I vdekur, pa varr - Tregim nga Ilir Gjini

Tregim i jetuar
Ishte fundi i Gushtit. Vapa përvëluese, shoqëruar me një duhmë ajri të nxehtë, ngrihej nga kalldrëmet e gurta të qytetit dhe futej brënda shtëpisë sime, sikur donte të më merrte frymën. Ishte ditëlindja ime e katërmbëdhjetë. Nëna po përgatiste kekun tim të preferuar, ndërsa unë i rrija mbi kokë me padurimin që ta mbaronte shpejt. Papritmas kërciti porta e hekurt. “Erdhi Ifi”- thashë me vete.
Ajo nuk harronte kurrë ditëlindjen time dhe gjithmonë vinte duarplotë. Me vrap shkova në avlli. Por, në vend të saj pashë postierin plak që nxorri nga çanta e tij prej lëkure, një zarf me katër vula. Ishte një thirrje për mua nga Dega Ushtarake. Me duart që më dridheshin nga emocioni, hapa letrën, ku lexova se tani isha “Paraushtarak” i Partisë e Atdheut. Duhej të paraqitesha pas dy ditësh para komisionit ushtarak…
Në një dhomë të ngushtë të Degës Ushtarake që ndodhej në pazarin e vjetër të qytetit, ishim të ngucur si sardele rreth 50 djem, që duhet të dilnim para komisionit, si ushtarë të devotshëm të atdheut tonë socialist. Unë qëndroja afër Ladit, shokut tim të ngushtë të fëmijërisë. Ladi ishte një djalë çapkën që merrej me cirk dhe unë e kisha zili për trupin e tij muskuloz të ngjashëm me Paridin, heroin tim më të dashur të filmit “Helen of Troy”.
Zhurma hokatare fëminore u shua, njësoj si cicërimat e zogjve kur ne godisnim mbi ta me llastika, kur një zë autoritar thirri: “Qetësi!” Ishte kapteri Harilla. Sytë e tij zhbirues, si dy gozhdë të mprehta, përshkuan sytë tanë të brishtë. “Hiqni rrobat!” Të shtangur dhe të hutuar, hoqëm ngadalë pantallonat e shkurtra dhe bluzat tona kineze me lule. “Të gjitha, edhe mbathjet”- ushtoi zëri i tij. Me ngadalë hoqa të mbathurat dhe mundohesha të fshihja me duar kërmillin tim të vogël mashkullor, por s’qe e thënë.
“Iiiii sa të vogël e ka”- po më qësëndiste një djalë në krahun tim, që fitoi vëmendjen e të tjerëve. Ha, ha,ha, shpërthyen disa të qeshura. Por qesëndisja i ngriu në buzë, kur Ladi bëri një hap para tij. Kraharori i kërcyer muskuloz i Ladit gati sa nuk e preku në fytyrë. “Ti po tallesh me shokun tim?” “Jooo, po bëja shaka”- tha qesëndisësi im ndërsa uli sytë me frikë. I çliruar, unë po shihja me kureshtje Benin, teksa po hiqte të mbathurat. Beni ishte sportist. Hedhës i gjyles. Ai ishte shumë më i gjatë dhe i shëndetshëm. Kur pashë me bisht të syrit përmasat e kërmillit të Benit, u lehtësova. “Paska edhe më keq se unë.” – mendova. Por, asnjë nuk guxonte të qeshte me të, siç qeshën me mua.
“Në rresht”- ushtoi zëri i Harillas. Në rresht, lakuriq siç na kish bërë nëna, kaluam para komisionit, ku veç katër ushtarakëve me uniformë, qe edhe një mjek që na kontrollonte rrahjet e zemrës me stetoskop. Lakuriqësinë që tani ia fshihja edhe nënës, duhet ta shfaqja para këtyre burrave të huaj. Kurrë nuk e kuptova, pse duhet ta bënim atë parade ushtarake pa brekë.
Pasi mbaruam punë me komisionin, u paraqitëm te zyra e kapterit Harilla. Erdhi radha ime. Pasi më pyeti për adresën dhe prindërit e mi se ku punonin, zëri i tij autoritar ushtoi: “Keni ndonjë të afërm të dënuar nga Pushteti Popullor?” “Jo!” - u përgjigja unë. “Po ndonjë të afërm të pushkatuar nga Pushteti Popullor?” Faqet mu skuqën dhe aktrimi im fëminor më tradhëtoi teksa mërmërita “Jo!”.
Sytë i mbaja të mbërthyer poshtë te disa dosje të trasha të lidhura fort me lidhësa, që gjendeshin mbi tavolinë. “Nuk duhet të gënjesh”. “Më shiko mua”- gjëmonte toni i tij autoritar. Djersë të ftohta më mbuluan ballin. Ngrita sytë ngadalë. Sytë e vegjël vezakë të kapterit, lëshonin mbi mua një fluks torturues shikimi. Në shkollë më kishin mësuar se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Diçka nisa të belbëzoj nëpër dhembë kur një ushtar u afrua dhe më zgjati një uniformë ushtarake. Duhet të dalësh në fotografi më tha. Po ecja si në gjemba pas ushtarit, kur më përmendën të qeshurat e shakatë e Ladit: “Të shkon uniforma, dukesh si Velo partizani”.
Kur mbarum, Ladi më qerasi me një kulaç 5-lekësh që duhet të kishe gozhdë në vend të dhëmbëve për ta përtypur, ngaqë kish qëndruar me muaj pa u shitur në dyqan. Por, çuditërisht edhe te kulaçi i vogël unë shihja sytë vezakë të kapterit. Ladi më shkundi nga supi dhe të dy vrapuam për te pema jonë kalendar ku “shkruanim” datat e shënuara. Aty gdhendëm me biçak emrat tanë dhe datën. Si për çudi edhe te trungu i shelgut, pashë sytë vezakë të kapterit dhe mëndja më shkoi te dajua im i vdekur.
Unë e dija që ai qe pushkatuar në moshën 19-vjeçare, ndërsa kryente shërbimin ushtarak në Korçë. Këtë fakt e kisha mësuar dy vite më parë. Një krushqi e motrës sime qe prerë në mes. Familja e dhëndërit të ardhshëm kish mësuar se ne kishim një dajo të pushkatuar nga pushteti. Unë isha atje kur një gjyq familjar iu bë nënës time. Sytë autoritarë të babait qenë si të kapterit Harilla, teksa nga nëna ime kërkonin pse ia kish fshehur këtë herezi. Nëna gëlltiste lotët dhe mundohej shumë t’i fshihte, por ato u fiksuan në memorien time fëminore, si gjurmët që tehu i thikës la, kur emrat mbi trungun e pemës gdhendëm. Nënën time e adhuroja më shumë se idealet e socializmit, që mësuesit tanë aq bukur na i shpjegonin në shkollë.
***
U duk sikur sita e kohës e harroi historinë e dajos së pushkatuar. Por jo, ajo do më ndiqte pas si hije. Njësoj si sytë vezakë të kapterit. Kur përgatisja kërkesën për të konkuruar në Akademinë e Arteve, duhej të sqaroja edhe biografinë. Kjo biografi më privoi edhe në vitin ‘86, kur si pjesë e ansamblit “Çerçiz Topulli” m’u dha mundësia për të dhënë koncert në Greqi. Pas shumë orëve përgatitje nga kërcimtari brilant Enver Birko, na u komunikua lista. Mungonte emri im, i Andon Tunit, si dhe një vajze nga Derviçani që ishte mbesa e priftit të fshatit. Andonin e hoqën pas një letre anonime ku paraqitej si “Don Zhuan”. Mbesën e priftit edhe pse qe trup lastar dhe kërcente si shtojzovalle, nuk mund ta linin të përfaqësonte fshatin.
Zemër thyer u ktheva atë ditë në shtëpi. As dy lugë supë që më ofroi nëna nuk munda t’i gëlltisja. Im atë, ndjeu dëshpërimin tim. E la bukën në mes dhe shkoi për t’u ankuar tek Refati. Ai ishte Kryetari i Këshillit të lagjes, komunist, por një burrë i ndjeshëm. “S’e ke nga unë”- i tha ai. Të ka spiunuar gjitonia. Babai im, e merrte me të mirë dhe i bënte rripa ore pa shpërblim. Një komshia jonë kishte spiunuar. Krahas dajos së pushkatuar, ajo kishte treguar edhe për një hallë të babait, me të cilën gjyshja ime vazhdonte korrespodencën. Ajo qe arratisur në vitin ’45. Kështu u privova nga ëndrra për të parë botën.
***
Në vitin ’90, isha ende student dhe u përfshiva në lëvizjen studentore. Koha kish bërë punën e vet dhe unë as që e kujtoja më kapterin Harilla, i cili më kishte masakruar në brishtësinë time fëminore. Por nuk qe e thënë ta harroja! Një shoku im i fëmijërisë më kërkoi një nder 3 vjet më pas. Shokun tim, e kishin caktuar në Kukës për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Qe pikërisht ai që dikur më qësëndiste për “kërmillin” tim të vogël. Tani më lutej që ta ndihmoja që shërbimin ushtarak ta kryente në vendlidje.
Shkova për te Dega Ushtarake që tani ndodhej në lagjen e poshtme të qytetit. Ushtari te trau i shërbimit sapo më pa mori qëndrimin gatitu. Ai e dinte që unë isha miku i Eqeremit, kryetarit të tanishëm të Degës, një ish i persekutuar i regjimit komunist. Me mirësjellje ushtari më prezantoi te Harilla, kapteri i dikurshëm. Pikërisht ai kapter që dikur më terrorizonte për dajon tim të pushkatuar, tani ishte gjithë mirësjellje për të më shërbyer. E njëjta zyrë dhe unë sërisht përballë tij. Për një çast m’u kujtua Ladi, fëmijëria ime. Sytë e mi fshehën lotët dhe si gjëmba u ngulën në sytë e tij të habitur!
“A keni ndonjë të pushkatuar”- e pyeta. Vështrimi im sfidues, mund të shponte edhe muret prej beton-armeje të godinës, e jo më sytë e plogët të Harillës. “Vërtet s’më mban mend?”- i’u hakëreva me një ton imponues. Harillës i’u skuqën faqet, ndërsa kombi në grykë i tundej si lavjerës ore sa lart poshtë. Djersët i mbuluan ballin e ngushtë që dukej sikur protestonte, ngaqë tani në vend të yllit mbante një kapele me shkabë bronxi. Por, në atë kohë, Eqeremi, kryetari i Degës Ushtarake hyri në zyrë dhe më përqafoi. Pasi mbarova punën e shokut tim, para hyrjes së Degës rrinte si ushtar i bindur Harilla. Jo si dikur, me vështrimin e tij zhbirues. “Më fal”- më tha. “Unë isha një ushtar i bindur i sistemit”. Sytë e tij gati të mbushur me lotë, më sollën në mendje nëpunësin e Çehovit që kish teshtirë në supin e eprorit të tij. “Largohu prej meje ti vemje e së kaluarës”- i thashë. “Nuk kam ndërmend të hakmerrem me ty”.
***
Ishte Gushti ‘94. I kisha dhënë fjalën e burrit nënës time, se eshtrat e vëllait të saj, do t’i gjeja. Ato meritonin një varr. Pas shumë peripecive, gjeta një dëshmitar të vlefshëm. Ai kish qenë shoku i tij i ushtrisë që qe i detyruar të shkrepte mbi dajon tim, Pavlin, një breshëri automatiku. “Amanet Nënën, mos ma prekni” dhe sytë e Pavlit të zgurdulluar nga frika para skuadrës së pushkatimit, e përndiqnin shpirtin e egzekutorit që nuk gjente paqe.
Bashkë me ekzekutorin e tij u nisëm drejt Korçës. Por, pikërisht te vendi ku qe mbuluar shpirti i Pavlit, tashmë qe ndërtuar një kompleks pallatesh. Nëna ime, që tani nuk kishte frikë të qante, nxorri nga gjiri një shami të tij që fshehur e ruante prej vitesh. Grisi një copë prej saj dhe një tufë trëndafilash lidhi. I hodhi në erë, si batareja e krismave që i mori jetën. Ky ishte Pavli 19-vjeçar, i riu që nuk mundi të kishte një varr! Regjimi të dënonte edhe pas vdekjes. Në varrin bosh që nëna hapi për eshtrat e tij, unë mbolla një rrënjë ulliri.
Toronto, Qershor 2020



