Opinione

Kosova s’mund të firmosë më pak se njohja nga Serbia

Nga: Shaban Murati

Fantazitë diplomatike të presidentit të Serbisë, Vuçiç, lidhur me Kosovën, janë shtuar së tepërmi në prag të raundit të bisedimeve të tij me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Në datën 9 qershor Vuçiç njoftoi se do të zhvillohet një tip i ri dialogu për normalizimin e marrëdhënieve deri në fund të muajit qershor. Fantazia e tij nis me “dialogun e tipit të ri”, në një kohë që dialogu në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ka shtatë vjet që zhvillohet. Të dy shtetet kanë firmosur në 19 prill 2013 dhe një marrëveshje për parimet e normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Serbia e ka shkelur dhe po e shkel çdo ditë me të dy këmbët.

Fantazia e presidentit të Serbisë vazhdon me ëndrrën idiote diplomatike serbe të një të ashtuquajture “Rambuje 2”, të cilën ai e quajti “Rambuje 2 apo 5”, por që sipas tij mund të organizohet edhe në Los Anxhelos apo në Tokio. Dhe e mbylli prroin e tij psiqik diplomatik me alarmin e rremë për një të ashtuquajtur pushtim të veriut të Kosovës nga shqiptarët, në një kohë që veriu është pjesë e shtetit sovran të Kosovës.

Fantazitë diplomatike të presidentit serb demostrojnë trekëndëshin pa rrugëdalje, ku ai e ka futur veten nëpërmjet refuzimit për të ndërmarrë hapin e vetëm dhe të parin e normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe, që është njohja e Kosovës nga Serbia.

Beogradi po përpiqet të krijojë tym dhe konfuzion diplomatik për vonuar marrjen e vendimit të detyrueshëm të njohjes së Kosovës, si kusht për anëtarësimin e saj në BE. Dalldia politike, ku ndodhet, e bën presidentin serb të mohojë madje edhe nevojën e ndërmjetësimit të deritanishëm të BE dhe të deklarojë në 9 qershor se nuk ka zgjidhje pa SHBA dhe pa Rusinë.

Në një situatë të tillë përçartjesh diplomatike nga Serbia, e cila po ndihmohet shumë nga Rusia dhe nga disa shtete, që nuk e njohin Kosovën, ka shumë rëndësi që udhëheqja e Kosovës të ruajë ekuilibrin e saj jetik dhe strategjik. Pas shtatë vjet bisedimesh me Serbinë me ndërmjetësimin e BE në Bruksel, nuk mund të pranohen “tipe apo forma te reja dialogu” siç kurthëron presidenti serb. Nuk mund të pranohen propozime hermafrodite, që sanksionojnë varësinë e Kosovës nga Serbia, siç janë idetë idiote të ndarjes së Kosovës apo të kënaqjes me një karrige në OKB.

Kosova nuk mund të pranojë më pak se njohja e saj nga Serbia. Kjo është porta e madhe e normalizimit real të marrëdhënieve dypalëshe, e cila duhet hapur. Udhëheqja e Kosovës nuk mund të lejojë veten të futet në labirinte projektesh diplomatike serbe e proserbe, të cilat devijojnë pavarësinë e saj dhe statusin e saj të konfirmuar nga Tribunali më i lartë juridik i OKB si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare.

Është një detyrë historike, para së cilës nuk mund të ketë asnjë lloj hezitimi apo lëshimi, sepse pavarësia është e drejta supreme e paprekshme dhe e pakthyeshme.

Është një detyrë historike, e cila i takon edhe Shqipërisë të shprehet me zërin e saj të vendosur në arenën ndërkombëtare për të drejtën e pavarësisë së Kosoves. Ruajtja e pavarësisë së Kosovës është çeshtje e madhe mbarëkombëtare, njësoj si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ajo kërkon mobilizim diplomatik të të dy shteteve shqiptare, kërkon mobilizim mbarëkombëtar për të mbrojtur kombin dhe territoret e tij.

Tagged under Shaban Murati