Kulturë

Sllavizimi “i butë” i emërvendeve - Nga Mehmet Elezi

  • Published in Kulturë

Sllavët kanë qenë veçanërisht agresivë për tjetërsimin e emërvendeve në hapësirat shqiptare. Për një arsye të thjeshtë. Toponomastika, thotë Çabej, përbën dokument kryesor që vërteton autoktoninë e popullit shqiptar në vendbanimin e tij të sotëm.

Kanë përdorur kryesisht mënyra të dhunshme, përfshi ligjet e egra të nxjerra posaçërisht, por edhe mënyra”të buta”. Një rast tipik, se si identiteti i emërvendeve është ndryshuar/sllavizuar me metoda “të buta”, përbën emri Krasniqe. Aq “e pafajshme” duket kjo mënyrë, sa e kanë përhapur edhe vetë shqiptarët!

1.

Emri Krasniqe, mjaft i përhapur edhe si mbiemër (patronim) në trajtën Krasniqi dhe rrallë Krasniqja, sidomos në Kosovë, i ka ngacmuar hulumtuesit e huaj. Megjithatë s’kanë shkuar më larg se shenimi i gojëdhanave rreth tij. Herë-herë kanë hamendësuar rrëshqitazi, pa u marrë përnjimend me të. Me sa dimë, as ndonjë kërkues shqiptar s’e ka shprushur më tej.

Krasniqja është në Malsi të Gjakovës (rrethi i Tropojës). Sipas një ndarjeje tradicionale, përmendet si njëri prej katër bajraqeve të trevës. Këto bajraqe në popull njihen si Krasniqja, Gashi, Berisha e Bytyçi. Krasniqja njihet njëkohësisht edhe si fis. Hapësira e bajrakut të Krasniqes është më e ngushtë se e fisit me këtë emër. Kjo ka shpjegimin e vet, por nuk është rasti me u ndalë këtu.

Pjesa më e madhe e katundeve të Krasniqes shtrihen përgjatë luginës së Valbonës. Zënë të dy krahët e lumit me këtë emër, prej Dragobie në Fierzë. Në zemër të Krasniqes është qyteti Bajram Curri.

Për veshët e një të huaji, Krasniqja ngjan si emërvend sllav. Siç ndodh me disa legjenda urbane që merren thuajse të mirëqena, një prejardhje që niset nga gojëdhanat ose nga përshtypja që le tingëllimi i emrit në dëgjim të parë, jo rrallë pranohet heshtazi. Robert Elsie   e merr të mirëqenë se emërvendi Krasniqe “është me zanafillë sllave dhe ka të ngjarë të ketë lidhje me fjalën “hrast”, që do të thotë dushk ose lis”. Citon priftin boshnjako-kroat Loro Mihaçeviq, që udhëtoi asajt në vitin 1907. Mihaçeviq shkruan se Krasniqja “është një vend i mirë e i bukur, në pajtim me emrin Krasniqi, e që mund të përkthehet (nga gjuhët sllave - m.e.) si “fshat i bukur””.  

2.

Sipas një gojëdhane të shënuar prej Zonjës Durham, emri Krasniqe rrjedh prej Krasni Lazi. Kështu qenkesh quajtur i pari i fisit.

Mark Milani rreh në një degëzim të ngjashëm. Paskeshin qenë dy vëllezër, Vasa e Krasa. Prej tyre dolën dy fise. Njëri “serb”, Vasojeviqët, tjetri “mysliman”, Krasniqja.   

Kalimthi në Triepsh, Hekardit i del në shteg një gojëdhanë, që sjell në vemendje Krasniqen. Një vëlla, Kastro Keçi, kish pasë qenë martuar me një vajzë në Dukagjin. Fryt i kësaj martese kishin qenë “Kastroviçët, që banojnë pranë Gjakovës, të cilët më vonë përqafuan islamizmin”.  

Një kallëzim i hershëm, shënuar prej Hahnit, lëviz në të njëjtat ujëra. Krasniqja rrjedh prej Nikës, të parit të Nikajve. Ai kishte pasur dy djem, njëri quhej Gras. Fisi që doli prej Gras Nikës mori emrin Krasniqe.  

Edhe Robert Elsie: “Stërgjyshërit e fisit të Krasniqes thuhet se e kanë prejardhjen prej Bosnjës... Thuhet se fisi Krasniqi ka farefisni të ngushtë me fisin sllavishtfolës Vasojeviq, në Mal të Zi”.

Vërehet se autorët e mësipërm shpalojnë qasje të ndryshme për prejardhjen e emrit. Pavarësisht ndryshimit, qasjet e tyre bashkohen në një pikë thelbësore: ku haptazi e ku disi tërthorazi, sjellin në vemendje një prejardhje sllave.

Duhet nënvizuar: dijetarët perëndimorë, që i kanë regjistruar këto gojëdhana, nuk shprehin bindje shkencore të tyre. Ata s’e kanë hulumtuar vetë. Ata flasin me thuhet, duke u mbështetur te çka kanë dëgjuar.

3.

Nuk është vështirë me vu re se në të pesë rastet e përmendura më sipër jemi në rrafshin e një gojëdhane të vetme, me pesë motërzime. Kemi: një Krasni, një Krasa, një Kastro (sipas Nopçës Kastër - “Kastr”) dhe një Gras. Trajta të përafërta fonetike, që flasin për të njëjtën gurrë. R. Elsie s’ka Kras e Gras, por ka lidhjen e mundshme me Vasoviqët sllavishtfolës, si gojëdhanat e tjera.

Te gojëdhana kapet edhe Çabej, por ai e sheh nga një skajim i kundërt. Kërkon të derdhet dritë edhe “mbi ato fise, të cilat me kohë e kanë bjerrë kombësinë shqiptare”. Thotë se “Pas traditës fisore të Krasniqëve, këta vetë, Nikajt e Vasojeviqët, janë fise vëllezër, të cilët me kohë u shkëputën: Nikajt mbetën katolikë, Krasniqët u bënë muhamedanë, Vasojeviqët u bënë njëkohësisht ortodoksë e sllavë”. Të tre këto fise i sheh me gjak shqiptar, prej tyre Vasojeviqët borën kombësinë, u sllavizuan. Sa larg mund të shtegtojë një fis, sjell rastin e kelmendasve. Ata “kanë lëshuar degë më një anë gjer në Sirni, ku themeluan dy katunde, e, më anë tjetër, në qoftë se nuk gënjen emri..., kanë shtegtuar nga jugu deri në Atikë”. 

Çabej nuk e shqyrton gjuhësisht prejardhjen e emrit Krasniqe. Po aty thotë se është detyrë e dialektologjisë që “në lidhje me studimin e gojëdhanave lokale të sqarojë gjer diku gjenezën e errët të fiseve shqiptare”. Duket se pikërisht aty, te shqyrtimi gjuhësor, është çelësi me e ndriçue qartësisht prejardhjen e këtij emërvendi.

4.

Përtej folklorit, në gjurmët drejt së vërtetës na prin rishtazi Hahni. Kësaj here krejt pahiri, pa dashje. Pa hulumtuar pik për temën në fjalë dhe pa qenë i vetëdijshëm se po qet në dritë një të dhënë me shumë interes për rastin.

Në pjesën e tretë të Studimeve Shqiptare, në shënimin 159 për episkopatin e Pultit, Hahni i referohet Farlatit. Shkruan: “Farlati Illyr. Sacrum VII f. 261 shkruan se kufijtë e këtij episkopati janë Valbona, që quhet edhe Castergus ose Castranichius ...”. Pra Valbona, në dy krahët e së cilës shpalohen katundet e Krasniqes me qytetin e sotëm Bajram Curri, bash ajo trevë që sot njihet me emrin Krasniqe, paskesh qenë njohur edhe me emrin Castranichius.

Filli vezullon papritmas. Në rrënjë të emrit që ka shenuar Farlati dallohet fjala latine castrum, siç quheshin fortesat romake. Zakonisht vendet, emrat e të cilëve lidhen me latinishten castrum, nga kundroja ushtarake janë pika strategjike. Lugina e Valbonës është tepër strategjike. Bash në grykë, ku nis pjesa e ngushtë e luginës drejt thellësive të bjeshkëve dhe s’ka shteg tjetër kalimi, në të majtë të lumit, gjinden rrenojat e një fortese romake. Vend njihet me emrin Qytezë, bën pjesë në katundin Shoshan. Dihet se historikisht fjala qytet, prej ku qytezë (prej latinishtes civitātem), ka pasur edhe kuptimin kala, kështjellë, fortesë. E afërt me kuptimin e castrum.

Edhe në degëzimin Castergus bie në sy e njëjta rrënjë. Prej Castranichius, me vendkëmbim (metatezë), është bërë Krastanichius për të mbërri, nëpërmjet ndryshimesh të lehta fonetike, te trajta e sotme Krasniqe.

E dëshmojnë edhe dokumentet e Kuvendit të Arbnit. Në një thirrje të tij për të shuar mosmarrëveshjet për kufirin ndërmjet dioqezës së Pultit dhe dioqezës së Shkupit, thuhet se kufiri lindor i Pultit ndahet me ujë të Kasterigjit (Casterigium) ose të Kastraniqit (Castranichium) ose të Valbonës (Valbonam). Shihet se ky lumë që ndan dy dioqezat thirret me këta tre emra. 

Elsie gjithashtu sillet te këto emërtime. Ai shkruan se “Termi Krasniqe është shënuar si Crastenigeia, më 1634, në raportin kishtar të priftit françeskan Bonevantura di Palacolo (v. 1657), si Krastenigje, me 1636, në raportin e peshkopit shqiptar të Sapës dhe të Sardës, Frang Bardhit; dhe si Grastenichia, më 1688, në hartën e hartografit venedikas Françesko Maria Koronelli”. Edhe te Hekardi del trajta e fundit.

Një hollësi që nuk mund të kapërcehet. Vihet re se Castranichius (Krasniqe), fillimisht është quajtur lumi dhe jo tokat përreth, ndërkohë që në gojëdhanat për prejardhjen sllave të emrit Krasniqe nuk bëhet fjalë për lumë, por për “të parin e fisit” prej ku e kanë marrë emrin tokat dhe fisi. Mospërputhja është e dukshme.

Lumi thirrej në të njëjtën kohë edhe Valbonë. Me sa duket Valbonë është emri i kryehershëm. Castranichius ngjan se është përdorur më shumë në komunikimet për çështje ushtarake e nëpër harta. Meqë Valbona nuk mund të mbante pafundësisht dy dhe aq më pak tre emra, me kohë është kryer diferencimi: Castranichius ka filluar të quhet lugina në të dy krahët e tij, ndërsa vetë lumi ka ruajtur emrin e parë Valbonë. Dihet se fshatrat ose krahinat buzë lumenjve marrin dendur emrat e këtyre të fundit.

Siç del nga dokumentet, në kohë të Kuvendit të Arbnit katundet në krah të djathtë të lumit tashmë quheshin Krasniqe. Në një kronikë të ruajtur në kishën e Shoshit për fretnit shkruhet se “vetëm në vitin 1705 është krijuar një hospisë (banesë) në Gri, në rajonin e Krasniqes”.  

Një tjetër të dhënë me domethënie të qartë sjell Shuflai. Ai zbulon se në qindvjetëshin e 17-të, saktësisht në vitin 1666, Valbona del edhe me një emër të tretë, për të mos thënë të katërt: Cernicë (Cernizza). Gjurmët e kësaj dëshmie i gjejmë në ditët tona në një fshat të Krasniqes, që quhet Cerrnicë. Cerrnica në breg të Valbonës, në krahun e majtë të saj, ka qenë pyll i dendur me lisa madhështorë, kryesisht qarra, i shpyllëzuar “për tokë buke” në fund të viteve pesëdhjetë të qindvjetëshit të shkuar. Natyrshëm pyetja: në qoftë se emri i mëparshëm Krasniqe do të kish qenë me gurrë sllave, për ç’arsye sllavët do të përpiqeshin me ndërrue një emërvend sllav me një emërvend tjetër po sllav, duke e bërë Krasniqen Cerrnicë?

Lugina ka edhe emërvende të tjera me gurrë latine. Për shembull Gryka e Motinës, në Dragobi. Arsyeja thotë se emri Motinë vjen prej latinishtes mons, montis, mal. Është afër mendsh se edhe emri i Kollatës (2556 m), që mbyll luginën si mur i gjerë madhështor, ftillohet me latinishten collatatus, i hapur, i shtrirë, i zmadhuar. Dhe natyrisht emri i Valbonës, “luginë e mirë”. Emërvende Valbona/Vale Bona ka edhe në Italinë veriore e në Spanjë.

5.

Tërthorazi, në kundërshtim me çka synon vetë, një prejardhje të mundshme sllave e rrëzon pa e kuptuar edhe Mark Milani.

Duke folur për vëllezërit Vasa e Krasa, thotë se “nga Krasa doli fisi i Kastriniqëve...”. Siç shihet, në rrënjë të emrit të fisit - Kastriniq - kemi sërish fjalën latine castrum. Lidhja që bën me të hamendësuarin Krasa, një shndërrim i Krasa në kastra - Kastriniq dhe sërish prapakthehu, duke u bërë edhe një herë siç qe Krasa (Krasniq), nuk ngjan fonetikisht e arsyetuar. Nuk ndodh që trajtat gjuhësore me ba nji rreth e me u kthye mbrapa, me dalë prapë në pikën e fillimit. Trajta Kastriniq, që jep Mark Milani, nuk është tjetër veçse Kastranichius, që zbulon Hahni, duke iu referuar Farlatit, në dokumentet për shtrirjen e episkopatit të Pultit.

Edhe te Hekardi, vepër e cituar, gjejmë Grastenicha (trajtë me vendkëmbim e Kastranichius). Grastenich-ën, sipas shenimeve që shoqërojnë lëndën e librit, studiuesit e kanë njëjtësuar me Krasniqen.

Dëshmitë se emërvendi Krasniqe është me gurrë latine dalin krejt të prekshme. Krasniqe do të thotë Vendi i Fortesës.

Nopça i afrohet këtij vështrimi, pa e zhbiruar në thellësi. Nuhat diçka për shtrembërimin e së vërtetës, por nuk ndalet me e shtjellue, synimi i punimit të tij nuk është këtu. Sipas gojëdhanës për Hotin, që ka regjistruar vetë, Hoti dhe disa fise të tjera, përfshi Krasniqen, qenkeshin të zbritur prej Kuçi. Kjo gojëdhanë, si nga thelbi ashtu edhe nga emrat e ngjashëm, duket thjesht degëzim i gojëdhanave të regjistruara nga zonja Durham, Mark Milani, Hahni e Hekardi, më afër këtij të fundit në do imtësi. Nopça shkruan se “fisi i Krasniqit në këtë gojëdhanë quhet Kastraviç”, te Hekardi Kastroviç. Por ky emër, vëren ai, “duket pak i kurdisur dhe të kujton më tepër Kastratin me prapashtesën “viç””. 

Në këtë pohim të shkurtë dijetari cek dy të dhëna thelbësore. 1. Emërvendi Krasniqe ka të njëjtën gurrë si Kastrat; dhe: 2.  Gojëdhana ka shtrembërime (“kurdisje”), siç është qepja e prapashtesës sllave në motërzimin që përmend.

Në trojet shqiptare janë disa emërvende që lidhen me latinishten castrum. Qysh prej Kastratit në Veri, te Mallakastra e Gjirokastra në Jug. Edhe emrat Kosturr në Has dhe Kostur në Greqinë veriore, vlerësohen si të së njëjtës gurrë latine.

6.

Një pjesë e mirë e krasniqasve - fshatrat e Nikajve në Nikaj-Mërtur ose Lekbibaj (do katunde të anës i përkasin fisit Mërtur, që kapërcen Drinin e shtrihet në Pukë), deri në Curraj të Epër - janë të besimit katolik. Edhe në fshatrat myslimane spikatin emërvendet me prejardhje qartësisht katolike: Margegaj (Mark Gega), Kolgecaj (Kolë Geci), Markaj (Mark), Lekurtaj (Lekë Kurti), Ndreaj (Ndre), Dojan (Ndue-Ndoi), Kolmekshaj (Kolë Mekshi), Dedaj (Dedë), Margjekaj (Mark Gjeka). Të parët e këtyre katundeve kanë qenë katolikë. Sot e kësaj dite shumë mbiemra familjarë janë të tillë. Duke ndjekur vijimësinë e brezave, pemën gjenealogjike, krejt myslimanët e Krasniqes, përfshi autorin e këtyre shenimeve, dalin te stërgjyshë katolikë.

Shtrati i pastër katolik i Krasniqes dëshmohet edhe në kishat e shumta ose rrënojat e tyre; aty sipas disa studiuesve njëjtësohet (identifikohet) qendra e dioqezës së Pultit.

Pra krasniqasit s’kanë qenë kurrë ortodoksë (dhe po të kishin qenë, kjo nuk ndryshon asgjë: besimin ortodoks nuk e prunë sllavët, ata e gjetën në trevat ku u dyndën dhe e përqafuan). Deri në gjysmën e dytë të qindvjetëshit të 18-të dëshmohen në vazhdimësi katolikë; prej katolikë janë kthyer në myslimanë. Asnjë ndërmjetësi ortodokse nuk dëshmohet. Sllave aq më pak. Ndonja dyqind vjet të pushtimit serb nuk prekën dot gjuhën, fenë, ritet. Ani pse në kodin e Stefan Dushanit (1349) ka dispozita të egra që i detyrojnë katolikët me u kthye në ortodoksë: kush nuk bindet do të “dënohet me vdekje”. Për serbët katolicizmi ishte një “herezi latine!”.

7.

Vihet re qartësisht se gojëdhanat për Krasniqen - me çka u pa është e njëjta gojëdhanë, e regjistruar në disa degëzime - në zanafillë kanë prejardhje sllave. Gjithherë rrahin me gjetë ose me nënkuptue një burim sllav të fisit. Për pasojë, edhe të emërvendit.

Del kjo prirje edhe te Mark Milani. Në veprën e cituar për doket e shqiptarëve ai shquhet për paanësinë dinjitoze në mjaft gjykime e vlerësime. Megjithatë nuk i shpëton dot joshjes me pa rrënjë serbe edhe ku ato nuk ngulin fare. Pohon, për shembull, pa asnjë përpjekje me e argumentue (veç të tjerash, Mark Milani ka qenë i vetëmësuar, autodidakt), pra pohon se emri Kastrat ardhka prej sllavishtes krst!

Dihet se burimin e këtij emërvendi studiuesit e gjejnë pa kurrfarë mëdyshjeje te fjala latine castrum. Nopça shkruante se Kastrati i Vjetër e ka emrin nga “Castrum” i Romës dhe “emri Kastrat gjendet si emër fshati në kadastrën e Shkodrës me 1416”. Nuk ndalet më tej, s’e ndien të nevojshme, gjithçka është e mirëqenë.

8.

Gojëdhanat janë folklor. Pavarësisht nga ndonjë bazë në zanafillë, në thelb janë fryt i fantazisë popullore, të zhvilluar duke kaluar gojë në gojë, nga brezi në brez. Trajtimi i tyre si fakt shkencor çon në përfundime joshkencore.

Në veprën “Etnologjia e shqiptarëve” shkruhet për Malsinë, për atë që njihet edhe si Lekni: “Malësia, si territor, është mbeturinë e principatës së vjetër të Pultit, nën familjen e Shpanëve, por, si popullsi, nuk ka lidhje me të, sepse banorët e sotshëm e mbajnë veten të ardhur nga rrethet e Bosnjës e përgjithësisht nga Dalmacia; këtë e përforcojnë edhe burimet etnologjike dhe Këngët e Kreshnikëve”!      

Dalin një numër pyetjesh. Ku shkuan banorët e mëparshëm të Malsisë, me të cilët popullsia e sotshme “nuk ka lidhje”(!), sepse anasit qenkeshin zëvendësuar me të tjerë të ardhur nga Bosnja e Dalmacia, me ç’dokumente ose fakte historike vërtetohet kjo zhvendosje shterruese e një popullsie të tërë, jo në kohë të hershme, por në Mesjetën e vonë?  “Banorët e sotshëm e mbajnë veten të ardhur”, është kjo një bindje e atyre banorëve në përputhje me çka ndihen, apo shprehje e dikujt ose e disave, që nga naivët, mitomanët e deri te misionarët e dyshimtë?

Bota e dijes nuk i gëlltit legjendat, pa i bluar me kujdes. Në një studim të shërbimeve të fshehta britanike për Shqipërinë gjen modelin si duhen trajtuar gojëdhanat nga shkenca. “Edhe pse thuhet se ka ardhur nga Bosnja në shekullin e pesëmbëdhjetë”, fisi i Berishës ka “gjenealogji që nga viti 1270 e.r. dhe pa emra sllavë”. Vihet re se si autorët, dijetarë britanikë, qetazi e pa zhurmë qesin në spikamë kundërshtitë e gojëdhanës, duke ftuar për maturi: 1) gojëdhana thotë se berishasit janë të ardhur në shekullin e pesëmbëdhjetë, ndërsa gjenealogjia datohet qysh në vitin 1270, të paktën dyqind vjet para se me ardhë “nga Bosnja”; 2) gojëdhana thotë se ata janë të ardhur nga Bosnja, por në pemën gjenealogjike s’ka emra sllavë.

9.

Disa herë në lojën e sllavizimit të emërvendeve janë përfshirë vetë shqiptarët. 

Pikëllima është mal në pellgun Kukës-Prizren, 2396 metër i naltë. Në Lumë i thonë Pikëllæjmë, me dyzanimin (diftongimin) e njohur të së folmes së Lumës, Dibrës e Tetovës.  Përveç atyre që janë të bombarduar me kulturën e teksteve të shkollës, të pasqyruar edhe në media, në Kukës e në Prizren s’e njeh kush me emër tjetër. Por a mjafton? FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar) 1985 dhe FESH 2009, të dy e quajnë Koritnik (serbisht kòrito “govatë, lug”). Çukit për fjalën Pikëllimë ose Mali i Pikëllimës në Wikipedia shqip, të del përgjigja “nuk është”. Koritniku po, ai është! Një kërkim në Google zbulon se Koritnik dhe emërvende me një gjymtyrë Koritnik, ka gjithkah nëpër Serbi, ato nuk numrohen. Pse u dashka me e bartë këtë emërvend në tokën tonë, duke e dëbuar “butazi” emërvendin e moçëm shqiptar? 

Duket se emërvendi Koritnik, ashtu si edhe kalkimi Bjeshkët e Nemuna (shih Kush i nemi “Bjeshkët e Nemuna”, ExLibris, 30 shtator 2023), bën pjesë te pjellët e muajmjalteve politike. Fill pas Luftës së Dytë Botërore është marrë prej librave e hartave serbe ose, e njëjta gjë, prej teksteve ruse (sovjetike), të mbështetura te serbët. Prej aty është përfshirë zyrtarisht në tekstet e shkollës e gjithandej. Ndryshe nga FESH, në Fjalorin e emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë (Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, shtëpia botuese “Shkenca”, 2002) është bërë një hap i ndrojtur, por jo hapi i duhur, i plotë. Është vënë emri shqip, por emri serbisht nuk është hequr. Janë shenuar Koritnik dhe Pikëllimë.

Vendasit thonë se edhe Gjallica (2489 m., në të njëjtin pellg) është deri diku viktimë e prirjes sllavizuese. Kuksianët i thonë Gjallæiçe (Gjalleiçe), me ndryshesa të lehta te diftongu æ. Gjasat janë se emri i këtij mali të pasur me botë shtazore, me larmi zogjsh, ku bien në sy gjelat e egër, lidhet me latinishten gallus, që në gjuhën shqipe ka dhënë emrin gjel, të përdorur krahas sinonimeve këndes, këndues, kanxh, kaposh, kokosh. Për këtë dëshmon edhe trajta e shqiptuar në Has: Galliçe, me g e jo me gj, dhe me të njëjtën prapaashtesë ç. Hasi, Malsia e Gjakovës, Rrafshi i Dukagjinit e Kosova e kanë ruajtur bashkëtingëllorën g në disa fjalë, ku të folme të tjera e kanë kthyer në gj: guni (gjuni/gjuri), gatë (gjatë)... Në Malsi të Gjakovës ka edhe emërvende të tjera, që duket se lidhen me fjalën latinisht gallus, gjithnjë duke e ruajtur g-në, pa e kthyer në gj: Guri i Gelës, Livadhi i Gelës dhe një lagje Gelaj, afër qytetit Bajram Curri. Prej këtu edhe patronim Gela/Gelaj. Gjithsesi lypet një hulumtim më i plotë. Ajo që është e sigurtë, vendasit nuk e kanë shqiptuar e nuk e shqiptojnë në trajtën “zyrtare” Gjallicë.

© Mehmet Elezi