Letërsi

“Prokurori i brengosur” Ahmet Prençi - Nga Frano Kulli

Shënime rreth librit "Brenga e Prokurorit"

“Brenga e Prokurorit”, vetvetishëm , në fillesën e leximit të josh drejt një shijeje disi metalike; kjo, përsa i takon momentit përzgjedhës të leximit, që është orientimi i secilit lexues. Po veçmas i atij lexuesit, i cili receptorët e vet i përqëndron të gjithë te teksti letrar, duke e lënë krejt jashtë tyre autorin e tij. Megjithatë, asesi nuk mund të shmanget si një pikë orientuese autori. Aq më tepër që rasti ynë vjen disi i parathënë, si rasti i një leximi të vështirë për nga ngarkesa emocionale që të ofron. Sidomos për një tipin e lexuesit, që “plaket” si i tillë i brishtë, që nuk ka pasë në preferencën e leximit lëndë letrare kësisoji, siç është rasti i romanit në fjalë, në të cilin merr trajtë e zhvillohet sfida e dominimit të së drejtës mbi të padrejtën, të drejtësisë me bazë ligjin mbi të padrejtën kriminale që e shkarravit dhe e nëpërkëmb të drejtën e ligjin. E, herë-herë e dominon atë deri në kufijtë e zhbërjes.

E gjitha kjo ngarkesë është një kërshëri e thellë, po ndërkohë edhe e paragjykuar që të vjen prej titullit më së pari, po edhe prej autorit për së dyti, kur di së largu diçka nga curricula (karriera) e tij jashtëletrare. Por kjo zgjat krejt pak. E sheh që suprizohesh së bukuri, qysh në faqen e dytë a të tretë kur fillon të kundrosh në të tjera rrahe e në të tjera gjendje fort e fort më të bukura e hiç e aspak të lodhshme. Dhe të përshkruara mjeshtërisht si të tilla. Ndaj, unë për të vijuar në sa thashë, po ndalem në detajet parathënëse e në larminë e gjuhës, gjithashtu, që janë elemente domethënëse të strukturës së romanit, por edhe sfiduese ndaj paragjykimit deus ex machina, të fillimit të leximit.

Pa hyrë në analizën me themel e të hollësishme të teksit letrar, për të cilin s’është rendi këtu, unë dëshiroj që ndalesën time me e ba përmes disa detajeve, që për mua e kanë bërë të mundur krijimin e tablosë së impresioneve (përshtypjeve) të përftuara nga leximi i veprës. E fillon te vizatimi i tavolinës së punës së prokurorit, Martinit; mbushur me dosje të ndenjura e të përditësuara, aso dosjesh-prush për nga përmbajtja e tyre, që ndenjësin në poltronën e asaj zyre e mbajnë si përmbi gjemba; dy foto janë e pandryshueshmja e rekuizitës së saj; fotoja e familjes, e gruas me dy djemtë dhe e Arturit, kolegut e shokut të tij të ngushtë, të vrarë. Dy kolona të forta shumë ku ai mbahej gjatë gjithë kohë-punës së tij të pakufij kohe.

Masandej, shija e athët, për të cilën folëm në kryeherë , vjen e zbutet shpejt tek çapon nëpër linjën e butë të dashurisë së Martinit me Elizën e mbështjellë me ngrohtësinë që buron prej lidhjes së përzemërt. Që prej feksjes së ndezur të shikimeve dashuria zhdërvjellohet e vijon me takimin e parë jashtë zyre. Njëri flet për Tiranën, të cilën e ka për zemër njësoj si atëhere kur Tirana nuk kishte ndryshuar si tani, kurse tjetra... Ah tjetra, tjetra flet për Shkodrën e saj e për jaret shkodrane. E kështu takimi përvijohet vetvetishëm për në Shkodër. Një sfond i përkryer me moralitet gati puritan i dashurisë, në kontrast të thellë me raportin e përmbysur që ekziston midis moralit dhe imoralitetit kriminal, midis vesit dhe virtytit, që qe edhe dilema e madhe që mbisundonte në zyrën hijerëndë të prokurorit. Në atë zyrë, ku vlon me u zgjidhë mëdyshja e madhe në mes Martinit si Martin, si njeri dhe prokurorit, në mes ligjit dhe krimit. Edhe atëherë kur ata janë të ndërthurur së mbrendshmi, pavullnetshëm, deri thellë në përzjerjen e gjeneve të vetë qenieve të përballura skajshmërisht. Marjan Boja, i pandehur vrasës, me gjasë është biri biologjik i vetë Martinit. E tashti, rrethanat i kanë vendosë përballë. Në dy skajet e përballjes së përhershme midis së drejtës për një jetë të paqme dhe krimit përkundruall që e dhunon atë.

E gjithë ngjarja bazike e romanit futet mjeshtërisht fort ndërmjet dy lidhësëve të gjetura e bindëse, të gërshetuara me shumë finesë. Kërcënimi fillestar i Arjanës “nëse ti nuk ndryshon materialet në dosje, nuk do të flas me ty siç po flas sot”, që pasohet me letrën shantazhuese dërguar prej oligarkëve, padronë të punëve të pista për të cilat, kishte shërbyer, krejt me padije Marjan Boja, të cilën, paradoksalisht ia sjellin nëpërmjet të nipit të tij. Mesazhi i së cilës, sa kërcënues aq edhe ndërgjegjevrasës është thelbi i saj: një gjë që nuk bëhet me para, bëhet... me më shumë para, kaq i egër është. Dhe lidhësja tjetër, ajo në kapitullin përmbyllës “Pretenca para Zotit”, ku sillet rrëfimi i pastorit amerikan me historinë e 100 dollarëshit të të gjykuarit dhe gjykatësit. Fabula që rrëfehet është kjo: Në një sallë gjyqi i pandehuri do të gjykohet për 100 dollarë, detyrim i papaguar.

-Nuk i kam, përgjërohet i akuzuari dhe gjykatësi bindet në pohimin e tij. Megjithatë , sipas ligjit ai duhet dënuar. Atëherë gjykatësi zbret nga tryeza e tij, i afrohet të akuzuarit, nxjerr nga xhepi 100 dollarë dhe ia shtjen në xhep të akuzuarit... dhe kështu i akuzuari lirohet nga akuza.

Ngjarje lidhëse të tilla, që nuk mund të kalojnë pa ndalesë të fortë me përshtypje tek lexuesi. Sikurse, Martini-prokurori e gjen pafajsinë e shpirtit për “mëkatin” e tij të adoleshencës së herëshme me të ëmën e Marjanit edhe pse “një copëz biologjike” e tij u shndërrua në kriminale.

Këtij përfundimi i prin gjithë formimi psiko-social i prokuror Martinit në raport me të drejtën, qysh heret në fëmijërinë e tij, kur përjeton arrestimin e karrocierit të kooperativës, Rushanit, me një tufë kalamajsh e me një vajzë uloke, për agjitacion e propagandë, vetëm e vetëm se, në rrethanat e mizerjes së jetës së varfër e me derte të panumërta, tek rrëkëllen ndonjë gotë raki lëshon fjalë pa “doganë” e për këtë e plandosin në burg... E kur vajza e mjerë mbyll sytë, të atin nuk e lejojnë as ti hedhë një grusht dhé. Qysh këtu, fillon e formësohet thirrja e mbrendshme për të drejtën e mbrojtjen e saj, që e çon disi kuptueshëm drejt... prokurorit. Por, pa iu larguar asnjëherë vetvehtes së Martinit.

Ka diku nga mesi i romanit një rrëfim emocionues të kolegut të “stazhionuar” të tij, Sokolit. Ai i rrëfen Martinit një ngjarje nga koha tjetër, ajo e diktaturës, kur asistonte aktin e ekzekutimit të një të dënuari me vdekje: “Ma kërkon detyra të të pyes, cila është fjala jote e fundit? Ai po më shikonte pa iu dridhur qerpiku. Për çudinë e tij, në ato çaste të fundit të jetës, iu shfaq një njeri që po i shprehte keqardhje. Një njeri që sa herë i ishte shfaqur përballë në gjykatë, kishte qenë i rëndë dhe i kishte folur me ton të lartë, të sigurt dhe të ashpër. Ai më pa me një vështrim që s’do ta harroj kurrë. Nuk i pashë lot në ata sy të zinj e të thellë. Po dyshoja se sytë e mi, më ishin rrëmbushur tashmë. I jepja kurajë vetes. Shefi i policisë dhe skuadra e pushkatimit po më prisnin mua të mbaroja rolin tim formal, të kotë e krejt fals. Kështu e kërkonte ligji. Nejse. Pasi më pa gjatë e me një vështrim therës, ashtu i qetë tha: “Prokuror e kam ba vedin me më dënue me vdekje. Kam vrarë dy djem të rinj 20 vjeçarë, çka nuk e meritoj të jetoj dhe unë. Fjala ime e fundit është të ma bëjnë hallall prindërit e viktimave, që i lashë pa djem.” Tha këto fjalë, hodhi një vështrim rreth e rrotull e duke m’i ngulur sytë, vazhdoi: “Le të rrijë dhe baba jem pa djalë”. I vura dorën në sup, një gjest që tregonte dhimbjen time. “A mundesh prokuror, të më zgjidhësh e të shkoj n’atë botë i lirë, i palidhun?” Nuk u mendova gjatë, por iu drejtova shefit të policisë dhe skuadrës së pushkatimit: - Zgjidheni! - u thashë. - Zgjidheni menjëherë!”

E me detaje e ngjarje me kaq ngarkesë emocionale po edhe monologje të personazhit qendror gjithashtu, ka shumë në roman, të cilat, thurur me mjeshtri rrëfimtare po edhe me sens estetik e mbajnë pezull leximin deri në faqet e fundit, tek kumti i Martinit: i kërkoj kësaj trupe të nderuar gjykuese, dënimin e të pandehurit Marjan Boja me burgim të përjetshëm. Ndaloi paksa, mori frymë thellë dhe shtoi: - Madje dhe më shumë…, por ligji është ligj.

E papranueshme, mund të thuhet a mendohet; ka disa mënyra të tjera për t'ju shmangur vendimit “in extremis” për të dënuar me burgim të përjetshëm birin e për të qëndruar në anën e ligjit, gjithashtu. Njëra prej tyre tërheqja dhe përcjellja e pretencës te një tjetër prokuror. Njihen raste në praktikat e mira gjykuese në tribunale shëmbëlltyra për ne.

Po fundja, a s’është kjo letërsia? Letërsia e tejkalon realitetin, madje pretendon ta ndikojë atë. Dhe letërsinë e mirë, pos të tjerash e bën edhe gjuha e zgjedhur. E unë, s’mund të rri pa i risjellë këtu edhe pak, fare pak shembuj për këtë sa thashë: “të mban pezull në askund”, “përtej dritares dukej edhe terrinë”, “sytë e saj të bukur... sy vrasës”, “ndjente një angështi të përhershme”, “familjar i përplotur”, “njerëz prej gize”, “bisedonin: ashtu si me fjalë ere a stërkala të heshtura shiu”, “djalli fluturon me erën”, “kapërthyerje ndjenjash” etj., etj.

Të dashur miq, desha me ju thanë se kam lexue një roman të mirë. I dashur Ahmet, urime megjithë zemër. Kurse si botues më lejoni me shpreh edhe një dëshirë: do të kisha dashtë që “Brenga e Prokurorit” të ishte botim i “Botimeve Fishta”

© Frano Kulli