Aktualitet

Kanadaja do drejtojë kontingjentin e përforcuar të NATO-s në Letoni

Grupimi ushtarak i NATO-s që Kanadaja drejton në Letoni do të përforcohet ndjeshëm për t'u shndërruar në një brigadë “e aftë për luftim”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme (29.06) e ministres kanadeze të Mbrojtjes Anita Anand nga Madridi, ku ajo dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau po marrin pjesë në samitin e vendeve anëtarë të Aleancës së Atlantikut Verior. Ndërkohë, Kanadaja do të vazhdojë ta komandojë këtë grupim, aktualisht i përbërë nga rreth 2,000 ushtarë nga 10 vende (Kanada, Shqipëri, Spanjë, Islandë, Itali, Mali i Zi, Poloni, Republika Çeke, Sllovaki dhe Slloveni), ka pohuar gjithashtu ajo në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e saj letonez, Artis Pabriks.

Pa përmendur ndonjë afat kohor, ministrja Anand nuk ka specifikuar se sa ushtarë nga vende të tjera do t'i shtohen këtij kontigjenti apo çfarë kontributi shtesë do të japë Kanadaja. Zakonisht, një brigadë përbëhet nga 3000 deri në 5000 trupa, por sipas saj Kanadaja dhe partnerët janë të gatshëm të sigurojnë mjetet e nevojshme për operacione luftarake, si municione dhe eksplozivë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe sisteme të armëve antitank.

Stërvitja e kontigjentit të NATO-s në Letoni, 8 mars 2022

Grupimi ushtarak shumëkombësh i prezencës së avancuar të NATO-s në Letoni është drejtuar nga Kanadaja qysh nga krijimi i tij në vitin 2017, tre vjet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Përforcimi i tanishëm po argumentohet me pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Aktualisht, rreth 700 ushtarë kanadezë shërbejnë në Letoni, mision të cilin Kanadaja tashmë ishte zotuar se do ta drejtonte deri në vitin 2023.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Transatlantike, Jens Stoltenberg, e konfirmoi qysh në hapjen e samitit të liderëve të vendeve anëtare të NATO-s faktin se tetë grupimet taktike të aleancës do të shndërrohen në brigade, për t'iu kundërvënë kërcënimit rus. Përveç Letonisë, këto grupime gjenden në Estoni, Lituani, Poloni, Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani. Të gjithë këto vende dikur ishin pjesë e bllokut Lindor, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.

Ndërkohë po dje, ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly njoftoi se Kanadaja do të hapë ambasada të reja në Estoni, Lituani, Sllovaki dhe Armeni. Ajo pohoi gjithashtu se Ottawa po diskuton me partnerët e saj evropianë, përfshirë Spanjën dhe Gjermaninë, se si të rrisë eksportet e energjisë.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Në foton kryesore kryeministri kanadez Justin Trudeau, presidenti i Letonisë Egils Levits dhe dy ministrat përkatës të Mbrojtjes, Anita Anand dhe Artis Pabriks.

Fotot: The Canadian Presse/Paul Chiasson; Getty Images/Paulius Peleckis