Histori

Dy shtete, një anije dhe një histori - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Në vitin 1933 piktori i dështuar Adolf Hitler e zaptoi pushtetin në Berlin. Me këtë akt mori fund demokracia gjermane. Në pranverën e atij viti president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u zgjodh Franklin D. Roosevelt, i cili vdiq më 1945 ndërsa ushtronte mandatin e katërt të presidentit të SHBA. Më 1933 firma gjermane Stülcken-Werft me seli në Hamburg ia dorëzoi marinës mbretërore jugosllave një anije me vela, e cila u quajt “Jadran” (Adriatiku). Anija u përdor për qëllime të trajnimit të marinës mbretërore jugosllave në Mesdhe dhe Atlantik.

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore anija u ankorua në Gjirin e Kotorit. Aty autoritetet pushtuese italiane e konfiskuan dhe ia vunë emrin “Marco Polo”, duke e shfrytëzuar po ashtu për qëllime trajnimi. Pas kapitullimit të Italisë, anija ra në duart e gjermanëve dhe deri në fund të luftës qëndroi në Venedik. Pas Luftës së Dytë Botërore anija iu dorëzua autoriteteve të Jugosllavisë socialiste, të cilat ia dhanë shkollës së marinës në Split. Kur shpërtheu lufta në Jugosllavi, anija mbeti në portin e Tivatit, ku ishte vendosur për remont.

Më 2006 Serbia dhe Mali i Zi negociuan mbi ndarjen e pajisjeve ushtarake. Pala serbe nuk insistoi ta marrë anijen në pronësi për shkak të shpenzimeve të larta të mirëmbajtjes (mbase edhe për shkak se me pavarësimin e Malit të Zi, Serbia s’kishte më qasje në det). Mali e Zi e përvetësoi anijen, por Republika e Kroacisë insiston që anija i takon Kroacisë ngase ka qenë e regjistruar në portin amë të Splitit. Mbi 30 vjet pas shpërbërjes së Jugosllavisë ky kontest nuk është zgjidhur. Mali i Zi pretendon se anija i takon marinës malazeze.

Sivjet Mali i Zi kremtoi 90-vjetorin e mbërritjes së anijes nga Gjermania në ujërat e Adriatikut. Ministria e Jashtme kroate protestoi kundër kësaj ceremonie. Në takimet mes dy palëve qeveria kroate këmbëngul që Mali i Zi ta kthejë anijen. Gjatë vizitës së sotme (4 shtator) në Zagreb kryetari i ri i Malit të Zi Jakov Millatoviç lidhur me anijen tha: “Pozicioni ynë është i qartë, por jemi të gatshëm të hapim dialogun për këtë temë dhe çdo temë tjetër”. Kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviç është kapardisur se “anija është pronë e Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi”. Analistët kroatë kanë sugjeruar që, nëse Mali i Zi s’e kthen anijen, kontesti të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të së Drejtës Detare. Selia e kësaj gjykate është në Hamburg. Aty ku nga 1931 deri më 1933 u ndërtua anija “Jadran”, e cila ka një motor me naftë dhe 480 kuaj fuqi.

© Enver Robelli