeve të mafiozëve serbë në klubin “Nana”.

Në këtë mënyrë u zbuluan dhe u identifikuan vrasësit e Enver Hadrit. Natyrisht, këta i takonin vetëm njërit prej katër grupeve që ishin të implikuar në këtë krim…

Për shkaqe që është vështirë të shpjegohen, Bozhidar Spasiç e zbardhi në një masë të mirë këtë dossier përmes librit “Lasica koja govori” (Bukla që flet), por edhe përmes intervistave të shumta, ku dha detaje burimore për organizimin dhe ekzekutimin e Enver Hadrit. Dhe jo vetëm…

5.

Kësaj radhe, megjithatë kishte disa dallime nga gjykimi i parë.

Në rigjykim, njëri prej të akuzuarve, Andrija Drashkoviç, i kishte përzgjedhur dy avokatë të dy kabineteve më të njohura të avokatisë në Belgjikë.

Njëri prej avokatëve të Familjes Hadri, ishte shqiptar me emrin antik Sokol.

Qeveria e Kosovës e kishte mbështetur financiarisht familjen Hadri. Kjo mbështetje ka peshë të veçantë morale për të dhe përpjekjet e saj 35 vjeçare për ta vënë drejtësinë në vend.

Gjatë gjykimit disajavor, aty vazhdimisht po merrnin pjesë dy diplomatë të Kosovës. Atë ditë që dëshmova unë në gjykatore kishin qenë të pranishëm dy ambasadorët e Kosovës: Agron Bajrami, Ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, në Dukatën e Luksemburgut e pranë Bashkimit Evropian dhe Astrit Zemaj, Ambasador i Republikës së Kosovës pranë selisë së NATO-s.

Po ta krahasosh këtë kohë me kohën kur u vra Enver Hadri, dallimi është epokal. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij asokohe as që kanë guxuar ta ëndërrojnë se në qytetin ku Hadri veproi dhe u vra, atdheu i tyre, Kosova, një ditë, do t’i ketë dy ambasadorë...

Në këtë luftë të mundimshme e të pabarabartë, por heroike, të Kosovës e të shqiptarëve me Serbinë, ku përthuren pashmangshëm veprimtaria dhe vrasja e tij, Enver Hadri del fitimtar absolut.

Ai, edhe për së vdekuri, po e bën dhe po e fiton betejën e tij me Serbinë.

© Xhafer Shatri