Kanada

Klima toksike e bandave në Montreal nuk mund të tolerohet më - Nga Mathieu Bock-Côté

  • Published in Kanada

Mathieu Bock-Côté

Vdekja tragjike dhe absolutisht revoltuese e të riut Thomas Trudel në Montreal të dielën që shkoi, na bën t’i thërrasim mendjes e të kuptojmë që çështja e pasigurisë tani është shumë kritike në disa zona të Montrealit. Të shtënat e përsëritura muajt e fundit paralajmërojnë një qytet gjithnjë e më të dhunshëm, nën pushtetin e bandave të rrugës, të cilat jo vetëm që nuk pyesin për ligjin, por aq më keq synojnë të imponojnë “ligjin” e tyre.

Si të reagojmë? Si të përballemi me to dhe t'i mundim? Kjo është çështja! Sigurisht është e vështirë ta shprehësh atë në mënyrë adekuate, po të kihet parasysh efekti mbytës i qëndrimit “politically correct”.

Akuzat e ekzagjeruara deri në gënjeshtra për racizëm sistemik dhe profilizim të përsëritur racial në ngarkim të policisë për më shumë se një vit, e kanë reduktuar aftësinë e saj për të luftuar bandat e rrugës. Madje ka edhe njerëz të së majtës ekstreme në qarqet universitare, të cilët përpiqen të na bindin se lufta kundër armëve të zjarrit nxitet nga racizmi ndaj të zinjve. Kjo që them vlen si thirrje për të bërë kujdes nga këta "ekspertë" që kanë marrë në dorë universitetet dhe na i riciklojnë plehrat e tyre ideologjike me ambalazh pseudo-shkencor.

A duhet vërtet t’i kujtojmë sot opinionit se ata që kërcënojnë jetët e qytetarëve në këto lagje të Montrealit nuk janë policët, por banditët, kriminelët, gangsterët dhe bandat e rrugës, që synojnë të krijojnë atje “principatat” e tyre të krimit?

Pra, çfarë të bëjmë?

Para së gjithash do të thoja që nuk duhet assesi të ngatërrojmë objektivin që duhet goditur. Sigurisht kur diskutojmë përciptazi për temën e armëve të zjarrit në përgjithësi, lehtësisht mund të ngatërrohemi me objektivin, ndaj dhe le të tregohemi seriozë për një herë të vetme: nuk janë armët e gjuetisë apo edhe armët e ligjshme në përgjithësi problemi real, sikurse dhe nuk janë gjuetarët ata që po e kthejnë metropolin në një hapësirë të rrezikshme. Armët në fjalë, pra armët e përdorura nga bandat e rrugës, janë armë të paligjshme dhe ne e dimë shumë mirë që ato hyjnë fshehurazi përmes kufirit me SHBA.

Pra duhet të kuptojmë një herë e mirë që duke u vështirësuar jetën gjuetarëve apo duke komplikuar më shumë procedurat administrative për të gjithë ata që kanë armë konform ligjit, kjo nuk do të ndryshojë asgjë në raport me situatën për të cilën flasim. Në këto rrethana, kjo kategori qartazi shërben si kokë turku, në mënyrë që manovra të mos jetë e dukshme për cilindo që dëshiron ta shohë.

Problemi në fakt janë politikanët që më të shumtën e kohës, në vend që të merren drejtpërdrejt me shkaktarët e vërtetë të situatës, për të krijuar përshtypjen sikur po reagojnë, i gjeneralizojnë gjërat dhe kësisoj, u bien në qafë atyre që nuk kanë bërë asgjë, sepse nuk kane kurajon të merren me ata që krijojnë realisht probleme.

Por një gjë është e sigurt: ne nuk duhet të tolerojmë që kjo klimë toksike që po përhapet gradualisht të përfshijë gjithë Montrealin, sepse nëse kjo dinamikë egërsie vazhdon rregullisht dhe instalohet, do jetë shumë e vështirë të kthehemi pas.

Cilido që tenton ta relativizojë këtë çështje dhe përpiqet të argumentojë se Montreali mbetet ende një qytet i sigurtë, duket qartazi që refuzon të përballet me realitetin. Lufta kundër bandave të rrugës në Montreal është çështje e sigurisë publike!

Marrë nga “Journal de Montréal”