Keqmenaxhimi i Liberalëve dhe rënia e lirë politike e Kanadasë - Nga Petro Karanxha

Sa poshtë do të bjerë Kanadaja para se të arrijë fundin?
Kanadaja aktualisht është në një gjendje rënieje të lirë, me paqëndrueshmëri politike, pasiguri ekonomike dhe marrëdhënie të tensionuara ndërkombëtare, që krijojnë një klimë shqetësimi. Kjo është trashëgimia e një dekade të politikave liberale të gabuara që kanë rrënuar ekonominë, kanë rritur borxhin kombëtar, dhe kanë dobësuar tej mase diplomacinë dhe politikën e Jashtme. Shkalla e vërtetë e dëmit mbetet e panjohur dhe ne nuk do të dimë sa shumë është dëmtuar Kanadaja deri sa të arrijmë fundin.
Kriza e udhëheqjes: Trudeau lë pas një kaos politik
Njoftimi i kryeministrit Justin Trudeau për dorëheqje nuk erdhi si surprizë për shumicën e kanadezëve. Pas viteve të vendimeve të dobëta dhe keqmenaxhimit ekonomik, ai po largohet duke lënë pas një vend të fragmentuar dhe një qeveri të paaftë për të menaxhuar krizën që ai vetë krijoi. Largimi i tij, i pritshëm deri në 9 mars 2025, vjen pas pakënaqësisë së brendshme në rritje dhe mbështetjes në rënie nga publiku. Dorëheqja e zëvendëskryeministres Chrystia Freeland në dhjetor 2024 vetëm sa e përkeqësoi krizën, pasi ajo u largua për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikat fiskale dhe trajtimin e tarifave të mundshme nga SHBA.
Ndërsa Partia Liberale përpiqet të zgjedhë një lider të ri - me kandidatë si Chrystia Freeland apo ish-guvernatori i bankës qendrore dhe ish-këshilltari ekonomik i Justin Trudeau Mark Carney, pasiguria mbi të ardhmen politike të Kanadasë thellohet. Zgjedhjet federale të planifikuara për tetor 2025, apo siç përflitet edhe ato të parakohshme në pranverë, mund të jenë një mundësi për ndryshim, por pasojat e qeverisjes së Trudeau do të ndihen për vite me radhë.
Tronditja Ekonomike: Pasojat e politikave liberale
Gjatë viteve të qeverisjes Trudeau, Kanadaja ka përjetuar një rritje të taksave, një borxh kombëtar që ka dalë jashtë kontrollit dhe një varësi të tepruar nga shpenzimet qeveritare. Tani, si një rezultat i drejtpërdrejtë i këtij keqmenaxhimi, Kanadaja po përballet me një krizë ekonomike dhe një presion ekonomik serioz nga SHBA. Presidenti Donald Trump, ka vendosur përsëri në shënjestër Kanadanë, duke kërcënuar të vendosë tarifa 25% mbi gjithë importet kanadeze dhe në veçanti 25% për çelikun dhe aluminin. Aplikimi i kësaj politike tarifore nga fqinji jugor mund të shkaktojë një goditje të rëndë për industritë kyçe, duke përkeqësuar më tej një ekonomi që tashmë po lufton me inflacionin dhe krizën e përballueshmërisë së banesave dhe te kostos se jetesës në përgjithësi.
Në përgjigje ndaj presidentit Trump, Trudeau i cili vrapoi ta takonte atë ende pa bërë betimin, u premtoi më pas kanadezëve se çdo tarifë do të përballej me masa të menjëhershme kundërvepruese. Megjithatë, me largimin e tij pas pak ditësh, aftësia e Kanadasë për të reaguar në mënyrë efektive mbetet në pikëpyetje. Ky është rezultati i një dekade pa një strategji të qartë ekonomike, me vendime që kanë favorizuar rritjen e burokracisë dhe jo zhvillimin industrial apo mbrojtjen e prodhuesve vendas. Ne jemi në një rënie të lirë pa asnjë plan apo strategji sigurie të qartë.
Siguria kufitare: Një dështim i radhës
Një tjetër krizë e rëndë që ka shpërthyer si rezultat i dobësisë së politikave liberale është çështja e sigurisë kufitare. Raportet flasin për operacione të kontrabandës njerëzore përgjatë kufirit Kanada-SHBA. Kontrabandistët kanadezë, ose "kojotat", po përdorin platformat e mediave sociale si TikTok për të reklamuar kalimet e paligjshme në SHBA. Ky problem është kthyer në një pikë të ndezur diplomatike, duke tensionuar më tej marrëdhëniet me Uashingtonin dhe duke ngritur shqetësime mbi zbatimin e sigurisë kufitare.
Në vend që të forconte politikat e emigracionit dhe të siguronte kufijtë, Trudeau e lehtësoi hyrjen e emigrantëve të paligjshëm, duke krijuar një problem që tani është kthyer në një çështje ndërkombëtare. Kjo është një tjetër shembull i pasojave të politikave liberale, ku siguria dhe interesi kombëtar janë vënë në plan të dytë në emër të një agjende naive dhe të papërgjegjshme.
A do të rimëkëmbet Kanadaja?
Me pasigurinë ekonomike dhe paqëndrueshmërinë politike që ushqejnë këto sfida, është e qartë se Kanadaja është në një spirale rënëse të shkaktuar nga një dekadë qeverisjeje të dobët dhe politikat e dështuara liberale. Situata vazhdon të përshkallëzohet për keq dhe pa një rotacion, një udhëheqje të re vizionare dhe politika të forta ekonomike, nuk dihet se kur - ose nëse - vendi ynë do të rifitojë stabilitetin. Ne jemi në rënie të lirë dhe vetëm kur të arrijmë fundin dhe të ndjejmë dhimbjen, do marrim vesh se sa shumë kemi rënë.
© Petro Karanxha - Toronto