Kur vlonjatët rrëzuan shtatoren e Hysni Kapos - Nga Gëzim Zilja

Ishte data 7 gusht e vitit 1991. Njerëzit vazhdonin të shkonin drejt Tokës së Premtuar me ç’të mundnin. Kishin provuar edhe makinë “Zis” të vendosur mbi fuçi, komerdare “Saureli” të bashkuara me një direk në mes e lopata kompesatoje, madje edhe me trarë të lidhur fort me njëri-tjetrin.
Anija tregtare “Durrësi”, rreth 3.000 tonëshe, ndodhej në Vlorë prej tri ditësh. Kapiten i saj ishte një djal i ri nga Skela, i quajtur Theodhori Baba, një djalë i qetë, i shkolluar, që e njihte mirë detin. Anija u ankorua te “Tuneli” me shkallët e varura në bord, rast i çuditshëm ky. U hap lajmi se anija shkonte në Maltë. Njerëzit, shumë prej tyre me rrobe banjoje, filluan të hipin lirisht, sikur të niseshin për një shëtitje turistike. Ndërkohë një grup tjetër njerëzish po sulmonte Portin e Skelës, ku ishte ankoruar anija tregtare1.000 tonëshe “Liria” dhe anijet e shumta të peshkimit.
Turma ia doli të rrëmbente anijen “Liria” dhe nja dy peshkarexha, të cilat u mbushën dhe u nisën sa hap mbyll sytë. Peshkarexhat e tjera të drejtuara nga kapitenët dolën në radë nga ku nuk mund të rrëmbeheshin nga turma. Policia ishte e mpirë, e hutuar dhe nuk po vepronte. Paprimtas, tashmë e përforcuar edhe nga forcat speciale të mbërritura nga Tirana, sulmon dhunshëm turmën me shkopinj gome dhe e shtyn deri te Kali i Trojës. Turma kundërsulmon me tërbim dhe e detyron policinë të tërhiqet por nuk e lejon të futet në port.
Një plakë çame, me veshjen e saj karakteristike, iu drejtua turmës: “Mos shkoni atje o djelm u keqen nëna se kanë vënë njerëz me dufeq mbi tarraca e do t’iu vrasin…”. Si një ishull katërkatësh aty në sheshin e Skelës ngrihej Komiteti i Partisë. Mbi tarracë ishin vendosur snajpera dhe brenda një sasi e konsiderueshme policësh dhe civilësh. Pati disa përleshje me policinë, por asnjera palë nuk lëshonte terren.
Atë çast kalon shoferi Hysen Qerimi (Ceno Çami) me “Saurelin” e tij ngarkuar me çakëll për ta çuar në Uzinën e Sodës Kaustike. Ky djalë trim e i zgjuar e kapi gjendjen dhe pa komandë shkarkoi “Saurelin” në rrugë. Turma e çmëndur nga gëzimi, tashmë e pajisur me “municion”, i vuri para policët, duke i qëlluar pa mëshirë e duke gjakosur mjaft prej tyre. Snajperët e vendosur në tarracën e Komitetit të Partisë, që tashmë gjendej i rrethuar, gjuajtën disa herë në ajër por ishte e kotë.
Për çudi të turmës (njerëzit dhe policët gjatë gjithë kohës shaheshin e kërcënonin njëri-tjetrin) nga brenda godinës filloi të dilte tym i zi dhe aty këtu gjuhë flake. Civilët brenda godinës pasi bërtitën e kërkuan armë nga eprorët, të cilat nuk mbërritën dot, morën urdhër të digjnin ç’të mundnin nga materialet sekrete, që mbaheshin në kasaforta. Sapo kjo u pikas nga turma, një pjesë e saj duke brohoritur, e shtyrë policët, u fut brenda godinës, duke vjedhur, djegur, rrëmbyer e hedhur gjithçka derisa i vunë zjarrin.
Befas nga turma u shkëput një grup të rinjsh, kryesisht skelarë, ku dallova Xhorxhi Priftin. Ata ngjiten mbi monumentin e stërmadh të Hysni Kapos. Policia ia doli sërish të zbrapste turmën deri të Kulaçi. Kishin kaluar rreth shtatë orë me këto sulme e kundërsulme dhe policët këtë herë dukeshin vërtetë të raskapitur e të pashpresë.
“Hapeni rrugën - u thanë të rinjtë që drejtonin turmën tashmë. Me hir e ma pahir edhe ky qelbësira do të ketë fatin e atij të Tiranës.” Tashmë mbi qafën e Besnikut të Partisë u hodh një litar i trashë me fije najloni, nga ata që ankorohen anijet në mol. Litarin e hedhur sup më sup e tërheqin një numër i madh njerëzish. Oooooo-hoooop, Oooo-hop ulëriti me një gojë turma e entuziazmuar, duke inkurajuar ata 10-15 djem trima për të mbajtur ritmin gjatë tërheqjes. Herën e tretë monumenti i stërmadh, pothuaj aq sa ai i diktatorit në Tiranë, bie dhe hunda e udhëheqësit takon mbi barin e gushtit që sa kishte filluar të zverdhej.
Njerëzit kureshtarë hipën mbi bronxin e fortë dhe morën frymë të lehtësuar. Filluan ta kapin nga hunda t’i fusnin lëkura bostani në gojë dhe nja dy fëmijë ulën breçkat dhe përmorën nën britmat dhe brohoritjet e mijëra qytetarëve. Gjashtë muaj pas rrëzimit të monumentit të diktatorit, ne Tiranë, vlonjatët rrëzuan dhe atë të njërit nga bashkëpunëtorëve më besnikë të tij, Hysni Kapos. Kjo ndodhi më 07.08.1991
Post Scriptum: Në Skelë mungojnë dy monumente shumë të rëndësishëm. Njëri në nder të atyre djemve e burrave vlonjatë që pas shtatë orë përleshje me policinë rrëzuan monumentin e Hysni Kapos dhe fshinë një figurë të zezë të historisë së diktaturës. Monumenti tjetër qe mungon është ai për tragjedinë e Otrantos. “Rilindja” nuk ka për ta bërë kurrë këtë. Do vazhdojë të mbjellë pisha, beton e shilarëse për kalamajtë, duke tjetërsuar historinë e sheshit. “Shtëpia e Pavarësisë” një ditë do të shndërrohet në një Mauzoleum gjigand, që të sundojë mbi sheshin idiot të “Rilindjes”, duke pasqyruar historinë e Shqipërisë nga Lidhja e Prizrenit, viti 1878 deri më 28 nëntor 1912 e më tej. Djemtë e Vlorës që rrëzuan bustin e Hysni Kapos do të përjetësohen në një monument madhështor dhe sigurisht tragjedisë së Otrantos do t’i kushtohet një obelisk, që kurrë mos të harrojmë ato kohë të vështira të vitit 1997. Kjo do të ndodhë. Nëse nuk do ta bëjë dot brezi ynë, i stërlodhur dhe i stërzhgënjyer, do ta bëjnë ata që do të vijnë pas nesh. Sepse një popull pa histori, pa të shkuar, nuk ka të ardhme. Ai është një popull i vdekur.
©Gëzim Zilja