Kur mendohej Uran Kostreci - Nga Qerim Vrioni

Qerim Vrioni
Te Bar “Piazza” më ke thuajse çdo ditë, - më tha Uran Kostreci (Korçë, 1938 - Tiranë, 12 korrik 2021) në telefon, pasi e pyeta për vendin e takimit për të pirë një kafe bashkë. E gjeta në të majtë të hyrjes, ulur në një karrige duke thithur një cigare. Me gjithë moshën e thyer, rreth 82 vjeç, ai ishte mjaft energjik, i këndshëm në bisedë, me kulturë dhe humor.
Uran Kostreci njihet si një nga ish-të burgosurit politikë më të paepur ndaj diktaturës më të egër të Europës. Vite pas arrestimit të të atit më 1946, i erdhi radha dhe atij. Ka kryer rreth 20 vite burg, duke filluar që nga mosha 23 vjeçare, kohë kur u arrestua së pari për tentativë arratisjeje. Gjatë kohës së burgut, në mjedise vuajtjeje, ai u njoh dhe miqësua me figura historike të inteligjencies shqiptare, nga të cilat përfitoi jo vetëm mësimin e gjuhëve të huaja, por edhe kulturë të përgjithshme.
Më 1991, ai themeloi dhe ishte kryeredaktori i gazetës së parë kombëtare antikomuniste “Liria” e më pas u zgjodh dy herë kryetar i Partisë Demokratike për Elbasanin.
Kostreci ka shkruar edhe poezi me tema lirike, duke lëvruar sidomos sonetin. Pas vitit 1992, ka botuar disa libra. Ndër to shënohen: “Lundërtari dhe Deti” (Sonete, 1993), “Epopeja e karkalecave” (1995), “Agonia e karkalecave” (1996), “Sonete” (2006) dhe në prozë “Pabesia” (novelë, 2009) etj.
Kohët e fundit ai ishte shumë i pranishëm edhe në rrjetet publike elektronike si p.sh. në Facebook, ku herë pas here shpërndante sonete të sapo krijuara me karakter politik kundra diktaturës, të cilat lexoheshin me interes dhe komentoheshin nga shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ndër miqtë (dhe armiqtë) e pandarë të tij zinte vend të paluajtshëm cigarja. Vetëm brenda një gjysmë ore, ai doli 4-5 herë për të pirë cigare te karrigia e tij në hyrje të barit. Në një nga këto pushime duhani, e fotografova. Thithja e cigares kushedi në ç’vend dhe kohë të largëta, por edhe të ardhme ia kishte hedhur mendimet…
Ishte fillim maji 2019.
(Ky është prezantimi që studiuesi i fotografisë dhe autori i librit-album “Miq në 50 foto” z. Qerim Vrioni, i ka bërë ish-të burgosurit politik dhe poetit Uran Kostreci. Në libër imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës.)
Burimi: ObserverKult
Foto: Qerim Vrioni - 2019