Krijimtari

Pas derës me ngjyrë loti - Nga Jeta Dedja

*Një tregim në mbështetje të personave që luftojnë çdo ditë me shëndetin mendor

Sipas adresës që i kishte dhënë një mikeshë, Eni i ra ziles së derës që mbante emrin e psikologes, aspak me entuziazmin e fëmijëve që mezi presin të thërrasin “trick or treat”, por me ndrojtjen dhe ankthin e dikujt kur hyn në një ambient të panjohur. Shtrëngonte çantën e vogël para gjoksit dhe hidhte shikimin si për të kërkuar ndihmë në rrugicën e qetë ku askush nuk po kalonte. 

Në sy i kishte mbetur ende një shtresë e hollë loti që ishte shpërndarë në krejt sipërfaqen. Dera nuk po hapej. Të lumturohej për këtë e të ikte nga kish ardhur, apo gishtat e saj kishin qenë aq të mprirë sa të mos e kishin shtypur mirë butonin e ziles.

Ishte në mëdyshje nëse duhej t’i fliste psikologes për trishtimin e saj, apo të shtirej e lumtur siç bënte zakonisht kur takonte miqtë apo familjarët e të tregonte thjesht ndonjë ëndërr si personazhi i një filmi që kishte parë dikur.

Ah, filmat, sa shumë filma shihte dikur, tashmë as ato nuk e kënaqnin më, i niste dhe nuk i bitiste. Rrinte në divan me sytë në ekran dhe as nuk e kishte mendjen fare. I vinte për të qarë, qante dhe bashkëshorti i thoshte “ah sa e ndjeshme je e dashur, edhe me këtë film qan?

Nuk kishte fuqi as të formonte një buzëqeshje pas kësaj fjalie, përkundrazi i vinte të qante edhe më shumë, të ngashërehej e t’i ulërinte atij me sa kishte në kokë. “Hej, plasi sytë, po qaj për jetën time!”

Po të ishte një film jeta e saj, njerëzit do thonin “Lum si kjo, çfarë fati” se nuk kishte një arsye madhore për t’u quajtur e trishtë nga dikush që do e shihte nga jashtë.

Njerëzit nuk duan të kuptojnë, mbyllin sytë, vendosin barriera të mbrojnë rehatin e tyre. Ja për shembull, bashkëshorti kishte frikë ta pranonte trishtimin e saj se thellë-thellë ndjente faj. Ai me siguri e mbante mend fytyrën e saj të hareshme plot interesa dhe kuriozitet për jetën.

Tani e shihte gruan të mërzitur, me kurriz të kthyer në shtrat edhe pse nuk flinte dhe bënte sikur gjithçka shkonte mirë.

“Sa mirë e kishin patur aristokratët kur flinin në dhoma të veçanta. Edhe ata do kishin qenë kaq të trishtë sa mua” mendonte Eni në ato minuta të gjata e të shkurtra pritjeje në derën me ngjyrën ende të pa vënë re.

E ëma i thoshte të mblidhte veten se i kishte gjithë të mirat që kishte dashur në jetë, por a thua vetja mblidhej njëlloj sikur të fusje mbrokullat në një kuti. Madje edhe kur bën punë shtëpie duhet ca përpjekje të sistemosh rrëmujën. Nuk regullohet shpejt e shpejt ajo dreq rrëmuje.

Uff sa e lodhnin punët e shtëpisë, e mërzisin. Njëlloj si takimet me njerëz kot më kot që i shoqi organizonte. Asaj i duhej të sforconte buzëqeshje aq shumë sa në mbrëmjë ndjente gjithë fytyrën të rraskapitur. E për çfarë duheshin këto aktivitete medemek sociale ku njerëzit bënin biseda koti, njëri mburrej me shtëpinë, tjetri krekosej me makinën, njëra me bukurinë, tjetri me kujtimet. Ufff, gjithçka shtirje, sforcim për t’u dukur ata që s’janë. Si nuk e kuptojnë që gjithçka është kot, pa vlerë ashtu si trupi që një ditë vjen dhe ditën tjetër zhduket në gropë sikur të mos kishte qenë asnjëherë.

Atë çast, trupin ia përshkoi një drithërimë si për t’i treguar se e kuptoi që po fliste për të. Eni futi dorën në çantën që mbante shtrënguar, e mbushi atë plot me ca kokrra jeshile dhe i hodhi rrëmbimthi në gojë.

E harroi shijen e tyre të hidhur kur ndjeu disa duar ta ngrinin vrik.

Eni deshi t’u thoshte se nuk kishte parë ndonjëherë derë në ngjyrë loti, por ndjeu gojën tepër të tharë.

 

*Emri i personazhit është një zgjedhje rastësore, pa lidhje me person real.

©JetaDedja