Krijimtari

Anna e paturpshme - Tregim nga Sami Milloshi

Anna është një grua e çiltër, aq e çiltër sa po të mos tregosh vëmendje për çka të thotë, mund t'i ngjitësh krejt gabimisht edhe nofkën " naive" ose, edhe më keq, "e pacipë".

Sot, në një nga ato rrëfimet e mëngjezit, kur ne i tregojmë njëri tjetrit lajme vetjake nga nata e shkuar, domethënë çaste kur ne nuk ndodhemi bashkë në punë, Anna po më tregonte dialogun mëngjezor që kishte bërë me të shoqin, Frankun.

Franku kishte dashur t'i tregonte skedulën e takimeve të punës së tij ditore, me gjasë për t'i bërë të ditur Annës se sa i zënë do të ishte gjatë ditës. Por, Anna, e sikletosur që në zgjim me dy vajzat e vogla, ia kishte prerë Frankut shkurt:

-Ma shkruaj në email skedulën. Siç e sheh, jam tepër e zënë tani...

-Anna, kjo është e pabesueshme. Ti, çdo gjëje po i jep një natyrë virtuale. Nuk bën kështu. Dhe, të ta them copë: kjo është e turpshme për të dy, së paku për mua, në mos qoftë edhe për ty...- i qe gjegjur Franku...

Por Anna kishte parë skedulën e saj ditore. Që nuk ishte më pak e ngjeshur se e Frankut. Ajo kishte futur vajzat shpejt e shpejt në makinë, i kishte lënë ato në kopështin ditor prej nga ku do t'i merrte në pasdite dhe kishte nxituar për në punë.

Ishte e sigurt që ajo e priste me kureshtje se çfarë do t'i thoja unë për dialogun që kishte bërë me Frankun. Por unë, zakonisht iu bëj bisht çasteve kur më grishin të bëhem gjykatës, megjithse e dua për vdekje drejtësinë.

Zgjodha t'i tregoj Annës një nga ato historitë e mia të rinisë, kur unë kisha bërë diçka "të turpshme", sa për ta përmendur atë fjalën që kishte thënë Franku atë mëngjes.

Një shoqja ime e gjimnazit, Maria, i thashë unë Annës, një ditë kishte veshur një fustan pak të shkurtër.  Minifund kishin filluar ta quanin atë veshje aty nga fundi i shekullit të kaluar. Marias i dukeshin gjunjët e bardhë si dëbora. Dhe unë, me thënë të drejtën, nuk po ia vija veshin çfar po thoshte mësuesi i matematikës në orën e mësimit, por ia kisha ngulur sytë gjunjëve të bardhë të Marias. Mësuesi e pikasi që unë po e neglizhoja fjalën e tij dhe tha prerë:

- Hej, ti torollak atje, mbaje mendjen këtu tek unë, jo te gjunjët e Marias. Le që nuk ke faj ti, xhanëm, fajin e ka kjo, (dhe drejtoi gishtin nga Maria e gjorë) që ka veshur një fustan kaq të shkurtër sikur do shkonte në ndonjë paradë mode, jo sikur do vinte në shkollë. Dhe kjo është, e turpshme, tha mësuesi, duke e rrokjezuar fjalën "e turpshme"...

Marias iu skuq fytyra dhe iu bë si shegë, uli kokën, por nuk tha asnjë gjysmë fjale... Dukej që u mërzit shumë dhe shkaku isha bërë unë duke ia përkedhelur gjunjët me vështrim si i pacipë.

-Për një fustan mbi gju e përmendi mësuesi yt fjalën "turp"?!!- pyeti Anna gati e shastisur, sikur unë të vija nga ndonjë planet tjetër.

-Po, ama bëhej fjalë për gjunjë reale dhe jo për gjunjë virtuale. -thashë unë duke u përpjekur të isha në anën e së drejtës...

Annës i ndrinë sytë.

M'u duk sikur u bind se unë, më në fund, i dhashë të kuptojë se prirem ndaj botës së prekshme të gjunjve dhe as ia kam idenë dhe as që dua t'ia di për virtualen...

-Ti gjithnjë zhytesh në histori të shkuara- tha Anna. -Më thuaj ndonjë gjë të freskët, të besoj se jeton të sotmen dhe nuk je ndonjë relike muzeumi...

Si tha këto fjalë, e qeshura e saj i theu gjithë xhamat e kubikëve të qelqtë që pushtonin zyrat tona të punës....

-Ç'të të them Anna. Unë jam i vetmuar, ti e di. Dhe është kohë pandemie. Nuk është mirë të jesh i vetëm në kohë pandemie. Aq më tepër, nuk bën të vdesësh vetëm në kohë pandemie. Sepse askush nuk e merr vesh dhe, kjo po, është e turpshme...

-Nuk të ka vizituar kush këto ditë? - pyeti Anna.

-Po, ka ardhur djali. Dhe jam tepër i lumtur.

Mbrëmë, për shembull, para se të më mbylleshin sytë prej gjumit, i thashë vetes: "Edhe sikur të mos gdhihem i gjallë nesër, larg qoftë, nuk iki i vetëm, me turp nga kjo Botë . Ai do t’a marrë vesh i pari se m'u ndal fryma..."

Anna më nguli një vështrim me ato sytë e saj të mëdhenj si ulliri, vuri pëllëmbën mbi buzët e saj që nuk i dukeshin prej maskës, duke më dhënë një puthje virtuale miqësore.

Dhe tha:

-Por ti nuk do të ikësh, pa më treguar edhe mua se si të pushoi fryma...

-Të premtoj- i thashë Annës.

Dhe kështu Anna dhe unë i dhamë fund bisedës për turpet...

©Sami Milloshi