Kanada

Arroganca e Trudeau dhe qetësia e O’Toole në debatin e parë para zgjedhjeve - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada

Taulant Dedja - Montréal, Québec

Pjesa e parë e fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 20 Shtatorit kulmoi pardje me debatin e parë në frengjisht që i kushtohej eksluzivisht Québec-ut, mes katër shefave, Justin Trudeau (Liberal), Erin O’Toole (Konservator), Yves-François Blanchet (Blloku i Québec) dhe Jagmeet Singh (Neodemokrat). Debati u organizua nga televizioni frankofon TVA në Montréal, nën drejtimin e njërit prej ikonave të ekranit në “La Belle Province”, Pierre Bruneau.

Sigurisht debati pritej me interes, po të kihet parasysh fakti që në Dhomën e Komunave (Parlamentin Federal) me gjithsej 338 deputetë, provinca frankofone ka 78 përfaqësues, duke qenë kësisoj e dyta për nga pesha, pas Ontarios me 121 deputetë. Nga 78 të zgjedhur në Québec në vitin 2019, 35 janë liberalë, 32 nga Blloku, 10 konservatorë dhe 1 neodemokrat.

Sondazhet për Québec njoftonin një rënie me 8 përqind të Liberalëve, krahasuar me ditën e parë të fushatës, rënie 1 përqind për Bllokun dhe rritje 5 përqind për Konservatorët. Trudeau dhe Blanchet, ndodheshin në terrenin e tyre linguistik, çka u jepte një lloj avantazhi për nga lehtësia e transmetimit të mesazhit përballë një Singh me një frengjishte goxha të përmirësuar, krahasuar me 2019 dhe një O’Toole që më shumë se sa për nivelin e zotërimit të frengjishtes do vlerësohej për performancën në të parin ballafaqim zgjedhor në cilësinë e kandidatit për kryeministër të Kanadasë.

Pandemia, politikat sociale dhe Kanadaja e të ardhmes ishin tri temat kryesore që kish zgjedhur për diskutim moderatori Pierre Bruneau, i cili duhet theksuar, që ia arriti me një finesë të admirueshme të mos lejonte t’i dilte për asnjë çast nga kontrolli debati, edhe pse shpesh replikat, sidomos mes Trudeau dhe Blanchet u shfaqën jo pak të tendosura dhe siç edhe pritej, Blanchet dëshmoi edhe një herë që është një orator gati i pakonkurueshëm. Madje ky i fundit arriti ta përcjellë qartë mesazhin që është aty ku është, për të mbrojtur interesat e Québec përballë cilitdo kryeministër dhe që synimi i tij është ekuilibrimi i pushtetit, përkthyer më qartë, një qeveri në minorancë, pak rëndësi ka, liberale apo konservatore.

Në debat secili nga shefat erdhi pra me një objektiv minimalisht të njëjtë, ripërsëritjen e të paktën rezultatit të vitit 2019. Mbi këtë minimale, sigurisht Trudeau kishte synim tërheqjen e asaj kategorie të elektoratit që është më afër NDP, pse jo edhe Bllokut, në tentativën e tij për të siguruar me çdo kusht mazhorancën, me të paktën 170 deputetë nga 155 që ka aktualisht.

Ndërsa për O’Toole, objektivi mbi minimalen, mbetej paraqitja me staturën e një lideri kombëtar, i gatshëm për kryeministër, por edhe për t’u bërë më shumë i njohur  si lideri konservator që është deklaruar më i ndjeshëm përballë interesave të zgjedhësve të Québec (i konsideruar si komb më vete brenda federates), madje duke propozuar edhe një kontratë që nuk synon kontroll dhe imponim nga Ottawa, por më shumë partneritet dhe autonomi për provincën frankofone, përfshi dhe programe të karakterit ekonomik shoqëruar kryesisht me lehtësira fiskale.

Nisur nga sa dëgjova parmbrëmë, për mendimin tim, edhe pse elokuent, cilësi që nuk mund t’i mohoet, por edhe pse duke pasur avantazhin e të qenit Kryeministër, Trudeau u shfaq i tensionuar dhe shpesh në pozicion mbrojtës. Pyetja e tre liderëve të tjerë se çfarë e shtyu të organizonte zgjedhje të parakohshme në kushte pandemie, zjarresh në British Columbia dhe një situate kritike në Afganistan (ku duhej një ndërhyrje më e denjë për staturën e Kanadasë) e vuri liderin e Liberalëve në pozitë të vështirë.

Trudeau nuk ishte aspak bindës në argumentat që dha, po të kihen parasysh dhe deklarimet e sotme të zyrtarëve më të lartë të Shëndetit Publik Kanadez që parathonë një situatë të vështirë në fillim të Tetorit. Është naive të mendosh që Kanadaja shkoi në zgjedhje vetëm se më pak se 20 përqind e popullsisë nuk është vaksinuar ende, dhe akoma më shumë naive të mendosh që rezultati i zgjedhjeve do rrisë përqindjen e vaksinimit.

Përballë një Trudeau arrogant, që sërish kërcënoi me zgjedhje pas 18 muajsh nëse nuk e merr këtë radhë mazhorancën, O’Toole arriti të shfaqet shumë i qetë dhe i saktë, aspak ironik dhe i buzëqeshur në çdo moment, duke i thënë qartë kryeministrit se duke provokuar zgjedhje të panevojshme ai vuri interesat e tij personale mbi ato të kanadezëve.

Edhe pse u atakua nga Blanchet dhe Trudeau për çështjen e 6 miliard dollarëve që kryeministri aktual i akordoi Quebéc për sistemin e kopshteve të fëmijëve, gjykoj se përgjigja e O’Toole ishte korrekte duke mos marrë përsipër diçka që nuk është premtimi i tij elektoral. Ndërsa Trudeau ka disa muaj që nuk rresht se premtuari miliarda, sa andej këtej, 1 miliard madje vetëm për pasaportën vaksinale, pa u shqetësuar aspak për rritjen galopante të borxhit publik dhe pasojat që kjo sjell sidomos për brezat e ardhshëm, lideri konservator i premtoi Québec federalizëm bashkëpunues dhe jo paternalist e kontrollues. “Jam një lider i ri, me një qasje dhe këndvështrim të ri, me angazhim konkret për ruajtjen e identitetit të Québec dhe i vetmi që mund ta zëvendesojë Justin Trudeau”, deklaroi në fund të përballjes Erin O’Toole.

Në debatin e pardjeshëm kryeministrin Trudeau e vuri në pozitë të vështirë në jo pak raste edhe neodemokrati Singh (i cili nuk kish asgjë për të humbur, veç një deputeti që ka në Québec), duke i kujtuar se sa larg është në raport me premtimet e zgjedhjeve të vitit 2015 (që kishte plot 6 vjet për t’i realizuar) dhe duke vënë theksin në rritjen shumë të ndjeshme të kostos së jetesës. Madje i kujtoi atij që është skandaloz për një vend të G7 si Kanadaja, me pasuri ujore të pamata, fakti që shumë komunitete autoktone ende nuk kanë furnizim drejpërdrejt me ujë të pijshëm.

Sigurisht impakti i debatit në Montréal nuk mund të provohet veçse kur të shpallen rezultatet e Québec në 78 zonat e provincës. Ndërkohë janë përpara dhe 17 ditë fushatë dhe dy debate të tjera, që do organizohen nga ai që quhet Komisioni për debatin e shefave. Të dy në Ottawa me ndryshimin e vetëm që pjesëmarrëse do jetë edhe liderja e të Gjelbërve Annamie Paul. I pari në datën 8 Shtator do zhvillohet në frengjisht, ndërsa i dyti më 9 Shtator në anglisht.

Për pjesën e mbetur, përveç Quebéc, sigurisht beteja do përqendrohet në 121 zonat e Ontarios dhe 42 zonat e British Columbia. Janë këto 3 provinca që do përcaktojnë fatin e zgjedhjeve sipas gjasave. Ndryshe nga viti 2019, kur lider i Konservatorëve ishte Andrew Scheer, deputet i Saskatchewan, thuajse i panjohur në Ontario dhe që realizoi një performancë të dobët në Québec, kësaj radhe lideri Konservator, i lindur dhe rritur në Montréal, është deputet i Ontarios prej vitesh dhe ish-Ministër i Qeverisë Harper. Madje ishte Erin O’Toole, ish-ushtarak i Forcave Ajrore Kanadeze, ai që propozoi përdorimin e ushtrisë në ndihmë të qendrave të kujdesit për të moshuarit që rezultuan në gjendje katastrofike vitin e kaluar, kur pandemia preku Kanadanë dhe goditi rëndë veçanërisht të moshuarit që strehoeshin në to.

Loja mbetet krejt e hapur. Personalisht nuk parashikoj qeveri mazhoritare. Madje e kam thënë që Kanadasë i vlen më shumë një qeveri në minorancë. Gjithsesi ky është vetëm një parashikim dhe një opinion individual…

©Taulant Dedja