Kanada

Gazeta kanadeze shkruan më 7 Prill ’39: “Shqipëria pushtohet nga Forcat Italiane. Mbretëria e vocërr sulmohet në katër pika”

  • Published in Kanada

Hulumtoi dhe përshtati në shqip: Jeta Dedja

Më 7 Prill 1939, gazeta Kanadeze “Sherbrook Daily Record” i dedikon faqen e parë pushtimit të Shqipërisë.

“Shqipëria pushtohet nga Forcat Italiane. Mbretëria e vocërr sulmohet në katër vende”

“Trupat italiane gëluan në brigjet e Shqipërisë së vockël përmes anijeve dhe avionëve luftarakë. Në një reagim të menjëhershëm, zëdhënësit fashistë duke sulmuar thershëm Mbretin Zog, akuzuan atë se kishte kërkuar ndihmën italiane për të sulmuar Jugosllavinë. Ndërsa forcat italiane pushtuan Shqipërinë në katër drejtime, duke ndeshur në qëndresën vendase të cilën zyrtarët italianë e përshkruan si të papërfillshme, po këta zëdhënës u shprehën se italianët ishin kërcënuar në Shqipëri, sepse Italia refuzoi të ndihmonte Zogun në planet për të sulmuar vendin fqinj.

(Raportimet nga Tirana lajmëruan për rezistencë të fortë ndaj pushtuesve, por siç u bë me dije më vonë një delegacion zyrtar shqiptar po kërkonte të ujdiste ndaljen e luftimeve”.

Bombardime të shumta nga deti dhe ajri u raportuan gjatë pushtimit, gjë që sipas shqiptarëve erdhën si rezultat i refuzimit të qeverisë së Mbretit Zog për t’iu nënshtruar ultimatumit sekret italian.

Sapo u mor vesh lajmi i veprimeve luftarake italiane, ambasadori britanik (Konti i Perth-it) mbërriti në Romë për t’u takuar me ministrin e Jashtëm Kontin Galeazzo Ciano.

Britania e konsideroi pushtimin si shkelje të marrëveshjes së miqësisë Anglo-Italiane. Konti Ciano dha “garanci” të paspecifikuara.

Në Londër, Ambasada Italiane tha se një shkelje e tillë e marrëveshjes Anglo-Italiane ishte e përkohshme dhe se trupat Italiane do të tërhiqeshin nga Shqipëria sapo trazirat të përfundonin.

Forcat italiane u instaluan në këto katër vende: Sarandë, Vlorë, Durrës dhe San Giovanni Medua (Shëngjin), ndërkohë 400 aeroplanë mbikqyrnin nga ajri.

“Nuk pati ndonjë rezistencë domethënëse përveçse në Durrës ku tentativat e bandave për të rezistuar u thyen menjëherë”- u shpreh qeveria. Nga Durrësi, trupat tona filluan marshimin në brendësi të vendit.

Në një shkrim tek "Il Giornale d’Italia", Virginio Gayda, i cili përkrah vazhdimisht Mussolinin, pohon se Mbreti Zog i kishte kërkuar Italisë « ndihmë dhe mbrojtje dhe gjithashtu të vendoste trupa ushtarake në disa vende të Shqipërisë ».

"Por në minutën e fundit qeveria italiane kishte arritur të kuptonte që trupat e saj ushtarake do t’i shërbenin Mbretit Zog vetëm për një sulm të çmendur ndaj Jugosllavisë, me qëllimin e dukshëm për të turbulluar marrëdhëniet e qeta dhe miqësore të Italisë me Jugosllavinë".

Gayda shprehet se refuzimi i kërkesës së Mbretit Zog nga ana e Italisë shkaktoi "kryengritje të dhunshme" nga ana e mbretit dhe ndjekësve të tij, gjë që u shpreh me provokime dhe dhunë kundrejt shtetasve italianë që jetonin në Shqipëri dhe atyre drejtuesve shqiptarë që dyshoheshin për miqësi me italianët.

Qeveria italiane - thotë ai -i bëri thirrje Zogut t’i njohë kryengritjet e të sqarojë situatën që ishte bërë e patolerushme dhe të "japë garanci për italianët dhe shqiptarët".

Italia hyri në Shqipëri-shkruan Gayda-"jo me qëllimin për të dominuar duke nënshtruar" por me "një ndjenjë të thellë respekti" për shpirtin e popullit shqiptar, zakonet dhe nevojat e tij.

Ai zotohet për bashkëpunimin e Italisë "për të ndihmuar shqiptarët përgjatë rrugës së progresit".

Burime gjysëm-zyrtare nga Tirana thanë se Italianët që zbarkuan në brigjet e Durrësit u smbrapsën dy herë nga patriotët shqiptarë, ndërsa në Vlorë pasi ia dolën të zbarkojnë, u ndeshën me rezistencën e ushtarëve, xhandarëve dhe vullnetarëve shqiptarë.

400 aeroplanë italianë patrulluan nga ajri me urdhrin të mos bombardojnë qendrat e banuara dhe të "kursehej popullata".

Aksionet ushtarake të Italisë u pasuan nga negociata javore mes Italisë dhe Shqipërisë, ku Italianët u shrehën se synonin në përforcimin e aleancës ushtarake, ekonomike dhe politike me Shqipërinë.

Kishte zëra se okupimi ushtarak erdhi si pasojë e dështimit të Mbretit Zog për të pranuar kushtet e Italisë në një kohë të kufizuar që skadoi mbrëmë (6 prill, ’39).

Një agjensi franceze lajmesh « Havas » e vendosur në Tiranë njoftonte se parlamenti shqiptar në mënyrë unanime refuzoi ultimatumin italian, ndërsa avionët luftarakë italianë fluturonin mbi parlament duke hedhur trakte me shënimin :

"Shqiptarë ! Trupat italiane që po zbarkojnë sot në tokën tuaj janë trupat e një populli që ka qenë miku juaj ndër shekuj dhe ka dhënë prova për këtë. Mos shfaqni rezistencë se ajo do të thyhet. Mos dëgjoni qeveritarët që ju kanë varfëruar dhe që tani mund t’ju çojnë drejt gjakderdhjeve. Trupat e Madhërisë së Tij, Mbretit-Perandor të Italisë, po vijnë dhe do të qëndrojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të rivendosur rendin, drejtësinë dhe paqen.”

Mbreti Zog, thuhej nën zë, i vlerësoi kushtet e Italisë si tepër drastike dhe prandaj ai kishte kërcënuar me abdikim (heqje dorë nga froni) sesa të gjunjëzohej.

Nga Athina raportohej se Mbretëresha Geraldinë kishte kaluar kufirin grek.

E ardhmja për mbretin, i cili nga udhëheqës i fiseve të maleve u bë mbret, dhe dinastinë që ai shpresonte të ndërtonte përmes djalit të porsalindur, duket problematike.

Burimi: Biblioteka Kombëtare Québec.

©JetaDedja - Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.