Krijimtari

Prindërit - Nga Artan Gjyzel Hasani

është ditëlindja e nënës sot, baba,

por këto vargje janë për ty...

erë nikotinë gishtërinjtë që e shkruajnë…

si sy i gjelbërt arit pikuar

mes tyre unaza jote rri...

ka ditë kur sikur jam ti më duket

i veshur me ty

mbuluar nga sharmi yt

me hapin tënd të lehtë ec

flas me gojën tënde të ëmbël

menduar me heshtjen tënde

tradhëtuar pasqyrash

xhamave të rrugës sytë e tu shoh

dhe në ato çaste ndjehem ti

lehtazi buzëqeshur

e jo rrallë me nënqeshjen

nga kohëra ironike buzëve vizatuar…

por vjen darka dhe të zhvesh nga vetja

si ti kur ktheheshe ne shtepi ...

i heshtur

qetësisht

ngadalë...

të kundroj, baba,

të rri përballë

e pastaj të flas...

të them fjalët që nuk t’i thashë dot ate ditë…

mes asaj dhome ku trupin e pajetë ta lava

se nuk kish se kush…

ishe fillikat

jetim…

të vesha bukur, baba, më bukur se kurrë…

të përqafova fort të fundmen herë

lotët e mi mbi fytyrën tënde

ti i vdekur në gjoksin tim...

por më mirë që vdiqe i ri, baba,

më mirë...

nëna është kërrusur…

plakur...

harruar…

vetmuar vetmon vetminë

pa askënd pranë...

në telefon grindet çdo ditë me mua

e me tim bir që jemi larg…

pastaj me veten...

qan…

derdh si gjithnjë edhe lotin tënd…

atë që ti s’e duroje dot...

e më pas

si çdo ditë

merr udhën për te ty

ashtu...

në heshtje...

pa lotë…

por ka kaluar shumë kohë që atëhere, baba

u mësuam ta jetojmë vdekjen me veten

dikur edhe nëna na la

dhe lotët e humbën kuptimin…

©Artan Gjyzel Hasani