Rroftë mbreti i ri - Nga Eric S. Margolis

Eric S. Margolis
Këtë javë emocionuese, njeriu që synon të bëhet mbret i gjithçkaje bëri deklaratat e tij të para. Groenlanda duhet të blihet nga Shtetet e Bashkuara. Kanadaja duhet të shitet te SHBA. Gjiri i Meksikës duhet të riemërtohet “Gjiri i Amerikës”.
Trump ka nisur një garë për ribranding imperial. Franca kërkon rikthimin e asaj që dikur quhej Blerja e Luizianës. "E shitëm shumë lirë në vitin 1803 për vetëm 15 milionë dollarë sepse falimentuam duke financuar Revolucionin amerikan kundër britanikëve dinakë. Duam ta rikthejmë - me interes. Gjithashtu duam pjesë të Kebekut që u rrëmbyen nga SHBA. Rroftë Franca!".
Për të mos mbetur mbrapa, Spanja dhe Meksika janë bashkuar në një padi të përbashkët duke kërkuar që SHBA të kthejë pjesët e Meksikës Veriore dhe Kalifornisë të rrëmbyera në vitet 1840.
Meksika u detyrua të dorëzojë mbi 55% të tokës së saj te amerikanët. Ish-udhëheqësi nacionalist francez, Jean-Marie Le Pen, të cilin e intervistova në vitet 1980, më pat thënë: "Ju amerikanët e keni vjedhur Kaliforninë nga Meksika. Tani ata po e rimarrin përmes emigracionit". "Un bon mot" (fjalë me vend), siç thonë francezët.
Spanja ka pretendime për Kaliforninë, të cilën dikur e sundoi. Spanja gjithashtu dëshiron t’i rikthehen Filipinet dhe Kuba. Holanda dëshiron rikthimin e Manhattan-it dhe Luginës së sipërme të Hudson-it. Kam ndjekur një shkollë të shkëlqyer holandeze në New York, të themeluar në vitin 1635.
Gjermania kërkon rikthimin e kolonive të saj të mëparshme, Samoa dhe Ishujt Marshall. Rusia kërkon që Kina t’i kthejë bazën e madhe detare në Port Arthur (Lushun). Pekini gjithashtu kërkon që Moska t’i rikthejë rajone të mëdha të Siberisë të pushtuara në shekullin e 19-të kur Kina ishte e dobët.
India, Pakistani dhe Kina të gjitha kanë pretendime të mëdha në Karakorum dhe Himalaja. Trump mund t’i zgjidhë këto çështje të nxehta mes kombeve që zotërojnë armë bërthamore sapo të kuptojë se ku ndodhen gjeografikisht.
Sa për Afrikën e errët, mos pyesni fare. Trump i ka quajtur vendet e saj “vrima të ndyra” dhe nuk është shumë larg të vërtetës.
Dhëndërri i tij, Jared Kushner, është i zënë duke u përpjekur ta shndërrojë Shqipërinë e vogël në një tjetër St. Tropez. Gjithashtu përflitet se ai mund të planifikojë të njëjtin fat për Rripin e Gazës, pasi të gjejë se çfarë duhet të bëjë me banorët e saj të mjerë, gati 50,000 prej të cilëve janë vrarë dhe 100,000 të tjerë plagosur nga armët amerikane të dhuruara nga plakushi matuf, Joe Biden.
Do të ishte mirë të mos i kishim skifterët ultra të djathtë të Izraelit dhe financuesit e tyre të Wall Street që drejtojnë presidencën dhe Kongresin amerikan. Na duhen ca burra red-blooded të pasurive të paluajtshme. Ata dinë si të zgjidhin pothuajse çdo problem duke ndërtuar kondominiume dhe kazino. Ata gjithashtu dinë si të bëjnë që malet e borxheve të zhduken si me magji. Dhe të shndërrojnë pronat e pashfrytëzuara, si Groenlanda, në investime të dobishme dhe fitimprurëse.
Relike historike si kanalet e Panamasë dhe Suezit duhet të riemërtohen "Trumpways" dhe të vendosen nën kontrollin e Autoritetit Portual të New York-ut.
Britania, që tani drejtohet nga humbës dhe perversë, sipas mendimit të Trump, do të ishte një kandidat i shkëlqyer për përfshirje si shteti i 51-të së bashku me Kanadanë, ose si shteti i ri i 52-të.
Eshtë e vërtetë se shumica e kanadezëve nuk duan të jenë pjesë e SHBA, por ofrojuni atyre një ulje taksash prej 50% dhe dërgojuni Departamentin e Policisë së New York-ut, që është më i madh se ushtria kanadeze, dhe qëndrimi i tyre do të ndryshojë. Përveç kësaj, Trump e njeh mirë Kanadanë falë Fox TV. Kanadaja do të mësojë ta dojë Mbretin Donald I.
© Eric S. Margolis 2025