Ҫesk Zadeja, fenomeni muzikor shqiptar - Nga Vasil S. Tole

Hyrja e librit “Çesk Zadeja në muzikën shqiptare” (Jeta dhe vepra)
Ky libër i kushtohet Ҫesk Zadejës, kompozitorit dhe personalitetit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, pa rolin, veprimtarinë dhe krijimtarinë e të cilit nuk mund të kuptohet muzika profesioniste shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, e më pas.
Deri më sot studimet e fushës i janë kushtuar kryesisht eksplorimit të muzikës shqiptare në qasjen historike, të etapave të saj, deri diku të analizave të ngushta të veprave muzikore të kompozitorëve, e fare pak përmes shqyrtimit dhe konsiderimit të rolit vendimtar që ka në krijimtarinë muzikore të një vendi, modeli krijues i një kompozitori të caktuar ose i një grupi syresh.
Muzika shqiptare erdhi deri në zhvillimet profesioniste të saj të periudhës pas Luftës II Botërore në mënyrë jolineare. Me rrënjë që zënë fill në fund të shekullit XIX, menjëherë pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kohë kur Palok Kurti shkroi të parën pjesë të kultivuar të muzikës sonë, autorët pas tij, si: Martin Gjoka, Thoma Nasi, Lec Kurti, Fan S. Noli, Kristo Kono e ndonjë tjetër. u përpoqën të mbillnin sadopak muzikë në terrenin deri diku djerrë të saj.
Rëndësia e rolit të kompozitorit në kulturën tonë muzikore është marrë në konsideratë, deri diku, kur janë theksuar rëndësia e veprave të para të mëdha të muzikës sonë profesioniste, si: “Simfonia” e Zadejës (1956), opera “Mrika” e Jakovës (1958) dhe baleti “Halili dhe Hajria” i Daisë (1963) etj., ku krahas veprës është folur edhe për krijuesin e saj, dhe vetëm kaq. Më pas, historia vazhdon rrugën e saj pa kthim. Në rend kronologjik, veprat dhe krijuesit i zënë vendin njëri-tjetrit dhe gradualisht zërat e përveçëm, ata që kanë bërë realisht dhe cilësisht ndryshimin, fillojnë e shuhen brenda sasisë së konsiderueshme të veprave muzikore që u shkruan në Shqipëri për gati 50 vite.
Në fakt, nuk është, dhe nuk duhet të jetë, vetëm kështu.
Muzika, ashtu si edhe artet e tjera, nuk mund të bëjë dot pa hierarkinë e autorëve. Edhe në muzikën botërore, nga dhjetëra e qindra emra kompozitorësh, janë disa që i japin frymën epokës së tyre, përmes veprave dhe gjenisë që mbartin. Të tillë ishin Bahu, Mozarti, Hajdeni, Bethoveni, Brahmsi, Wagneri, Ҫajkovski, Shopeni, Raveli, Skriabini, Stravinski, Bartoku, Prokofievi, Shostakoviçi etj. Një i tillë për muzikën tonë ishte Zadeja.
Ai nuk ishte thjesht një ndër kompozitorët më të mirë shqiptarë të shek. XX, por figura qendrore e muzikës së kultivuar shqiptare për atë shekull, e jo vetëm. Duhet theksuar se kështu nuk minimizohen apo zhvendosen emrat e tjerë të rëndësishëm të muzikës sonë, përkundrazi. Ashtu si vargmalet që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, ashtu edhe Zadeja qëndron bashkë me ta si maja më e lartë e vargmalit tonë muzikor, i krahasueshëm me të tjerë male të lartë në peizazhin e kulturës evropiane e botërore.
Zadeja ёshtё unik edhe sa i pёrket trashёgimisё qё la pas. Thuhet se fati i njё personaliteti krijues kalon nё tri faza: lavdia, mohimi dhe vlerësimi. Vepra e Zadejёs qëndron mes njё lavdie pa kohё dhe vlerёsimit tё vazhdueshёm tё saj, kjo, nisur prej kohёs kur ai jetoi e mё pas, nё brezat pasardhёs. Rrjedhimisht, menduam që ta trajtonim figurën dhe veprën e Tij të jashtëzakonshme në këtë libër, i cili duke u fokusuar te personaliteti dhe vepra që la pas, do të na bëjë të kuptojmë më mirë edhe muzikën shqiptare, para dhe pas kohës së Tij.
Në muzikë, ashtu si në traditën kishtare, ekziston një kod nderimi e bashkimi. Çdo student njeh mësuesin e çdo mësues njeh profesorin, dhe çdo profesor njeh të parin e tij e i pari i njeh të gjithë kompozitorët, në çdo vend e pa kohë. Ky është një unitet besimi dhe adhurimi, një unitet harmonik e polifonik tërësor. Çdonjëri nga ne merr pjesë për të ndihmuar forcimin e këtij uniteti. Ky është një kod mistik. Prandaj, më vjen natyrshëm të perifrazoj fjalët e Nolit, me një ndryshim, duke zëvendësuar emrin e Konicës, me atë të Zadejës: “.... të gjithë ata që vijnë pas Zadejës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve.”
©Vasil S. Tole