Krijimtari

Askush si gjyshja - Nga Flurans Ilia

Askush nuk më ka dëshmuar ende

apo dëshmoi për orët gjatë leximit

në shkallaret e gurta të Apollonisë

Ndjesi e shqepur e kolonisë

Polisi

teatri

dhe një plis

Pazari i gjësë së gjallë

Lëkurë kafshe

Koka e dashit

me të cilën veshin brirët

poetët gjuetarë

murit të Agorasë

Arrati bisedat e gjyshes

mes-4-mureve

vëzhgon syri i fëmijës

gollovezhgën e vezës

në xhezvenë e cingos

ZIEN

(armën e saj) kafe përzier me elb 

fshehur në fletët e një ditari

djeg fjalët e tepërta

si fiernat buzë Gjanicës

E veshur me të zeza

ngjyen krodhen e saj

në imazhin tim gjyshja

nga Lufta e Parë në Luftën e Dytë

nga faqja në faqe te «Lufta dhe paqja»

me pak vaj rigon e kripë 

në një pjatë (po) prej cingoje

nga një libër në tjetrin

kokrra e vezës

nga njëra gjuhë në tjetrën

gollovezhgën e çan me gjuhën e saj

si një Marlboro kontrabandë

ardhur nga perëndimi

nën syrin e Qiklopit

më prezantonte:

“Askushët” e fshehur

poshtë barkut të letërsisë

Tendosur e verdha embrionit

nga trajektorja e fjalëve

si ujëvarë - çaj mali

rrëkëllyer nga buza e filxhanit

zgjohej... Fieri

mëngjeseve i mbuluar

nga një tis toksik azotiku agnostik

Por ama në Seman,

mëngjesin e ditës tjetër

me bukën mbështjellë me gazetë

me Altinin, Bledin, Petrikën,

e çuna të tjerë të Lagjes “Liri”,

përpirë përfund bregut të tretë

bunkerë të vjetër shfaqen mbi det

qysh nga koha e Italisë

(me retorikë peshqish brenda vetes

gaforre të vockla ngrohen në kuvend

midhje të zeza kapur pas murit

po të ishim me fat,

ndonjë oktapod mavi i historisë

zgjaste tentakulat nga vrima e kuvlisë)

si librat, më thoshte gjyshja,

si librat e zhdukur

aradhë-aradhë - në radhë

në bibliotekën e djegur

të Aleksandrisë

©Flurans Ilia Shtator 2021