Discovery

Eklipsi ose mrekullia e errësimit diellor - Nga Burim Bardhari

Unazë diamanti, hijeshi hyjnore Hëna e re e padukshme… Si e dinin nënat e gjyshet tona ose stërgjyshet ilire se kur dilte hëna e re e padukshme? Errësimi i diellit mahnit shkencëtarët dhe poetët…                                                                         

Jeta është e shkurtër por e bukur dhe lulëzon befasimet jashtë politikës pallavratare, pavarësisht se kushdoqoftë Luli, Gjembi e Ferra, por vetëm nëse zgjohemi e zbulojmë se ka edhe gjëra tjera të rëndësishme përveç murmurimës së ujit nën urë (anglisht: ‘water under the bridge’) apo mokrës së mykur të mullirit mesjetar.

Një nga bukuritë më të dalluara mbarëbotërisht radhitet mrekullia e errësimit të diellit jetëmbështetës, saqë josh njerëzit ta ndjekin në botëbredhje kudo sepse ndodh rrallë, thuhet dy herë në vit, varësisht se ku bie rruga e mbulimit tërësor të hijes që mbulon vetëm një përqindshin e rruzullit tokësor.

Nëpërmjet errësimit diellor u vërtetua edhe Teoria e Relativitetit të Përgjithshëm e Ajnshtajnit se drita e yjeve lakohet ose shkencërisht ‘thjerrëzohet’ drita (anglisht: ‘lensing’) nga rëndesa ose graviteti kur ndeshet me yllin tonë shtëpiak.

Jo rastësisht, errësimi ose eklipsi diellor, mrekullon edhe shkencëtarët, por edhe poetët, sepse hëna për një periudhë të caktuar e ka gjetur mesin e artë që përputhtas mbulon aq sa duhet sipërfaqen e diskut diellor të largët, ngase e ka të njëjtën madhësi këndore me diellin dhe duke përvijuar breroren ose kurorën e flaktë rrethepërqark, sepse hëna është 400 herë më e vogël se dielli dhe 400 herë më afër se dielli. Ne kemi fatin e dëshmitarit historik, por për afat të kufizuar, sepse hëna largohet nga ‘kyçja valore’ me tokën amë rreth 4cm në vit dhe përfundimisht ndoshta do të zhvendoset nga mesi i artë dhe nuk e dimë nëse do të rikthehet.

Mirëpo ajo që ne cilësojmë si Hëna e re është e padukshme, sepse hëna gjatë rrotullimit hapësinor gjendet në rreshtim mes diellit dhe tokës dhe anën e ndritur afërmendsh e ka të kthyer nga dielli, kështuqë pjesa e prapme përballë tokës është e errët. Atëherë si e dinin nënat tona dhe para tyre stërgjyshet ilire, se kur ishte hëna e re, ngase nuk duket derisa vizaton kreshtën e sapolindur? Mund të hamendësojme se i numëronin ditët sidomos nga pika e hënës së plotë, që njihet edhe si ‘hëna pesëmbëdhjetë’, sepse brenda dy javësh hëna e sapolindur ndriçon fytyrën e plotë të rrumbullakët dhe dy javë të tjera merr kur zbehet.

Përveç bekimit shkencor të matematikës si gjuhë e gjithësisë ngase ashtu u zbulua edhe planeti i fundit Neptuni në vitin 1846, kur ende nuk kishte teleskop e pajisje të tjera pamëse që të vëzhgohej pamohimthi si sot errësimi i diellit nga hëna e re, ndonëse errësimi nuk ndodh 12 herë në vit dhe duhet theksuar se as në lashtësi të parët tanë nuk e vëzhgonin errësimin e diellit me sy të pambrojtur, por tërthoras me vegla të stisura shkaku i rrezikut nga verbimi.

Rrjedhimisht, si pasojë e zhdukjes së diellit jetëmbështetës sundon errësira dhe frika nga e panjohura ose fundi i botës që njohim sot, pasiqë ende nuk kemi kolonizuar planete të tjerë, prandaj shkenca vihet në shërbim të njeriut për të zbuluar të panjohurat dalëngadalë.

Egjiptianët e lashtë përfitonin nga ‘solstici ose diellpushimi veror’, sepse ylli ynë i dytë Syriu i njohur për periudhën e vapës si ‘djegaguri’ (anglisht: ‘the dog star’), shkrinte dëborën e bjeshkëve në Etiopi që shkaktonte fryrjen dhe vërshimin e lumit Nil dhe natyrisht ndihmonte ujitjen e drithërave. Ilirët njëlloj adhuronin diellin hyjnisht, si burimi kryesor i energjisë ngase yjet i gatuajnë grimcat atomike të 26 elementëve kimikë, që nga hidrogjeni e deri te hekuri.

Abëcëja e gjithësisë, gurët e ndërtimit natyror të lëndës së ngurtë, por edhe lëndës gjallesore, shpërndahen nga shembje shpërthimi i yjeve si dielli ynë,  duke ‘mbjellur’ e ngjeshur farën parësore të protonit të Hidrogjenit për  mpiksje të elementëve të tjerë kimikë si heliumi, oksigjeni e karboni jetik ‘666,’ urtësisht duke filluar me gazin e lehtë (njëshi ose njëpika) deri të elementët më të rëndë si hekuri, dhe më pas me përplasje të yjeve vetmorë ose binjakë, bashkangjiten edhe elementët e tjerë më të rëndë si bakri e ari.

Sa për larmi trajtimi, le të përmendim edhe rrëfimet biblike se ditën e kryqëzimit të Krishtit kishte ndodhur errësimi i diellit në pasdite të errët (duke simbolizuar ‘përmbytjen e fundbotën’ por pasojësisht edhe rilindjen e ringjalljen për shpëtim shpirtëror parajsor ose për vazhdimësi qarkore), ndonëse sipas shkencëtarëve astrofizikanë kumtohet e kundërta, se gjatë Pashkës hebraike ka patur hënë të plotë që mund të përkojë me errësim të hënës së skuqur në datën 3 Prill, të premten e vitit 33 të kryqëzimit dhe jo errësim i diellit, por gjithsesi errësim. 

Si përfundim, vëzhgimet e tërthorta shkencore janë pishtar ardhmëritar i njeriut kërkues, sepse njeriu nuk mund të rritet pakufishëm sa ylli në qiell që t’i prekë me sytë e dëshmitarit të gjitha dukuritë por edhe me matematikë, logjikë e filozofi, ndërsa për zemrat romantike mund të përfitohet nga unaza e diamantit qiellor për propozim fejese ose të rikujtohen çiftet e vjetra t’i ripërtërijnë betimet martesore.

©Burim Bardhari