Mendime mbi shakanë e Donald Trump - Nga Endrit Mullisi

Si shumica e kanadezëve, shakaja pa kripë e Donald Trump mbi idenë e bashkimit të Kanadasë me Shtetet e Bashkuara nuk më ka lënë një shije të mirë.
Që nga fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA, kam ndjekur me vëmendje “planet” e tij dhe mund të them se disa prej tyre i konsideroj pozitive. Natyrisht, nuk jam një observues absolutisht neutral, prandaj ky është thjesht mendimi im aktual.
Ajo që më ka bërë përshtypje është aftësia e Trump për të krijuar një ambient mendor përpara se të ndërmarrë veprime konkrete. Ai duket si një mjeshtër i përdorimit të surprizave dhe provokimeve për të formësuar pritshmëritë. Megjithatë, shakaja e tij për aneksimin e Kanadasë është diçka që, për mendimin tim, nuk mund të pranohet.
Të duket si oferta e një gangsteri pasanik, që shkon tek shtëpia e një familjeje të varfer dhe i thotë burrit: "Ti nuk ke këllqe për një grua të tillë. Më mirë e marr unë dhe të jap bukë dhe raki të hash e pish gjersa të vdesësh".
Kanadaja nuk është Shqipëri, që ndoshta mund të kishte dëshirë për t’u aneksuar nga Amerika. Kanadaja ka patur (dhe vazhdon të ketë) liderë me një qasje në disa aspekte sociale dhe ekonomike, të cilat unë personalisht nuk i shoh gjithmonë si pozitive, por pavarësia e Kanadasë nuk duhet të vihet në diskutim, aq më pak përmes një shakaje të tillë nga një president i zgjedhur.
Një burrë shteti duhet të flasë me peshë dhe maturi, dhe jo në mënyrë të tillë që krijon pasiguri ose mungesë respekti.
Mbështetja e madhe që Trump ka marrë - dhe jo pa arsye - duke marrë parasysh karakterin e tij megaloman, më ngjall një ndjenjë shqetësimi. Më duket sikur vizioni i tij i vertete nuk eshte “Make America Great Again” (MAGA) por “Make Trump Great Again” (MTGA), prandaj kemi arsye për të qenë vigjilentë.
© Endrit Mullisi