Letërsi

Gazmend Kapllani dhe “Ditar i shkurtër kufijsh” - Nga Flurans Ilia

U bënë vite që nuk më ka rastisur të lexoj një libër të tillë sikur “Ditar i shkurtër kufijsh” me autor Gazmend Kapllani. Libër i cili më flet sikur ta kisha shkruar vetë me të njëjtin përjetim të asaj që kemi kaluar kur kapërcenim kufijtë. Kjo për arsye objektive dhe subjektive, në dy kahe njëherazi. 

Po përpiqem të kuptoj subjektivitetin përse një libër qëndron “i heshtur” në thonjëza me veten dhe të tjerë?

E para nga vendqëndrimi (nuk dua të përdor fjalën “pozicion luftimi”) i autorit (ideve të tij) në raport me praninë e publikut, nënkupto lexuesit (nëse ekziston një i tillë?) të cilit libri edhe autori i shfaqet në raport me kohën dhe hapësirën aktuale duke u përpjekur t’i flasin njëri-tjetrit me objektivitet.

E kemi të qartë besoj të gjithë se, koha dhe hapësira jonë, ku mjetet e informimit, komunikacionit dhe leximit janë përshpejtuar në atë farë mase nga teknologjia marramendëse, sa kërkon një akt pothuajse si ai i Prometeut t’i përkushtohesh leximit të një libri sot. Duam apo nuk duam, jemi përballë kësaj problematike aktuale. Dhe është grishës ky shembull i Prometeut sepse në debatin për etimologjinë e emrit të titanit qëndron përkthimi fjalë për fjalë si “I parathëni”. Prometeu ose I Parathëni. Gjërat fillojnë dhe koklaviten më tej sepse heroi i mitologjisë akuzohet se u vodhi zjarrin perëndive. Të gjithë në forma mëvetësie, jemi njëfarësoj “zjarrvjedhës”. Të gjithë jemi duke rendur. Të gjithë jemi një ingranazh i kohës të cilës i përkasim. Secili me mënyrën e vet. Të gjithë bëjmë pjesë në të ashtuquajturin progres. Të gjithë jemi në kërkim të dritës. Parë kjo në përmasën e hapësirave të cilat sa vijnë dhe ngrenë pikëpyetje të njëpasnjëshme në raport me njeriun, sepse kjo është natyra e tij në thelb, të ngrejë pikëpyetje për veten dhe të tjerë. Dikur të ndarë me kufij të jashtëm. Sot të kushtëzuar me kufij të brendshëm. Në të dyja kahet lufta e njeriut nuk ka për të reshtur asnjëherë drejt aktit të kërkimit të dritës. Sepse Fjala i përngjan njeriut. Libri është shqisa e padukshme ku autori përmbledh fjalë që kërkojnë të ngjashmin e vet. Fati i librit është fati i njeriut, pavarësisht kushtëzimeve subjektive me të cilat ata ndeshet sot. Do gjendet një grusht njerëzish të cilët ndajnë ato vlera që ngelen universale për çdo hapësirë, kohë apo qytetërim.

Erdhëm tashmë te objektiviteti i librit.

Ai grusht njerëzish është sak ai lexuesi i sotëm mbi të cilin në krye të këtij shkrimi ngritëm padrejtësisht pikëpyetjen nëse ekziston. Përgjigja është, po. Ekziston. Qoftë ky edhe një lexues i vetëm. Qoftë ky edhe një komunitet njerëzish që kanë përshkuar rrjedhën e jetës duke ndarë një përkatësi të caktuar historike. Historia përsëritet në njerëz dhe vende, periudha kohore, me forma nga më të ndryshmet, por me objektiv të njëjtë ama. Përpjekjen për të qenë i ndriçuar.

Kjo është parathënia që na bashkon me “sindromën e kufijve” të ditarit të Gazmend Kapllanit.

Ky libër më flet sepse kam kaluar në jetë përmes subjektit të tij tridhjetë e kusur vite më parë nga e njëjta udhë, me të njëjtët personazhe, në të njëjtën zonë konfliktuale të qenies, i karakterizuar nga e njëjta sindromë e kufijve. Më flet sepse ka shumë gjasa që të jemi shkëmbyer në ato rrethana me autorin dhe personazhet e tij. Dhe ja tek zbulon më tepër se çerek shekulli më pas, si për habinë tënde, një libër të titulluar “Ditar i shkurtër kufijsh” ku, përmes një hulumtimi të shprehur me një gjuhë të thjeshtë, aspak të koklavitur, kupton se edhe ti, vuan si lexues, vuan si qytetar tashmë i lirë i botës së qytetëruar.  Ke vuajtur si njeri, si refugjat, si emigrant, dikur nga “sindroma e kufijve”.

Milan Kundera është ndoshta, shkrimtari i vetëm që na ngjason në këtë drejtim me analizat e veta të karaktereve dhe subjekteve që ka krijuar. Ndërsa “Ditar i shkurtër kufijsh” me autor Gazmend Kapllani, për mua si lexues është gjetja zjarrvjedhëse drejt kuptimit të lirisë si parakusht i kushtëzuar. I takon lexuesit të përzgjedhë.

“Ditar i shkurtër kufijsh” është një doracak (dictionary pocket book) i shkëlqyer që çdo emigrant, refugjat, duhet ta ketë me vete, ose më e pakta ta ketë lexuar.

© Flurans Ilia