Letërsi

Letërsia si një gjobë policie - Nga Roland Gjoza

Ka ardhur një kohë e vështire për letërsinë. Ajo është bërë e përkohshme. E nis dikush dhe e lë. E nis një tjetër, organizohet një festë për të nga familja, shkruhen dy trë artikuj të paguar në shtyp dhe zjarri i ndezur me bujë shuhet në heshtje.

Bëni një provë; hapni gazetat dhe aty do të shikoni rioshët entuziastë me krahët e Ikarit. Ata janë të pafajshëm, sepse e dhanë shenjën, por perspektiva nuk ekzistonte për ta. Letërsi pa perspektivë, a mund të mendohet? Djem dhe vajza që shfaqin shkëndijeza talenti, botojnë dy tri libra që ndriçohen prej fishekzjarreve që nisin në bankete dhe shuhen të nesermën. Sërish them se ata janë të pafajshëm. Propaganda vazhdon t’iu bjerë tamburëve të festës, po ata janë tamburë të shiut.

Kritika e vërtetë serioze mungon, mizeria e diletantëve dhe mediokërve që mbushin cit më cit libraritë shtohet, grafomanët blejnë kostume te Cardin dhe Gucci dhe shfaqen madhërishem në komuna dhe katunde, ku fitojnë çmime triumfale me vulën e kryepleqve, me një vetësiguri bufonade që vë në dyshim talentin e Kadaresë, kinse për të dalë në pah kostumi dhe vula. Është bërë kaq komike gjithçka në këtë mënge të fjalës shqipe, sa të vjen të mos shkruash më.

Grazhdi, koteci, katoi, stela, stalla, kanë mbushur vitrinat përplot fushqeta triumfale. S’e kanë për gjë shkruesit e shkarashkrimeve të kulturës, që në faqet e fundit të gazetave të shpallin cilësinë e parë të gjithfarë kafshësh e shpendësh që mund të krahasohen me Kafkën, Borgesin, Tolstoin. Dhe kjo maskaradë vazhdon me pohe e bujë, duke siguruar nën dore shukun me para, që është nafta e makinës që punon non stop. Dhe kur krijohet ndonjë çmim që mban një emër të madh, të vegjëlit fitojnë.

Kush e mat kutin e letërsisë, a mund të ketë shijen e krijuesit të mirëfillte një pedagog apo një profesoreshë qe s’ka provuar të shkruajë diçka vërtet letrare? Nuk vjen nga ex katedra, emri në studime apo doktoratura, vlerësimi i saktë i një vepre letrare. Dhe prej këtij zhgënjimi akademik (një pjesë e tyre janë të tillë) autorët e vërtetë iu largohen çmimeve, mbyllen në vetvete, botojnë dhe nuk presin të ndodhin festa, sepse ata nuk i përkasin atij gjirizi që jep para për të nxjerrë në bulevardin e letërsisë bandën e qytetit.

Aq shumë janë prishur punët, sa një shkrimtar i mirë nuk bën kurrfarë përshtypjeje, po përkundrazi shkakton përdredhje buzësh, sepse këtë emër me kohë e kanë përdhosur pipizanet dhe trututkallët e fjalës. Shko te Përputhen dhe Big Brother të gdhihesh të nesërmen VIP.

A mund të ndreqet diçka? Nuk shoh asnjë mundësi, sepse që të arrish të shpresosh duhet të kesh të bësh me një institucion. Letërsia me kohë ka marrë nofkën e dikurshme të filo qylit, të atyre që mbaronin fakultetin filologjik. Përse të botosh? Që të mbetet libri stok, sepse libri shqip nuk blihet. E keni vëne re tirazhin e librit shqip? 300, po shtypen a s’shtypen 50 kopje. Dhe kjo është më e shumta.

Ç’të bëjnë botuesit? Si t’i japin oksigjen një qënie që po jep shpirt? E nxjerrim librin në treg, thonë, po nuk e kemi fajin ne që ai nuk blihet. Dhe është vërtet një realitet i hidhur, sepse libri kushton. Dhe prej librit shqip nuk fitohet.

Përse shkruaj? Kjo është një nga pyetjet themelore që iu bëhet autorëve të mirë. Përgjigjet janë nga më të ndryshmet, por në një arsyetim përmblidhen; shkruaj sepse dua të ekzistoj! S’di të bëj gjë tjetër! Të lindësh për të shkruar, të lindësh dhe me dhuntinë e vullnetit. Të shkruash bukur dhe të mos lexohesh, ky është një akt i tragjedisë.

Ç’pëlqehet më tepër? Letërsia e lehtë, poezia thellësisht e qartë, mundësisht (në rastet më të shumtë) me rimë. Atavizmë e shkollës fillore ku vjershat mësoheshin përmendësh.

Nëse shkruaj kështu, me zhgënjim të hidhur, nuk i futem pelivanllëqeve apo hipokrizive të disa autorëve, që luajnë me famën artificiale. Miqësite, të qënit deputet, ministër, gazetar me emër, pronar gazete, shef në tv etj., që prej mediokerve dinë të nxjerrin Kafkën e ardhshëm, që tallen me fjalën. Një papërgjegjshmëri kriminale.

Klanet po e rrënojnë letërsinë, sepse krijojnë shtampën e dy tre autorëve të shquar që duhet të kthehen në modele. Klani sillet rreth vetvetes, po ka djallezinë dhe zgjuarsinë e ligë të krijojë rreth vetes turmën e adhuruesve gjer në delir.

Letërsia vuan prej semundjes jashtëletrare. Teksti enkas lihet në hije, po vlerësohet gjithçka tjetër, prej lëvduesve të klanit që nuk lexojnë asgjë, përveç klanit. Ç’janë jashtë klanit vuajnë heshtjen. Kjo është vrasëse. Dhe gjithmonë, si në politikë, po ata krijues triumfatorë, që e kanë ngushtuar skajshëm republikën e vogël të letërsisë.

Vetëm kur mendoj për vuajtjen e saj (gjer në agoni) më krijohet një pështjellim, sikur jam brenda një vorbulle shfarosëse kaosi. Dhe jam i bindur që s’gaboj, siç jam i bindur gjithashtu që do të më kundërshtojnë.

Hyj nganjëherë në librari, pa atë kënaqësinë e dikurshme që më shtynte të shfletoja librat e rinj. Marr në duar libra të poetëve të mëdhenj; Trakli, Pessoa, Neruda, Jimenez, Rilke, i shfletoj ngadalë sikur ajo që prek nuk është letër po frymë, magji, zhgënjehem shpejt prej përkthimeve. Në shumicën e rasteve ata janë për të lëshuar kujën.

Mjerimi në prozë është një tjetër llahtari e llahtaruar, siç shprehet Poradeci. Mund të dish shumë mirë një gjuhë të huaj, po s’je artist. Emra të rinj, po fare pak art përkthimi. E merr dhe e lë librin, që gjithsesi të kujton disa përkthyes të mrekullueshëm që kanë jetuar dikur dhe nuk kanë pasues, veç ndonjë oshënar të guvës që shfaqet për ata që kuptojnë dhe shpejt zhytet në llumin e përgjithshëm të rishtarëve të gjuhëve të huaja, që e kanë shumë të zhvilluar të mësuarit përmendësh. 

Aq shumë janë shtuar nënshtetasit e nivelit të tretë në republikën e letrave, sa është shtuar gjithashtu mizëria e korbave mbi kufomat e librave. Kështu do të kalojë, të gjithë do të shkruajnë, gjersa letersia t’iu ngjajë shkresave të zyrës së përmbarimit, apo gjobave të policisë. Gjersa një emër i madh me famë botërore, si Ismail Kadare, një dite të harrohet prej buçitjes së bandës që do të shpallë çdo mëngjes nga një gjeni të ri, që sapo ka dalë nga punishtja e Dedalusit, atit të Ikarit.

©Roland Gjoza