Ilir Meta - Nga Lutfi Dervishi
Ilir Meta mund të ishte sot duke dhënë mësim në fakultet por, ende pa mbaruar studimet në dhjetor të 90-tës, vendosi t'i futej rrugës së politikës për të kapur, si rrallë kush brenda tri dekadash, majat e profesionit të dytë më të vjetër në botë, politikës, si ministër, kryeministër, kryetar Parlamenti dhe president i Republikës.
Sot, ai u arrestua rrëmbyeshem me akuzat për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion. Bashkëshortja e tij dhe bashkëudhetarja politike deri para pak muajsh, hetohet në gjendje të lirë.
Akuza do duhet të provojë në gjykatë se "çfarë ka marrë Meta", ndërkohë historia do të vleresoje edhe çfarë ka dhënë ai në këto 30 vite.
I vetëbërë në politikë, Meta u bë kryeministri më i ri i tranzicionit, në moshën 29 vjeçare. I vlerësuar si kryeministër i suksesshëm me 1999-2001, Meta synoi shumë shpejt gjithçka. Dha dorëheqjen pas përplasjeve me kryetarin e PS Nano dhe u nxitua të krijonte LSI, më 2004. Nëse do të kishte përvojën e durimit strategjik, një vit më pas ai mund të ishte kryetari i natyrshëm i PS.
Me LSI, Meta arriti të thyejë përkohësisht dypolin PS-PD. Forca e krijuar prej tij bëri të mundur rotacionin me 2005 dhe 2013.
Aleanca me PS, më 2013 i dhuroi pushtet për herë të dytë LSI, pas 4 vjeçarit me PD. Aleanca me Ramën është dhe fillimi i fundit të LSI. Kur partia e krijuar prej tij nuk mundi të luante rolin e “king maker”, mbeti vetë “king”.
Katër vjet kryetar Parlamenti dhe 5 vjet president i Republikës ishin dhe majat e pushtetit personal të Metës. Nga lartësia e kreut të shtetit ai përballoi dy "impeachment" nga shumica që e zgjodhi, por pa edhe rrudhjen e LSI, që u mundua ta ripërtërijë pas mandatit presidencial (2017-2022), duke e riformatuar si Partia e Lirisë.
“Pushteti lodh ata që nuk e kanë”! Lëre pastaj ata që e kanë! Kjo maksimë u provua me Metën dhe partinë e tij.
Akuzat për korrupsion, përballjet në vite me prokurorët, paranoja që sjell për cilindo qoftë pushteti i gjatë, retorika e pakontrolluar, i sollën kosto politike, familjare dhe se fundmi edhe ligjore.
Në gjykatë Meta do të ballafaqohet me një hetim 5-vjeçar të SPAK për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion.
Meta sot po përjeton një nga episodet më të errëta të karrierës së tij. Ashtu siç historia do të tregojë çfarë ai ka dhënë për politikën shqiptare dhe për vendin, drejtësia do të tregojë se çfarë ka marrë prej tyre.
Tani, beteja e radhës e Metës eshtë me drejtësinë, që mund të vendosë epilogun e një karriere të mbushur me kontradikta. Në politikë ai ka vertetuar thënien se mund të vdesë disa herë!
© Lutfi Dervishi