Krijimtari

E qeshura e dëbortë - Nga Faruk Myrtaj

Dy a tri orë pasi kishim këmbyer fjalë, dy tri orë pasi kishim qëndruar në dhoma të ndryshme dhe kur të dy mbase mendonim se dikush do duhej ta shkelte i pari vijën e bardhë midis, që pastaj të riktheheshim në gjendjen e pakmëparshme, pra kur secili nga ne, po pra edhe unë, isha në ngut, gati ta hidhja këtë hap midis por diçka kokëfortë brenda vetes më vononte, që andej nga dhoma ku ishte, AJO thjesht më kujtoi se do duhej të shkonim për të përtërirë Kartat e Shëndetit.

Nuk thashë “po, duhet shkuar”, as “po, le të nisemi pra” nuk thashë, por kurrsesi nuk shkova ndërmend të thosha “Jo”, as “jo tani…” që t’i të shfajësohesh për ato fjalë që the…

As ajo nuk shtoi fjalë tjetër, kur mund të thoshte se e kishte bërë atë që dikush nga ne do duhej ta bënte, kishte folur e para. Natyrisht jo që unë të besoja se ajo kishte pushuar së prituri ndjesën prej meje. Merrej me mend që faji ende endej në fjalët që unë dhe ajo kishim këmbyer.

Do duhej të ecnim nja njëzetë-tridhjetë minuta, për të arritur në ndërtesën ku lëshoheshin Kartat e Shëndetit, në mos edhe ca më gjatë sepse do na duhej të ecnim nëpër trotuaret me borë. Janë ato orët kur pastruesit e Qytetit ende nuk kanë shfaqur aftësinë e tyre maksimale. Dihet që detyrë e tyre është, ata do ta kryejnë pastrimin e borës prej udhëve të gjera, po, po, edhe prej trotuareve, edhe prej vend-parkimeve, edhe prej shesheve para njësive tregtare dhe këndeve të lojërave, kudo…ka kontrata të qarta paraprake për këtë. Sapo pushon bora e rëndë nis pastrimi i saj.

Megjithatë, duhet pritur pak. Kontrata është nënshkruar nga të dy palët, por janë ca gjëra në këtë jetë që duhet të bëjmë, që edhe pse do dëshironim, nuk shndërrohen dot në fjalë dhe nuk shkruhen dot aty, edhe pse në momente të caktuara, këto “vogëlsira” të lëna jashtë kontratave, bëhen edhe më të rëndësishme se çfarë është shkruar si më e rëndësishme në situatën fillestare, kur edhe njohja edhe mosnjohja ishin tjetër.

Po ecja pas saj, se kaq e ngushtë ishte pjesa e pastruar prej borës në trotuar sa vetëm njeri mund të ecte. Në ato momente mbase të dy i gëzoheshim pamundësisë për të ecur në krahë të njeri-tjetrit! Ajo kishte folur e para, unë kisha pranuar, por pa e shprehur falënderimin se kësaj here ajo kishte toleruar më shpejt, por le të ecnim edhe pak veç e veç, në këtë rast njeri pas tjetrit.

Bora ishte pastruar në tërësi, ende jo e tëra, pllakat në trotuar ende fshiheshin në të bardhë. Punonjësit e pastrimit do ktheheshin sërish, për të eliminuar pasojat e stuhisë boreale, por më parë duhej të shkonin sa më shpejt, më tej. Të gjithëve, secilit, kudo në këtë qytet të madh, do t’i duhej udha sado si e hapur, secili kërkonte të ishte i shërbyer në momentin më të parë të pushimit të reshjeve të borës.

Pak më tej, kthyem në një trotuar dytësor, nëpërmjet të cilit mund të dilnim më shkurt për te Qendra për Kartat e Shëndetit edhe pse pritej që shtresa e borës në të, të ishte më e trashë. Ende s’ishim të moshuar, por as aq të rinj si në vitet e parë emigrantë në këtë truall të dëbortë, por po ata mesdhetarë që ende besonim si andej nga vinim, se dëbora binte veç majë maleve larg.

Këtu, në North America ishte tjetër, edhe ne tjetër ishim pas kaq vitesh, na duhej t’i shkundnim hera herë këpucët dimërore duke i përplasur ato diku që të bënim përpara më lehtë, por të rrëfesh për borën nuk është e njëjta gjë me të çash përmes saj. Frymëmarrja na shpeshtohej, ca më shumë mua që mezi e prita momentin kur mu dha të thosha:

"Epo hajde ta mendoje Milo Riskën të ecte në mes të borës pas Tirto Botës!"

Milo ishte babi im, Tirto ishte nëna e saj, të dy bërë me kohë për ndjesë paçin…

Ajo, ime shoqe, ndaloi. U kthye pas, për nga unë. I ndritnin sytë. Uli kryet dhe iu dorëzua një të qeshure që aq shumë dëshiroja ta shfaqte, sa më shumë herë të qeshte asisoj doja. Po qeshte me zë të lartë, e tëra, e ndjeja deri në qelizën më të fshehtë në këto momente, kur ajo gëzohej e plotë, ndaj ia krisa edhe unë së qeshurës, pas saj e bashkë me të. Mbase më gurgullueshëm se ajo. As e kisha menduar sa gëzim dhe humor kishte mbartur ajo fjali që kisha lëshuar aq zakonshëm, në atë ajër ende të ftohtë midis.

E çfarë pastaj se ishim në rrugë dhe jo në shtëpi? Çfarë se Milo, im atë dhe Tirtua, nëna e saj, s’na e kishin për borxh t’i merrnim nëpër goje qindra mijëra kilometra larg prej vendeve ku preheshin?

"Po ç’kusur kishte babai yt të ecte pas Tirtos sime?!” e tori të qeshurën ime shoqe. “Të kishe thënë pas Ditmir Botës, hajde de!"

"Ditmiri yt do ta bënte si detyrë, se… ç’do bënte tjetër?! Pas Tirtos do ecte, si puna ime pas teje! Për tim atë merr vlerë speciale metafora, merr kuptim edhe që unë e gëzoj këtë liri në vend të tij!"

Për minuta të tëra, më tej, si në pafund, vazhduam të ecnim nëpër borë dhe të qeshnim, me zë dhe me lot. Dukej sikur ato dy-tri orët e qëndrimit veç e veç, në dhoma të ndryshme, kërkonin revanshin.

Nuk dihej se gjer kur do vazhdonim kështu, si shpërbërë prej së bardhës së borës dhe si të krisur prej ajrit të ftohtë, por dikur vumë re se na u drejtua një grua, që kalonte aty pari.

Na bëri me shenjë, si dikush që kërkon një lloj ndihme.

Ne ndaluam hapin. Pastaj edhe të qeshurën. Për ta dëgjuar atë zonjë, megjithëse nga paraqitja nuk dukej se mund të priste ndonjë lloj ndihme nga ne.

“Kaq kohë që s’kisha dëgjuar njeri të qeshte kështu…! Lumë ju!"

I tha ajo këto fjalë. Ne e dëgjuam, të dy. Ime shoqe pa nga unë, pastaj iu afrua asaj, e falënderoi, e përqafoi tjetrën, pështeti për një çast kryet në supin e saj: “Faleminderit, zonjë…!”

“Duhet t’ju them unë Faleminderit Juve…”, e ktheu ndjesinë zonja.

Vazhdoi të na vështronte po aq gëzueshëm, a thua ne ia kishim ofruar ndihmën ende të paartikuluar nga ajo. Pastaj preku me duart e saj duart e sime shoqe dhe vazhdoi rrugën.

Në të vërtetë i ktheu edhe nja dy herë kryet për nga ne, si për tu bindur se ishim prej vërteti. Po aq e vërtetë ishte se edhe ne, të dy, nuk e kontrolluam dot epjen të vërenim ngazëllimin e saj për të qeshurën e rralluar të njerëzve të kësaj bote të cilës i takonim njëherazi.

©Faruk Myrtaj