Vargje dimërore nga Vangjush Ziko

NGROHEM NË DIELL
Ndrit dielli i shkurtit
si diell gushti,
Dheu me akull mbuluar,
Drurët kërcunj dimri të shuar
që s'tymojnë,
Tatuazh i verdhë
mbi maskën time zezonjë,
Ngrohem nën këtë diell
duke pritur të çelë
aguliçja e pranverës.
PRES TË TROKASË DERA
Skeleti i panjës
veshur me dëborë
më kujton Llazarin
veshur me qefin,
që pret në guvë
t'i thërresin: dil!
Mbuluar me thinjët
e dimrit tim
pres të trokasë dera,
të thërresë dikush
(apo fati im):
Erdh pranvera!
Era jashtë
(as qan,
as ulërin),
fshin qetësisht
gjurmët
që la një varrim.
Zot,
hidhna sytë, Ti!
KJO DITË DIMRI
Me fenerin e solsticit në dorë
kjo ditë dimri
zbon blozën e natës,
shkel ngadalë
mbi plagët e ngrira të dheut
të zbulojë çelësin e artë
(nga vjeshta fshehur),
të hapë marsi
me atë çelës floriri
siparin e stinëve:
të zgjojë manushaqen
tok me aguliçen,
qershizën gjumashe,
hardhinë delikate,
kallirin e grurit të ri
(hambarin e bukës sonë
të përditshme)
mbuluar me çorgën e bardhë
të dimrit.
©Vangjush Ziko - 2021



