Azilkërkuesit - Ambasadori i SHBA në Ottawa përgënjeshtron kryeministrin Trudeau
- Published in Kanada
Rinegocimi i Marrëveshjes së Vendit të Tretë të Sigurt nuk është prioritet për Washington-in
Në një nga daljet e tij shumë shumë të rralla në mediat kanadeze, David Cohen, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kanada, ka përgënjeshtruar indirekt kryeministrin Trudeau, për një nga temat e nxehta të politikës gjatë javëve të fundit, pikërisht fluksin e azilkërkuesve që hyjnë në vend përmes asaj që njihet si “Roxham Road”, çështje kjo që ka shkaktuar jo vetëm reagimin e ashpër të kryeministrit të Québec, François Legault, por edhe të shefit të opozitës në Ottawa, Pierre Polievre. Sipas ambasadorit Cohen, ndryshe nga sa deklaroi kreu i qeverisë federale kanadeze, rinegocimi i Marrëveshjes së Vendit të Tretë të Sigurt, një marrëveshje midis Kanadasë dhe SHBA për trajtimin e kërkesave për azil, nuk është një prioritet për administratën amerikane.
Sipas kësaj marrëveshjeje, të nënshkruar qysh para 19 vjetësh, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë bilaterale konsiderojnë reciprokisht se janë dy shtete strehë e sigurt ku persona nga shtete të tjerë mund të kërkojnë mbrojtje. Marrëveshja nënkupton që Kanadaja mund të kthejë mbrapsht refugjatët e mundshëm që paraqiten në vendkalimet zyrtare të kufirit tokësor mes Kanadasë dhe SHBA, me arsyetimin se ata duhet të paraqesin kërkesën e tyre në Shtetet e Bashkuara, vendi ku kanë mbërritur për herë të parë.
François Legault
Por meqenëse marrëveshja vlen vetëm për kalimet zyrtare kufitare, shumë refugjatë përdorin pika kalimi të parregullta, duke përfshirë të famshmen “Roxham Road”, që mbërrin në rajonin Montérégie, pranë Saint-Bernard-de-Lacolle në Québec, dhe kur ata hyjnë në territorin kanadez, kërkesa e tyre për azil mund të trajtohet nga autoritetet. Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga RCMP (Policia Federale Kanadeze), vetëm gjatë vitit 2022 në “Roxham Road” e kanë kaluar kufirin në mënyrë të parregullt 39,171 persona.
I ndodhur përballë kritikave të forta, kryeministri Justin Trudeau ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se modernizimi dhe aktualizimi i Marrëveshjes së Vendit të Tretë të Sigurt do të ishte një zgjidhje për të kufizuar fluksin e refugjatëve të parregullt dhe sipas tij, ky rinegocim “ka muaj, vite”, që ka nisur dhe po bëhet progres. Por gjatë një interviste akorduar emisionit “CBC's Power&Politics”, ambasadori i SHBA në Ottawa deklaroi qartë se askush në SHBA nuk do të konfirmojë se ka diskutime specifike rreth marrëveshjes në fjalë dhe “unë nuk do të jem zyrtari i parë amerikan që do ta bëjë këtë”.
Na ana tjetër, ambasadori Cohen pranoi se imigrimi i parregullt është një problem i madh për vendet perëndimore, përfshirë Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara, por sipas tij, “Roxham Road” është vetëm një simptomë e problemit. “Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë diskutimet produktive me Kanadanë rreth kësaj teme”, ka shtuar ai, duke kujtuar se çështja e imigrimit të parregullt ishte në qendër të Deklaratës së Los Angeles, një dokument i nënshkruar qershorin e kaluar me Kanadanë dhe rreth njëzet qeveri të Amerikës Latine për të kufizuar fluksin e imigrantëve të paligshëm në rajon.
Pierre Poilievre
“Roxham Road” është shndërruar tashmë në në një “patate të nxehtë” dhe ka nxitur shumë reagime, veçanërisht në Québec. Kryeministri François Legault ka ditë që adreson kritika publike ndaj qeverisë federale duke kërkuar mbylljen e këtij rrugëkalimi, madje para tri ditësh ai i dërgoi dhe një letër zyrtare kryeministrit Trudeau, ku theksonte se të gjithë ata që hyjnë në Quebéc nga ky rrugëkalim i improvizuar duhet të ridrejtohen për në provinca të tjera.
Mesazhit të François Legault iu bashkua dhe kreu i opozitës zyrtare federale, shefi i Partisë Konservatore të Kanadasë, Pierre Poilievre, i cili gjithashtu kërkoi të marten (21.02.) mbylljen e “Roxham Road” brenda 30 ditëve. Sipas tij, nuk ka nevojë të rishikohet Marrëveshja e Vendit të Tretë të Sigurt apo edhe të pezullohet, për të vendosur mbylljen “Roxham Road”.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press