Halla - Tregim nga Sami Milloshi
Ndër shtëpitë e pakta të katundit, për të cilën thuhej se po të shkoje për mik nuk të hanin morrat ishte shtëpia e hallës sime.
Shtëpia vetë nuk qe kushedi se çfarë. Njëkatëshe prej guri dhe me çati prej rrasash. Ama shtëpia e hallës na bënte krenarë: nuk kishte morra.
Unë hallën e doja dhe e dua shumë sepse mbante të njejtin emër që kishte mëma. Por kur e mori vesh gjithë Shqipëria se pse ishte e famshme halla, e desha edhe më shumë.
Si e mori vesh Shqipëria se halla qenkej pastërtore e madhe kjo mbeti enigme. Po thonë se këtë e bëri të ditur Todi.
Todin e çoi tek shtëpia e hallës im atë. Todi ishte i madh. Domethënë kishte zyrë të madhe.
Todi shkruante në gazetë.
Kur hyri Todi në odën e miqve halla e vuri në qoshe të oxhakut. I poqi një kafe dhe kur ia dha filxhanin në dorë i tha:
- Mer se t'ka pru Zoti. Ç’kjo shpaj asht e t'zotit ene e mekut.
Todi nuk mori vesh asgjë, por im atë ia shpjegoi fill e për pe kuptimin e dialektit.
Pastaj Todi pyeti:
- Po ku është i zoti i shtëpise?
- Ka shku në mal. Asht t'u çelë nji gropë gërqelje se don me ia shtu nji odë konakut - tha halla.
Erdhi koha e darkës.
- Jam i uritur - tha Todi.
- T'i baj motra petllat tahé. Petlla me tlyn. Edhe nji tas me kos Macukulli e të zajë xhumi rahat!
Todi i llupi petullat.
Kur erdhi koha me fjetë halla shtroi dyshekun në qoshe të odës. E mbuloi me çarçafët e bardhë si bora dhe me një sixhade të leshtë që e kishte thurur vetë.
Në anën tjetër të oxhakut halla i shtroi dyshekun të vëllait dhe tha:
- Or Hamit, t'pastë motra, ty nuk të ngel hatri se t'kam shtru dyshekun me kashtë. Mekut ia kam shtru at me pamuk...
Hamiti vuri buzën ne gaz dhe tha:
- Të kam si dritë!
Pastaj Todi u bë kurioz se e pa që kishte një lloj hierarkie në zgjedhjen e cilësisë së dyshekëve dhe pyeti:
- Po i zoti i shtepisë ku fle?
Hallës nuk i pelqeu kjo pyetje, megjithatë, i ftoi të dy, të vellain Hamitin dhe Todin t'u tregonte ku flinte i shoqi.
Ishte një kthinë e vogël në krye të shkalleve me një krevat prej druri që e kishte gdhendur vetë i zoti i shtëpisë.
- Ky asht krevati i Hasanit, i t'zotit të shpajs që ka shku në mal me qit gërqelen për konakun - tha halla.
- Çfarë ka brenda dysheku? - pyeti Todi.
- Ka lesh rudë - tha halla.
- Këtu dua të fle unë - tha Todi.
- A e nigjove, or vlla? - iu drejtua halla Hamitit.
- Po - tha Hamiti - dhe një tis mërzie ia mbuloi fytyren.
- Or mek, aj dyshek asht veç për t'zotin e shpajs. Veç për Hasanin tim.
Taj ke me fjetë n'at dyshek kur ta shofësh me seun tand majën e veshit...
Hamitit i qeshën sytë. E mori ne grykë të motren dhe i tha:
- Të kam motër të mirë, më e mira në botë.
Todi fjeti aty ku ia kishte shtruar dyshekun halla.
Pas një jave Todi shkroi në gazetë një përshkrim dhe e mburri hallën për pastërtinë dhe për petullat e Macukullit...
Por, Todi nuk përmendi as gjysmë fjale se çfarë i tha halla kur i foli për dyshekun e të zotit të shtëpisë...
Halla u bë edhe më e famshme në katund, jo vetëm se në shtëpinë e saj nuk kishte morra, por sidomos për përgjigjen që i dha Todit...
©Sami Milloshi



