Letërsi

Ju detyrohem një shpjegim - Tregim nga Dashnor Kokonozi

E jetuar

Kur dëgjon për ndarjen e një çifti të njohurish, ke përshtypjen se lajmi vjen me zhurmën e mbytur të një thyerjeje të dhimbshme eshtrash. Nuk mësohesh asnjëherë me një zhurmë të tillë. Herën e fundit që e dëgjova ishte kur mësova se Engjëll F. ishte ndarë nga gruaja e tij. I njihja të dy, atë dhe të shoqen, Ditin. Asnjëherë nuk kisha pikasur në marrëdhëniet e tyre gjësendi që t’i përngjante qoftë edhe një urrejtjeje të përzemërt. Kam njohur të tjerë që më shtinin frikën me sherret e tyre prej gladiatorësh amatorë dhe besoja se brenda pak kohe do ta kishin shqyer njëri-tjetrin. Madje do ta kishin prerë në copa të barabarta me hanxhar të marrë borxh për atë rast te kasapi i lagjes dhe pasi ta kishin paketuar mirë e bukur në qese plastike që i ruanin tinëz për atë rast, do ta kishin futur tashmë në frigorifer, me shpresë se do ta bënin të vuante edhe nga ngrica, por edhe për të shpënë në vend atë fjalën që thotë se urrejtja është një pjatë që hahet me nge dhe e ftohtë.

E pra, ata janë gjithnjë bashkë. Si zakonisht, duke i lehur njëri-tjetrit, madje shqetësohen nëse përgjigja që marrin nuk është në të njëjtën lartësi shurdhuese të shkallës muzikore. Kur i telefonova Engjëllit, se mendoja se ishim aq miq sa duhej t’i telefonoja, më tha menjëherë se ishte e vërtetë. Nuk jetonte më me Ditin. Dhe meqë i kisha telefonuar në kohën e duhur, më njoftoi se nga java do të organizonte një mbrëmje të vogël midis miqsh dhe do të ishte mjaft i kënaqur po të më shihte edhe mua dhe time shoqe.

Nuk u ndjeva mirë. Druhesha se një ditë më pas do ta takoja Ditin në rrugë dhe duke pyetur njëri-tjetrin për të rejat e fundit do të isha i detyruar t’i tregoja se kisha qenë te martesa e Engjëllit. Ajo, për të mos u dukur artificiale në indiferencën e saj, do të më pyeste se çfarë mendoja për gruan e tij të re. Mua, ajo mund të më kishte lënë përshtypje të shkëlqyer, por nuk e dija nëse do të rrija dot gojëkyçur, pa u treguar hipokrit. Nuk ishte pra, një qokë fare e patëkeq prania ime në festën që organizonte Engjëlli.

- Po ku - e pyeta, - ku do të mblidhemi?

- Në shtëpinë time, - më tha, - aty ku jemi mbledhur gjithnjë.

- Po mirë, u habita, ti jeton me dy gra tani?

- Kur të vish do bisedojmë më gjatë, - më tha dhe menjëherë shtoi. - Gruaja ime e re quhet Mariana, njihemi prej kohësh dhe mezi pres t’ju njoh.

Nuk i kisha hiç të qarta konturet e asaj ndarjeje dhe prisja gjithnjë të mësoja si kishte ndodhur që e kishte nxjerrë aq kollaj Ditin nga jeta e tij. Dhe me atë rast, shpresoja që Engjëlli të ishte pak a shumë bindës në argumentet që kishte. Të paktën nuk do të kufizohej të më tregonte se kishte ardhur një çast që kur duart i shkonin te këmbët e Ditit, atij i dukej sikur prekte këmbët e tavolinës së bukës a nuk e di çfarë tjetër!

Një kohë të shkurtër e kisha njohur Ditin nga afër dhe kisha përshtypje të mrekullueshme për të. Nuk më kujtohet se çfarë sajova për të përligjur mosardhjen e gruas sime. Në të vërtetë asaj as që i tregova se ku do të shkoja. Ishim grindur për nuk e di se çfarë dhe kishte disa ditë që nuk më fliste. Druhesha se ftesën për të shkuar te dikush që festonte kthimin e lumtur te dashuria e tij e parë, fill pas një ndarjeje të rrufeshme, ajo do ta merrte si një formë shantazhi...

E vërteta ishte se aftësia e Engjëllit për të kaluar nga një dashuri te tjetra, pa asnjë periudhë tranzicioni, ishte e mahnitshme edhe për mua vetë. Në sytë e mi, bashkëjetesa me një person është një proces i gjatë përshtatjeje të dyanshme dhe jo gjithnjë i këndshëm e paqësor, është mbase investimi më i madh që bëjmë në jetë. Ta mbledhësh shuk kështu e ta hedhësh në koshin e plehrave, sesi më dukej.

Pritja jepej në sallonin kryesor të vilës, në atë ku ai dhe Diti kishin punuar vite të tëra për të krijuar mjedisin e tyre të ëndërruar. Muret ishin patinuar me kujdes dhe kornizat midis dritareve qenë derdhur në forma floreale prej allçie. Trarët që kalonin kryq e tërthor tavanit ishin lënë të paprekur, në ngjyrën e tyre natyrore. Kishte diçka prej teatri epik në to. Tamam aty Diti na kishte shtruar sa e sa herë darka të shkëlqyera dhe unë kisha frikë se ndonjë nga dyert e shumta përqark tij do të hapej rrufeshëm dhe ajo që të dilte me një tabaka plot pije e meze të mira, duke thirrur për ndihme, sepse rrezikonin t’i binin nga duart. Më tej nuk e dija çfarë. Mbase do të priste që ta uroja për gruan e re të Engjëllit, të cilin ajo për një mijë arsye nuk do ta linte vetëm në një ngjarje aq të shënuar në jetën e tij. Mbi të gjitha sepse e kishte dashur shumë.

Është e tepërt të them se të gjitha këto hamendje më flisnin më shumë mua për gjendjen time të turbullt.

Mariana ishte e zënë me disa prej miqve të saj dhe hera herës kthente kokën nga ne. Edhe ajo, krejt e paduruar për t’u njohur me mua. Që në fillim pata përshtypjen se e kisha parë diku.

- Ka shumë të ngjarë, - qeshi Engjëlli, - do ta kesh parë me mua, pastaj jeta na ndau. Ajo ishte violonçeliste në një orkestër dhome dhe pak kohë më pas u nis në një turne të gjatë koncertesh. Kur u kthye, takoheshim gjithnjë e më rrallë...

Unë në të vërtetë nuk e kisha parë kurrë Marianën me Engjëllin por mbase në një nga koncertet e asaj orkestre, që drejtohej nga një shef fare pa talent. Me atë rast më erdhi menjëherë ndërmend edhe historia e atij turneu që më përmendi Engjëlli. Më saktë m’u kujtua skandali që e shoqëroi. Hollësitë i dhanë me bollëk gazetat, që shkruajtën për organizimin e keq të turneut, për sallat e mbyllura që gjenin, për mungesën e mikpritësve. Së fundi për të përligjur fondet e marra nga sponsorët e shumtë orkestrën mezi e kishin pranuar të jepte shfaqjen e vetme në festivalin e një komune të Tetovës, me rastin e përfundimit të vjeljes së rrushit.

Në kthim skandali u shfaq në një formë tjetër. Gruaja e shefit të orkestrës e akuzoi të shoqin se ai turne kishte qenë një sajesë e tij për t’u gjendur nëpër dhomat e hoteleve me një nga instrumentistet e tij. Madje premtoi se faktet do t’ia përplaste në sy në sallën e gjyqit, por gjyqi nuk u bë kurrë. Ata që ia kishin pëshpëritur në vesh të vërtetën e atij turneu, në çastin e fundit nuk pranuan të dalin dëshmitarë të skenave të padëgjuara që kishin parë në qytetet nga shkonin. Aq më pak të përmendnin emrin e Marianës. Për pasojë, çështja ishte mbyllur.

- Atëherë pas më se njëzet vjetësh ti je kthyer te dashuria tënde e parë? - e pyeta Engjëllin pa qenë shumë i qartë ku kisha vënë këmbët.

- Mund të thuhet edhe kështu, - ia bëri ai, dhe zgjati dorën nga Mariana, e cila më në fund qe shkëputur nga miqtë e saj dhe po afrohej te ne.

Nuk do të qe shumë korrekte po të mos shënoja se ajo grua më la një përshtypje vërtet të shkëlqyer. Kishte veshur pantallona të zeza me shtat të lartë dhe një bluzë të gjerë, në ngjyrë kremi. Një zinxhir i hollë ari me një ametist në trajtën e një pike loti, i varej deri midis gjinjve. Lëvizjet e saj të kujdesshme i shoqëronte një erë e lehtë parfumi që nuk e kisha ndjerë gjëkundi, gjë që provon se vërtet, cilado që të jetë marka e parfumit, ajo gjithmonë merr diçka të veçantë nga lëkura e secilit. Fliste qetësisht dhe më pohoi edhe ajo se për disa vite kishte qenë në një orkestër dhome, por që më tej për shkak se duhej të kujdesej për nënën e paralizuar, ishte tërhequr nga jeta koncertale dhe punonte mësuese solfezhi në shkollën e muzikës së qytetit.

Më kërkoi ndjesë dhe u drejtua te e ëma, që edhe ajo ishte e pranishme aty, në një karrige me rrota. Kur u kthye më tha se mamaja e saj kishte dashur të dinte cili isha unë dhe duke qeshur shtoi se nuk i kisha pëlqyer hiç. Qeshëm të dy. Më gjithë sinqeritetin dhe humorin, që me sa dukej nuk i mungonte, në asnjë rast nuk pashë te ajo gjësendi që të më kujtonte lumturinë e një gruaja që kishte mundur të kthente te vetja dashurinë e jetës së saj, gjë që Engjëlli nga ana e tij, përpiqej ta vinte në pah me gjithë ç’mundej. E kuptoja sjelljen e tij. Ai linte pas krahëve më shumë se dy dekada jetë bashkëshortore dhe me siguri ndjente detyrimin të tregonte vlerën e shtuar të lumturisë që kishte sjellë Mariana në jetën e tij. Dhe nëse ishte kështu, ia arrinte fare mirë. U dilte përpara të ftuarve, u paraqiste Marianën duke e tërhequr nga duart, e puthte në ballë, pastaj përpiqej menjëherë t’i rregullonte ato pak fije flokë që nuk ishin më në vendin e tyre. Në ndonjë rast e pashë ta linte Marianën me të ftuarit dhe të shkonte edhe ai te nëna e saj, që vrojtonte gjithçka nga maja e karriges me rrota ku ishte mbërthyer. E pyeste nëse kishte nevojë për gjë dhe ajo në çdo rast i kërkonte ta shpinte në banjë. Dikur e kishte pyetur se kur do t’ia përshtaste atë shtëpi personave me aftësi lëvizjeje të kufizuar dhe ai i kishte premtuar se kjo do të ndodhte shumë shpejt.

E kam të qartë se në të tilla raste, për dashurinë e mëparshme nuk flitet, si të ishte një i vdekur i bezdisshëm, që sa më shpejt ta harrosh aq më mirë është, por nuk besoja që Engjëlli të ishte aq i marrë sa të mos lexonte në sytë tanë pyetjet e shumta që na mundonin.

- Po Diti? - e lëshova veten së fundi.

- Çfarë, Diti? - pyeti ai i befasuar.

- Si e priti këtë punë? - këmbëngula heroikisht. I doja të dy dhe kisha frikë se do të ishin viktimë të ndonjë krize që i kishte gjetur të papërgatitur, gjë që nuk u ndodh kurrë atyre që herë-herë nuk harrojnë t’i lëshojnë ndonjë garuzhde në kokë njëri-tjetrit.

- Ah, Ditit do i jem mirënjohëse për jetë! - psherëtiu, ai. - Ia shpjegova historinë time me Marianën dhe ajo më bëri vetëm një pyetje: ku do të jetosh me  të? I thashë se nuk e dija. Jetoni këtu, më tha, në këtë shtëpi. Unë do të shkoj të banoj te djali. Tani më thuaj ti, a mund të mos i jem mirënjohës Ditit?

Tunda kokën, pa e ditur as unë përse.

- Gjithsesi, do të jesh shpjeguar me të?

- Atë po të them. Nuk i fsheha asgjë.

- Atëherë, më lejo ta riformuloj pyetjen time. Ajo e ka pranuar ashtu siç ia shpjegove ti historinë e dashurinë tënde të re, por ajo ka të drejtë të dijë se çfarë i ka munguar martesës tënde me të. Si ka ndodhur që ti ke menduar gjithë kohën për Marianën?

- E pra, i dashur, asnjë pyetje e tillë. Diti e di mirë se ka qenë e gjitha në qendër të përkujdesjes dhe vëmendjes sime.

- Nuk dyshoj për këtë...

- Atëherë çfarë? - ia bëri ai me një ton që linte të kuptonte se nuk i pëlqente aspak pyetjet e mia.  

Mariana po afrohej përsëri te ne me delikatesën e paimitueshme të lëvizjeve të saj. Fytyra e Engjëllit u çel dhe u përkul lehtë nga unë.

- Kemi lindur në të njëjtën shenjë horoskopi. - më tha. - Unë dhe Mariana jemi të dy Binjakë.

Nuk kishte kuptim të kërkoja ndonjëfarë logjike tjetër në këtë histori. Ai nuk kishte mundur të shqitej kurrë nga ajo grua.

- Çfarë po komplotoni ju të dy? - pyeti Mariana.

- Po flasim për dashurinë e përjetshme, - thashë unë.

Ajo qeshi dhe u kthye anash të bënte pak makiazh me ca gjeste femërore, të hijshme e të shpejta.

- Sa kohë që zgjat, dashuria është e përjetshme, - tha pastaj duke kapur nga të dy duart Engjëllin e mrekulluar që dukej se po zbulonte se në këtë bote ka gra që të kuptojnë edhe kur nuk flet. Dhe shtoi. - Shpresoj se këtë nuk e dëgjoni për herë të parë nga unë.

Qesha dhe i ndoqa me sy të dy, tek shkuan të bëjnë qarkun e të ftuarve, për paraqitjen zyrtare të dashurisë së tyre. Ai e tërhiqte lehtë nga dora dhe ajo zhvendosej pas Engjëllit me hapa të qetë e të ngadalshëm, si të ishte duke eksploruar fundin e një pishine të mbushur me ujë.

Ky është imazhi i vetëm që kam ruajtur nga ajo mbrëmje. Nuk kujtoj të kem dëgjuar shumë gjëra të tjera para se të më njoftojnë për vetëvrasjen e Engjëllit. Këtu dua t’ju kursej trillimet e kripura që përcilleshin me aq pasion nga goja në gojë në kafetë e qyteti tonë. Se vërtet thuheshin gjëra që nuk më vinte mirë kur i dëgjoja. Natën që ata kishin fjetur bashkë, nuk kishte ndodhur asgjë e stuhishme, përveçse në një çast ai e kishte thirrur me emrin e Ditit, pastaj për të korrigjuar lajthitjen ishte përpjekur të jepte më të mirën e tij. Një gjë të tillë dukej se Mariana nuk e kishte përjetuar në të njëjtin intensitet. Kur iu duk se ai ishte mbytur në djersë dhe lëvizjet e tij bëheshin gjithnjë më të mundimshme e më të ngadalta, ajo kishte ngritur kokën dhe e kishte pyetur: Mbaruat?

Ai do të kishte dashur që ajo më mirë të përpëlitej në një orgazmë të rreme se sa t'i bënte atë pyetje.

Që nga ajo ditë Engjëlli kishte nisur të vuante nga një krizë e rëndë lemze dhe dhimbjeje brinjësh. Unë kisha mundur ta shoh një a dy herë në rrugë duke shtyrë karrocën e mamasë së Marianës, por nuk kisha arsye t’i jap ndonjë kuptim të veçantë një gjesti të tillë. Kujtoj se më atë rast, gruaja ime përfitoi të më thotë se i vlerësonte shumë përpjekjet e mikut tim për të mbajtur gjallë flakën e dashurisë së rinisë së tij të rigjetur. Engjëlli asaj i linte përshtypjen e atyre djemve të shkathët që u drejtojnë lloj-lloj komplimentesh qenve të zonjave në parkun e qytetit, me shpresë se ato do të tregohen disi më të afruara ndaj tyre.

Këtë skenë e pashë edhe një herë tjetër, por tashmë ishin përhapur fjalë se ai ishte vënë në kërkim të Marianës së tij, e cila prej ditësh nuk ishte kthyer në shtëpi. Të gjithë përveç atij e dinin se ajo kishte ikur përgjithnjë me atë dirigjentin e dështuar të orkestrës së dhomës, lidhjet me të cilin i kishte ruajtur gjithnjë. Hotelet e periferisë me çmime të ulta ishin dëshmitarë të privilegjuar të takimeve të tyre. Veçse në çastin që ai mori vesh se asaj nuk i pëlqente më një gjë e tillë dhe kishte vendosur të bashkëjetonte me Engjëllin, shefi i orkestrës ishte pushtuar nga një krizë e thellë xhelozie. Kishte kuptuar se çfarë përfaqësonte Mariana për të dhe përfundimisht mori vendimin të braktisë të shoqen.

Engjëlli nga ana e tij ishte mjaft i shqetësuar edhe për shëndetin e mamasë së saj. Kishte frikë se ajo do të binte nga shkallët bashkë me karrocën e saj dhe policia do ta akuzonte atë se e kishte bërë për hakmarrje. Kjo e shtynte ta merrte gjithnjë me vete në ato kërkimet e tij të dëshpëruara. Unë nuk guxoja t’i afrohesha. Druhesha se do të më kërkonte të kujdesesha për ata grua uloke, sa kohë që ai do të vijonte të kërkonte Marianën e tij. Ose të paktën atë që kishte mbetur e tij te Mariana. Gjithsesi, të vërteta apo jo, kjo nuk më pengonte të mendoja se të dëshirosh një grua është një gjë dhe të jesh hajvan është gjë tjetër. Më dukej se ai kishte një ide fort të vakët për lumturinë. Të paktën nuk kishte bërë asnjë përpjekje që para se të vihej ta kërkonte atë te Mariana, të pyeste veten nëse ishte i lumtur me Ditin. Se thuhet që lumturia ka pamje mjaft të zakonshme dhe nganjëherë asaj i kalon anash pa e vënë re...

 Urgjenca mjekësore e kishte gjetur nënën e Marianës, te këmbët e kufomës së Engjëllit që varej në një nga trarët e mëdhenj në ngjyrë arre të sallonit. Paraliza i ishte ngjitur edhe në pjesën e sipërme të trupit të saj të pakët dhe ajo nuk kishte mundur t’u japë asnjë shpjegim policëve. Unë mbërrita vetëm pak kohë pas Ditit, e cila në regjistrat e gjendjes civile figuronte gjithnjë si gruaja e tij legjitime.

Më doli përpara dhe mbështeti kokën te supi im. Po e shtrëngoja ende në krahët e mi kur asaj i shkuan sytë te një zarf, që kishte rënë përtokë, që i drejtohej asaj.  Kur u përkul ta marrë ndërkohë që unë e mbaja prej krahu, pashë kalimthi se letra me shkrimin e Engjëllit që nxori nga zarfi fillonte me fjalët: Ju detyrohem një shpjegim...

Nuk e lexoi deri në fund. E futi përsëri në zarf dhe e la aty ku ishte. Nuk i bëra asnjë lloj interpretimi këtij gjesti. Nuk dija nëse duhej ta merrja si shenjë mospranimi të ndjesës që i kërkonte, apo të aktit të tij të vetëvrasjes. Mbaj mend që më shtrëngoi fort krahun, si të kishte nevojë të mbahej.

Jam i sigurt se një ditë ajo kishte pritur kthimin e Engjëllit dhe jo të kufomës së tij. Kishte bërë një sakrificë të paimagjinueshme, por ajo që kishte ndodhur kishte shkuar tej parashikimeve të saj.

© Dashnor Kokonozi

(Nga vëllimi me tregime “Transaksioni”)