Keqardhje, turp dhe mëshirë për emigrantët tanë në Greqi - Nga Ilir Levonja
Në fund-dimrin e vitit 2020, koha e pandemisë, një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë që vinin nga Greqia u bllokuan në kufi. Nga njëra anë Greqia që i lejonte, nga ana tjetër Shqipëria që nuk i pranonte. Atëhere Edi Rama deklaroi me inat se: ''Kush do të vijë në kufi me pretendime të tjera, do të karantinohet në hotel me shpenzimet e veta, do të paguajë vetë një çmim fiks dhe do të kontrollohet nga Policia e Shtetit".
T'i thoshte këto fjalë një shtetar grek, a një serb, do ishte mëse e pranueshme, por këto i tha kryeministri shqiptar, i cili nuk tregoi asnjë përgjegjësi morale për një batalion shqiptarësh të cilët ktheheshin në shtetin e tyre së pari për arsye sigurie nga që shumë syresh nuk ishin legalë, por ilegalë.
Ishte bash ky burrë i shëmtuar që bënte show propagandistik me avionët e NATO-s, për gjoja riatdhesimin e shqiptarëve që i ishin bashkuar luftës civile në Siri, si gjoja lufta e shenjtë.
Unë nuk do i drejtohem aspak sot Edi Ramës, pasi nuk kam më të voglin dyshim që është një fatkeqësi kombëtare, po aq sa Enver Hoxha, për shkak të një fakti të dhimshëm, sepse shoh sot një Shqipëri totalisht revolucionare dhe aspak demokratike. Do u drejtohem atyre emigrantëve në Greqi si emigrant që jam edhe vetë.
Edi Rama sot meritonte shuplaka, shqelma, pështyma, pasi për të vetmin fakt, nuk kemi sot akoma të drejtën më minimale civile, votën për të zgjedhur. Pa iu futur mungesës së vemendjes, në lidhje me jetët e humbura maleve mes Greqisë dhe Shqipërisë, ku shqiptarët janë trajtuar si qenër të zgjebosur dhe jo si njerëz. Sot e kësaj dite nuk është bërë asnjë grimë për të ndrequr imazhin pasi ju gabimisht mendoni se ia hodhët bythës, ngaqë valvitët dy flamuj shqiptarë në mes të Athinës. Assesi, imazhi ndreqet me të drejtat tuaja civile, të cilat nuk u mungojnë 99% të emigrantëve nëpër botë.
Pak ditë më parë emigrantët maqedonas, votuan edhe nga këtej, ne akoma nuk e kemi këtë minimalitet. Thirrja për investime është totalisht një kurth i dështimit dhe destabilizimit, pasi një të çmenduri shqiptar i është mbushur mendja se është lider në rajon. Nuk e bën këtë për qytetari, por për karriken e vet, si e si tu japë sot shqiptarëve këtej dhe andej silazh të kripur për t’u përtypur dhe për të qënë të etur për ujë.
Po të ishte qytetar, do kishte pranuar dështimin, dhënë dorëheqjen dhe hapur krahun, do u kishte kërkuar ndjesë publike, dhe po publikisht do kishte deklaruar të drejtën tuaj të votës.
Në atë miting nuk u fol aspak për stadet tuaja, jetët e humbura maleve, lumenjve, burgjeve, shesheve publike mbas ndeshjeve të futbollit, për dëbimet tuaja, që janë një libër i pathënë, pasi paratë që vjedh idioti qeveritar, jepen në dy drejtime, investime për të vjedhur votën dhe telenovela turke, një trend që po vret përditë publikisht kulturën shqiptare, aq sot quhet demode, krijimtaria ta zëmë e Çesk Zadejës në raport me Noizin e Edi Ramës.
Ju kurrë nuk e kuptuat se astonomia dhe dhomat nën katet e poshtme ishin dhuratë jo se ishim shqiptarë të Shqipërisë, por shqiptarë të esnafit tonë politik. Por më fatkeqja është fakti që me kaq kollajllëk jetën tonë në demokraci, bash aty në tokën ku lindi demokracia, mundet tona financiare, vuajtjet tona plot dhimbje gjaku, ju ia falët një të çmenduri.
Kisha më shumë besim se bash për ata emigrantë që u izoluan maleve të Kapshticës, nga ky njeri, sot do t'i jepnin atij reston civile, por nuk e bënë. Kam përshtypjen se Shqipëria po kalon në një bjerrje kolektive dhe kjo e pranueshme, pasi janë produkt i serave të plastmasit të një propagande tepër të dhunshme, por këtë nuk e prisja nga emigrantët e El Dorados, e tillë ishte Greqia për ne, aty u drejtuan për së pari më guximtarët, më vitalja force e krahut shqiptare, por nuk paska qënë e thenë. Dhe sinqerisht ndiej turp, keqardhje dhe mëshirë.
© Ilir Levonja