Letërsi

Miti i një dashurie bashkëkohore - Nga Vangjush Ziko

Tema e dashurisë është një nga temat qendrore të krijimtarisë së poetit Preç Zogaj. Temë e preferuar dhe e trajtuar prej tij me një përkushtim të veçantë. Kjo dashuri na vjen nëpërmjet vargjeve të poetit duke kaluar në etapat dhe përshkallëzimet e saj, si një histori intime njerëzore e brishtë dhe komplekse.

Dashuria fillon me shfaqjen e saj pas qelqeve të dritareve të dhomës së djaloshit pas një nate pa gjumë, në agimin e mëngjesit të një dite që do të mbetet e paharruar për të:

“Nata i kishte mposhtur të gjithë veç meje,

Këndonin gjelat, padisnin, tallnin

pagjumësinë time të parë, të pafund.”

Dhe ky hero lirik ishte vetëm trembëdhjetë vjeç!

Dashuria zgjohet si një ndjenjë romantike e mrekullueshme:

“Sytë e saj shndrisnin prapa xhamit...

Gjelat këndonin, këndonin, këndonin

Bota po shurdhohej përgjithmonë,”

Po shurdhohej bota përreth nga rrahjet e zemrës dhe shpirtit të dashuruar, i cili një çast harron edhe veten i pushtuar nga magjia e saj. Një prolog ky memec, pa gojë e pa fjalë, i një adoleshenti, që provon për herë të parë në jetën e tij një natë pa gjumë. Ai sheh syhapur ëndrrën e parë të vërtetë në jetë.

Heroi lirik i Zogajt, ndjen që në zemrën e tij ka lindur një ndjenjë e bukur dhe e habitshme.

Ajo i zgjon ndjesinë se ka gjetur gjysmën tjetër, që i ka munguar për ta bërë të plotë veten e vet.

Ai ka gjetur gjysmën tjetër të vetes së vet. Aq ngjajnë me njëra-tjetrën këto dy gjysma, sa nuk shikon asnjë dallim midis tyre.  Ato flasin dhe kuptohen pa fjalë:

“Dashuria. Pa fjalë

Ajo qëndronte mes heshtjes sonë

kur shiheshim gjatë si dy të pagojë

dhe e dinim para tjetrit çfarë ka në mendje tjetri,

dhe flisnim dyshe edhe kur flisnim me vete….”

Dashuria kalon edhe përtej vetes së vet: “nuk mund të them tani/se sa trup, sa lëndë zhduken”.

Dashuria bëhet inkadeshente: “natën gishtat e mi përkëdhelin/hukamën tënde si një mjelmë”.

Ai nuk i zuri veshët me dyllë, si Odisea, as nuk i lidhi sytë. Ishte verbuar nga magjia e asaj ndjenje tashmë. Ai e pranon dashurinë ashtu siç i ardhi. Ai kalon bashkë me vajzën e zemrës çaste të lumtura erotike:

“hoqi udhën me dritën e saj

në shtëpi të huaja maskuar si altare,

ku pasi bënim dashuri më dorëzoje

më të çmuarin e gjërave, gjumin tënd”.

Ai fillon të ndiejë ditë pas dite se në shpirtin e tij është strehuar një ndjenjë e çuditshme, që e huton. Kjo ndjenjë pasionante fillon t'i ngjajë “përbindëshit” të përrallave apo të librave që ka lexuar. Nga përbindëshi i përrallave, ai ka vetëm fuqinë e papërmbajtshme të natyrës së tij për t'i zbuluar njeriut sekretet e pasionit që flenë në nëndërgjegjen e tij

Ai zbulon virtualisht të vërtetën e ekzistencës bilogjike seksuale njerëzore dhe bashkë me të, magjinë e puthjes së parë:

“Për herë të parë kam mësuar e provuar me ty pse je vajzë.

Për herë të parë e provove me mua, pse jam djalë”

……….

“S’do të fle më kurrë, s’do ta nxjerr nga kujtimi

fytyrën e vajzës që më mbështolli

me një shikim të ëmbël e më bëri burrë

shumë, shumë, shumë…përpara kohe.”

Përveç përbindshit me emrin “pasion” i del përpara përditshmëria e pamëshirshme, “që shtyn e shtyn ta shartojë/me të zakonshmen, banalen, bukurinë”

Një tjetër befasi zbulon ai. Dalëngadalë po fillon të bjerë “kimia e dashurisë dhe bukurisë”.

Për një çast mendon se u ngop, se mbaroi kjo përrallë!

Vjen çasti kur platiten ëndrrat. Lind një kuptim më i qartë për dashurinë:

“Kështu shumë kohë u pamë

n’Ahiret e përtejme

ku s’kishte as shtëpi, as përbetime,

ku s’kishte më asnjë fuqi mbi ne,

përveç një dhembshurie.

Dhe pasi u deshëm atje të dehur dhe të zgjuar,

u kthyem për të vdekur edhe njëherë këtu,

në një mënyrë të zakonshme dhe të paduruar,

të mbyllur jo në sy, porse në dru.”

Nuk qenkan një të dy gjysmat, qenkan dy! Një qenie me dy koka, me dy zemra. Një përbindësh i çuditshëm me dy fytyra, Që të dy fillojnë të dashurojnë gjysmën e vet. Fillon zvordhja. Fillon lufta për pushtet. Lind çuditërisht një logjikë e re. Duhet të bëhet kujdes me marrëdhëniet duke shmangur keqkuptimet për mendime të ndryshme.

Përbindshi Bukuri-Dashuri mjegullohet:

“Të mundësh pagjumësinë, të hedhësh armët,

Të shpallësh pa betejë kapitullimin,

Të vuash lëmshin në grykë, skuqjen në faqe,

Të presësh fundin, orën e pashmangshme

Kur i thërret mendjes dashuria,

Kur i mbledh flatrat dashuria,

Dhe fillon rënia…rënia…rënia.”

Vjen pjekuria, “mbaron magjepsja e trëndafilave”:

“Të ulësh sytë përdhe, të mbledhësh grushtat,

të mbash me forcë në fre përbrënda kafkës

një zgjim të ri zymbylash, përgjunjen

në altarin e vashës.”

Shkesa Afërditë hesht. Kjo heshtje do të thotë se secili duhet të vendosë vetë për bindjet, pikëpamjet mbi jetën e vet personale.

Liria ime mbaron atje ku fillon liria tënde.

Nuk vendos më Afërdita antike me pushtetin e saj hyjnor.

Ka ndryshuar dhe Afërdita. Ka zbritur nga Olimpi i perëndive mbi Tokën e njerëzve.

Dhe ndodh e papritura dhe e padëshirura. Rrugët ndahen: “unë nga t'ia mbaj, nga t'ia mbaj/në këtë ndarje”.

Gjysmës tjetër, asaj femërores, i pëlqen ta kërkojë fatin e saj nëpër Botë. Gjysma tjetër nuk mendon kështu.

Secili ka vendosur ndryshe për të ardhmen. Secili ka idealin e vet. Ka të drejtën e vet:

“Jo, jo mos m'i hidh ata sy

ku vendet vrapojnë si pulëbardha.

E rëndë është ardhja me ty

dhe shumë e rëndë mosardhja”.

Ka ndodhur ajo që nuk e kishin shkuar ndërmend.

Intuita është në thelb e pandryshueshme. Koha është një rrymë e vazhdueshme. Tek secili ekziston ndijimi personal i ekzistencës së vet për jetën, na mëson Bergsoni.

Filozofia e modernizmit krijon një ndërgjegje të re, një univers kulturor të ri, njeriu njëjësohet me botën globale:

“Fytyra që kam patur kur më dashuroje

pak nga pak humbi në troje të tjera”

……….

“Është vonë për t'u shkrehur në lotë

për herë të dytë brenda një jete.

Nuk kthehet as Krishti, as Dashuria”.

R. Bart na mëson se forma e mitit krijohet nga kuptimi që i nënshtrohet konceptit të autorit. Mënyra më e mirë e çmitizimit është krijimi i mitit artificial. Në këtë rast, “miti i dytë” përfaqëson mitologjinë e vërtetë. I përkushtuari përjeton një vdekje mistike dhe ringjalljen.

Preç Zogaj shkruan një mit të kohës së vet.  Koha jonë është koha e ndarjeve të motivuara individualisht. Nuk ka më ndërgjegje kolektive si në mitet e lashta. As si në shoqërinë komuniste. Njeriu e ka humbur përkatësinë e ndërgjegjes mbi botën dhe kufijtë e jetës së vet. Heroi lirik bredh me vetminë e vet buzë detit me kujtimet dhe me një shpresë, por deti (deti i jetës me dallgët e veta) i largohet:

“Për të satin gusht, për të satën verë

shkoj e vij zbathur këtyre brigjeve,

duke humbur flokë, duke provokuar

evolucionin me këtë marrje fryme

me ketë të menduar.”

……….

“Papushim perëndojnë ngjarje të mëdha.

Shkëmbime të krahëve, buzëve, trupave,”

Heroi i mbeten vetëm kujtimet:

“Ditët nuk bëjnë asgjë veç bien

njëmijë, dy mijë, tre mijë…. Rrotullohen,

mjergullohen, treten rreth pulpave të tua.”

Kujtimet e kthejnë në atë mëngjes kur e”tallnin këndezat”:

“në melankolinë e vjetër,

si të më zgjojë djalë,

si të më verë në rrugë

me çantën në krahë.”

Dhe heroi lirik e mbyll “festën dhe kalvarin e dashurisë” i trishtuar dhe i ngushëlluar njëheresh:

“Njeherë tjetër do flasim gjatë

për pengun tënd, për pengun tim.

Pres të rikthehet në gjendje të lëngshme

guri që mbaj në gjoks.”

Kush fitoi dhe kush u mund? Asnjëri! Të dy fituan pjekurinë dhe lirinë e vetmisë ekzistenciale të shekullit:

“Si shkëmb të mban pjekuria jote,

Qetësi guri të premton sa të jesh gjallë,

Qetësi terri sa të jesh i vdekur.”

Këtë na thotë ky mit i ri, apo më mirë ky “antimit”. Kjo mitologemë bashkëkohore, kjo histori e një dashurie që mbyllet me një epilog realist të një jete intime të emancipuar, që ka si moto të saj lirinë dhe të drejtën e njeriut për të respektuar ndjenjat e veta dhe të tjetrit. Dashuria na bashkon, por ka edhe të drejtën e saj të na ndajë. Fatet njerëzore janë të ndryshme, Ka takime. Ka dhe ndarje. Vetëm kujtimet mbeten të pandara:

“gjithë gratë e bukura të një kohe të shkuar,

Të dashurit e tyre të një kohe të shkuar

ngulen kështu andej-këndej

në oborre, në stola, në spitale

në rrokullima ditënetësh ku kujtimet

vdesin grumbull.”

Autori ka meritën e veçantë se “biografia” poetike e kësaj dashurie na vjen si diçka e freskët, pa sentimentalizma, pa ëndrra të trëndafilta, por dhe pa profanira e pa skolastika.

Në këtë kuptim, është meritë e çmuar e Preç Zogajt, që na vjen me një antimit, me një botëkuptim të ri neomitologjik mbi Dashurinë.

Heroi lirik i kësaj poezie është një individualitet artistik i mëvetshëm, jo vetëm për nga kuptimi dhe pasqyrimi i përshfaqjes së botës së tij të brendshme, por dhe mbartës i një botëkuptimi të avancuar filozofik dhe estetik mbi temën e dashurisë.

Autori e trajton këtë temë në vëllimet “In love” dhe “Një e tretë, Dashuria”.

Autori na vjen më i plotë dhe i veçantë në trajtimin e kësaj teme, të kuptimit dhe të trajtimit të dyshes klasike të dashuruar, modeluar sipas konceptit ndryshe, larg konceptit sentimental e romantik apo i atij klasik dhe veçanërisht i ndryshëm krejtësisht nga paradoksi bashkëkohor banal i dashurisë dhe i erosit.

Preç Zogaj ec në hullinë e poezisë moderne, e cila e shfrytëzon këtë temë të lashtë të trashëguar nga mitologjia antike apo ajo biblike për të konstruktuar mitin e tij,

Autori huazon nga mitologjia antike mitologemën e dashurisë të personalizuar nga perëndesha Afërditë si “shkesë” të kësaj dashurie, ndërsa, nga tradita e lirikës së lashtë na sjell “flladet e saj” të pashtershme.

Një përvojë kjo e veçantë dhe e rrallë e poezisë sonë moderne.

©Vangjush Ziko