Gazmend Bardhi vazhdon të mos zhgënjejë!? - Nga Milaim Nela
Konferencat e shtypit të eksponentëve të lartë të Partisë Demokratike si partia më e madhe opozitare gjithmonë ngjallin interes për median dhe publikun. Kur konferenca është e kryetarit të Grupit parlamentar sigurisht ndiqet me interes edhe për mesazhet që jep.
Gazmend Bardhi edhe sot nuk zhgënjeu me qëndrimet e tij. Ai edhe kësaj radhe u kujdes të flasë në emër të Grupit parlamentar e jo si zëvendëskryetar apo në emër të Partisë Demokratike.
Gazmend Bardhi u kujdes që të mos e përmendë apo t’i referohet asnjëherë të vetme kryetarit të partisë së tij, i cili ndohet në burg shtëpiak. Përkundrazi dha mesazhin e nënkuptuar se Partia Demokratike nuk ka kryetar apo për të shkuar më tej, ai ashtu siç thotë Rama dhe “Rilindja” spiropaliste, është i vdekur
Po e deklaroj qartë që në fillim, pavarësisht çfarë mendoj për Ervin Salianjin si politikan, une kam bindjen se ai është dënuar në mënyrë të padrejtë e antiligjore. Kjo është krejt e dukshme. Denimi i Salianjit është akt kundër opozitës në vazhdën e shkatërrimit dhe eleminimit nga skena politike të Partisë Demokratike, të cilin Edi Rama do që ta realizojë me çdo kusht para se të largohet nga skena politike. Edi Rama nuk ia fal Sali Berishës përzënien nga PD që ky i fundit i bëri në dhjetor të vitit 1990.
Po le të kthehemi tek konferenca e shtypit e Gazmend Bardhit. A e quajti dënimin e Salianjit akt të dënimit të Partisë Demokratike, por këtë nuk e ka thënë asnjëherë për Sali Berishën, kryetarin e Partisë Demokratike.
A iu referua Ervin Salianjit si përfaqësues i popullit, por këtë nuk e ka thënë asnjëherë për Sali Berishën kryetarin e partisë së tij.
Ervin Salianji është deputet i rëndësishëm i Partisë Demokratike, por akti i dënimit të tij nuk ka të krahasuar me burgosjen antiligjore e antikushtetuese të Dr. Sali Berishës, kryetar aktual i opozitës, ish-kryeministër e ish-president i vendit.
Partia Demokratike po bën akte publike në mbrojtje të deputetit Ervin Salianji duke mbledhur kryesinë dhe vendosur për protesta kombëtare duke filluar nga 6 tetori dhe mirë bën. Por, as forumet e PD, as Gaz Bardhi nuk morën asnjë masë të tillë kur u burgos në shtëpi në mënyrë të paligjshme kryetari i Partise Demokratike në fund të vitit të kaluar. Me 29 Dhjetor bënë akt publik vetëm një grup të rinjsh të grupimit Brain-Gain të cilët herë e quajnë veten pjesë e PD, e herë organizatë partnere. Asnjë akt nga forumet e larta të PD. Zero.
Gazmend Bardhi sot iu përgjigj me një PO të fortë pyetjes së një gazetari nëse Grupi parlamentar do protestojë para Parlamentit Europian për dënimin e Salianjit, por në informacionet që kam unë, ai dhe shumë të tjerë kanë refuzuar kur kjo është propozuar për të protestuar për arrestimin e paligjshëm të Sali Berishës.
Sot Gazmend Bardhi u la të kuptojë tutorëve eurotlantikë dhe atyre të ambasadave se ai është në kontroll të plotë të misionit të tij, që është uzurpimi i Partisë Demokratike dhe nxerrja nga skena politike e Sali Berishës.
Miq, e di që shumë prej jush do mërziteni nga ky opinion, por ndoshta ju nuk jeni gati ta pranoni të vërtetën e hidhur që po ndodh para syve tanë.
Unë besoj se përderisa Sali Berisha vazhdon të mbahet në burgim të paligjshëm me akuza pa asnjë bazë ligjore, vula dhe sigla në bindjen time i janë dhënë me marrëveshje jo Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën, por Partisë Demokratike të Gazmend Bardhit, i cili asnjëherë nuk e ka artikuluar në ligjëratë të drejtë se Sali Berisha është kryetar i partisë së tij.
Sot në konferencën e gjatë të shtypit ai as edhe pa emër nuk iu referua Sali Berishës si kryetar i PD jo e jo, por as si deputet i Partisë Demokratike. Indirekt iu referua si deputet opozitar.
Nga sot unë kam jo vetëm dyshime siç i kam patur dhe artikuluar herë pas here, por jam i bindur se ka një komplot jo vetëm të “të bashkuarve”, por dyshoj se në këtë skemë të fëlliqur janë përfshirë edhe eksponentë, që demek e kanë mbrojtur Sali Berishën qysh ditën që e pezulloi Lulzim Basha nga Grupi paralmentar.
Flitet për eksponentë të PD dhe një numër deputetësh aktualë të përfshirë në dosje përgjimesh e që qarkullon në rrethe gazetareske. PD duhet të pastrohet nga këta individë një minutë e më parë sepse këta janë kontigjent që shantazhohen.
Partia Demokratike sot ka kryetarin e saj në BURG të paligjshëm shtëpiak e për këtë nuk bëhet asgjë.
Personalisht besoj se ka një marrëveshje për ta zvarritur “lojën opozitar” deri në zgjedhjet e ardhshme ku bash këta që injorojnë sot Sali Berishën garantojnë një vend deputeti në listen e një PD-je humbëse e në opozitë, e mëpastaj Sali Berishës do t’i tregojnë derën përmes satutit të partisë.
Miq, koha punon kundër nesh, kundër opozitës e ka ardhur koha që t’i shohim gjërat dhe situatat ashtu siç na shfaqen para nesh, e jo të të sillemi si gomari të cilin po e hante ujku e thoshte “Zot bëje ëndërr”!
Kemi shumë pak kohë për ta shpëtuar Partinë Demokratike, si e vetmja shpresë dhe forcë potenciale për të shembur diktaturën ramomondiste.
E kjo fillon me marrjen seriozisht të çeshtjes së lirimit nga izolimi i paligjshëm i kryetarit të Partisë Demokratike Dr. Sali Berishës.
Kjo është A-ja e gjithçka tjetër më pas.
© Milaim Nela