Kanada

Statistics Canada: Një në gjashtë kanadezë viktimë e mashtrimit dhe 16 miliardë dollarë humbje në 5 vjet

  • Published in Kanada

Agjencia federale kanadeze e statistikave, Statistics Canada nuk i kishte pyetur kurrë kanadezët para vitit 2019 nëse ata kishin qenë viktima të mashtrimit. Pasi e ka bërë një gjë të tillë, ajo ka konstatuar se ky lloj krimi e tejkalon konsiderueshëm atë çka mund të dinë rreth tij organet e policisë, sepse të anketuarit kanë deklaruar se kanë qenë viktima të mashtrimit më shumë sesa të çdo lloj krimi tjetër gjatë 12 muajve para anketës.

Statistics Canada ka publikuar dje (24.07.) një seri të dhënash lidhur me këtë temë. Pyetjen në lidhje me mashtrimin e përjetuar nga të anketuarit, agjencia federale e ka bërë për herë të parë në Anketën e Përgjithshme Sociale 2019 mbi Sigurinë e Kanadezëve.

Sipas të dhënave në fjalë, mësohet se katër vjet më parë, numri i viktimave të mashtrimit, ose 2.5 milionë qytetarë (7.8% e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart), ishte më i lartë se numri i viktimave të të gjithë krimeve të dhunshme të kombinuar, përkatësisht agresioneve seksuale, grabitjeve dhe kërcënimeve, krime të cilat u përjetuan nga afërsisht 1.4 milionë viktima (4.3% e popullsisë).

Mashtrimi, në fakt, zë vendin e parë, respektivisht, para vjedhjes së sendeve personale, vjedhjes së objekteve shtëpiake, krimeve të dhunshme, vandalizmit, dhunimit të ambienteve private dhe vjedhjes së mjeteve motorike.

Nëse shkohet përtej 12 muajve të fundit para anketës, konstatohet se një në gjashtë persona (17% ose 5.45 milionë qytetarë mbi moshën 15 vjeç) kanë deklaruar se kanë qenë viktimë e mashtrimit në pesë vitet e mëparshme.

Kjo formë e krimit rezulton në rritje. Sipas të dhënave të policisë, numri i mashtrimeve pothuajse është dyfishuar në 10 vjet, duke shkuar nga pak më shumë se 87,000 raste në 2011 në më shumë se 168,000 në 2021.

Ndjenjë turpi për ta pranuar

Duket se të dhënat e Statistics Canada vetëm sa e e nxjerrin pjesërisht në pah ndjenjën e turpit që shoqëron faktin e rënies në grackën e mashtruesve, sepse dëshmojnë që policia sheh vetëm majën e ajsbergut.

Rezulton gjithashtu që Saskatchewan është provinca ku viktimat e mashtrimit i drejtohen më shumë policisë.

Ndërkohë, të dhënat dëshmojnë se viktimat kërkojnë më shumë të mbrojnë paratë e tyre sesa të niset një hetim, pasi dy të tretat (65%) e viktimave të mashtrimit e kanë raportuar atë në institucionin e tyre financiar dhe jo në polici.

Humbje prej 16 miliardë dollarësh në 5 vjet

Një fakt që vlen të përmendet është se shumica e viktimave nuk kanë pësuar humbje në vlera financiare.

Një në katër viktima ka humbur rreth 1,000 dollarë, por në 3% të rasteve humbja ka qenë të paktën 10,000 dollarë dhe 0,5% kanë humbur shuma që tejkalonin 100,000 dollarë.

Në një periudhë kohore prej pesë vjetësh, në total, humbjet e pësuara nga të gjitha viktimat e mashtrimit tejkalojnë shumën 16 miliardë dollarë.

Nesë shihen të dhënat sipas provincave, rezulton se Alberta ka patur përqindjen më të lartë të personave që janë bërë viktima të mashtrimit. Ndërsa provincat me numër më të ulët viktimash të mashtrimit, që varion nga 13% deri në 14%, janë provincat e Atlantikut dhe Québec.

Viktima të pasura dhe të arsimuara

Po cilat kategori personash janë viktimat kryesore?

Jo rastësisht, të ardhurat e larta shoqërohen me një rrezik në rritje për të qenë viktimë e mashtrimit: 13% e njerëzve me të ardhura nën 20,000 dollarë ishin viktima të mashtrimit në pesë vitet para anketës, krahasuar me 24% të njerëzve me të ardhura prej 120,000 dollarë ose më shumë. Nga ana tjetër, njerëzit me arsim universitar rezultojnë rreth 2.5 herë më shumë të raportojnë se kanë qenë viktima të mashtrimit, sesa personat pa diplomë të shkollës së mesme.

Autoktonët dhe frankofonët më pak të prekur

Personat me origjinë autoktone rezultuan se kanë një prevalencë më të ulët të mashtrimit në krahasim me joautoktonët. Hipoteza e Statistics Canada është që ky dallim mund të shpjegohet pjesërisht nga margjinalizimi socio-ekonomik i autoktonëve.

Në mënyrë të ngjashme, frankofonët kishin më pak gjasa se homologët e tyre anglofonë të ishin viktima të mashtrimit. Agjencia federale thekson se ky hendek është konstant edhe kur merren parasysh diferencat në të ardhura apo niveli arsimor.

Statististics Canada nuk ofron asnjë shpjegim për këtë situatë, por do të ishte e vështirë të përjashtohej mundësia që numri i përpjekjeve për mashtrim në anglisht në një shtet amerikano-verior si Kanadaja, të jetë më i lartë se mashtrimet e bëra në gjuhën e Molierit.

Vjedhje të dhënash personale

Nuk habit aspak fakti, që sipas të dhënave të policisë rezulton se numri më i madh i mashtrimeve bëhen me anë të kompjuterit (hacking, phishing, etj.) dhe se ky trend është në rritje. Mashtrimi me kartat e kreditit renditet i dyti, por është në rënie, ndërsa letrat me vlerë ose mashtrimi financiar, që është në rritje, renditet i treti.

Pothuajse në të gjitha rastet (90%) e mashtrimeve të raportuara, mashtruesit ia kanë dalë t’i vjedhin të dhënat personale të viktimave.

Edhe pse pothuajse gjysma e viktimave nuk e kanë ditur se si u ishin marrë të dhënat e tyre personale, ata që e dinin deklaruan: se karta e tyre e kreditit ose e debitit ishte klonuar ose kopjuar; se qasja në një nga llogaritë e tyre (llogaria në internet, llogaria e emailit) ishte hakeruar; se ata e kanë dhënë vetë informacionin; ose që informacioni është marrë si rezultat i zbulimit të paligjshëm të bazës së të dhënave ose rrjedhjes së të dhënave.

© Flasshqip me informacion nga The Canadian Press

Fotot: Getty Images/Istockphoto/Tero Vesalainen/Damir Cudic