10 çështje kryesore që kanadezët nuk duhet t’i harrojnë para zgjedhjeve - Nga Petro Karanxha

- Nga: Petro Karanxha - Toronto
Ndërsa zgjedhjet e përgjithshme në Kanada po afrojnë, është koha për të bërë një bilanc të 10 vjetëve të fundit të qeverisë Liberale. Nga skandalet etike deri te mbrojtja e të drejtave civile, nga kriza e banesave deri te shpallja e gjendjes së emergjencës apo borxhi publik alarmant, Liberalët kanë lënë një gjurmë shumë të diskutueshme, ndoshta edhe shkatërrimtare. Më poshtë po rendis 10 çështje që kanadezët duhet t’i kujtojnë kur të vendosin për të ardhmen e vendit.
- Skandale etike: Besimi i humbur
Qeveria Liberale prej vitit 2015 do kujtohet për disa skandale etike që tronditën besimin e kanadezëve. Nga ndërhyrja e politikës në çështjen SNC-Lavalin që pagoi 36 milionë dollarë ryshfete në Libi, veprim që dënohet me ligj, e deri te skandali i WE Charity, ku 534 milionë dollarë të taksapaguesve u akorduan pa tender. WE Charity i kishte paguar më perpara familjes Trudeau 425,000 dollarë për fjalime. Liberalët aplikuan një model favoritizmi dhe mungese transparence. Pse duhet të shqetësohemi? Miliona dollarë nga taksat tona janë shpenzuar në hetime dhe tarifa ligjore për të mbyllur syte e njerëzve mbi këto çështje. Kujtojmë gjithashtu deklaratën e ish-ministres së Drejtësisë Jody Wilson-Raybould, që më pas u dorëhoq dhe u largua nga Partia Liberale, deklaratë sipas të cilës zyrat e kryeministrit dhe ministrit të Financave u përpoqën të ndërhynin pranë saj në çështjen SNC-Lavalin për të garantuar që firma të shmangte një gjyq penal. Wilson-Raybould pat refuzuar të bashkëpunonte për një gjë të tillë. Ndërkohe skandali i WE Charity, ishte dhe një nga arsyet prej të cilave ministri liberal i Financave Bill Morneau u detyrua të dorëhiqej për shkak se kishte përfituar dy udhëtime familjare me një vlerë 41.000 dollarë. Sigurisht nuk duhen harruar as pushimet e kryeministrit Trudeau pranë milionerëve miq personalë nëpër ishuj ekzotikë.
- Kriza e banesave: Ëndrra e humbur
Çmimet e banesave kanë shkuar në qiell, duke e bërë ëndrrën e një shtëpie të përballueshme të pamundur për shumë kanadezë. Në qytete si Toronto dhe Vancouver, çmimet mesatare i kanë detyruar blerësit e parë të ndihen sikur po luftojnë kundër mullinjeve te erës së Don Kishotit. Në vitin 2015 çmimi mesatar i shtëpive në Toronto dhe rrethina ka qenë 605,898 dollarë ndërsa në janar të këtij viti çmimi mesatar në të njejtën zonë arriti 1,274,541 dollare, pra 100% rritje. Pse duhet të shqetësohemi? Familjet po shpenzojnë mbi 60% të të ardhurave të tyre vetëm për strehim, kur kjo shifer nuk duhet të jetë më shumë se 25%, ndërsa qiraja po i shtyn të rinjtë në skamje financiare. Kriza e banesave nuk është thjesht një problem ekonomik - është një krizë sociale që po i detyron shumë vetë të braktisin ëndrrat e tyre. Kjo ishte dhe arsyeja që Liberalet ndalën ardhjen e studentëve ndërkombëtarë sepse në Brampton të Ontarios ata po flinin nëpër tenda ose stacione autobuzi.
- Borxhi kombëtar: Një bombë me shpërthim të vonuar
Borxhi kombëtar i Kanadasë ka shkuar 1.35 trilion dollarë, një shifër që të bën të dridhesh kur mendon se çdo kanadez, përfshi këtu edhe fëmijët tanë, kanë një borxh individual prej 32,765 dollarë. Ndërsa shpenzimet gjatë pandemisë ishin të nevojshme, mungesa e një plani të qartë për të reduktuar deficitin është alarmante. Pse duhet të shqetësohemi? Fëmijët tanë do të paguajnë për këtë borxh. Sa i përket peshës së borxhit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto (PBB), ajo është mbi 100% dhe sipas FMN (Fondit Monetar Ndërkombëtar) Kanadaja ka një raport prej 107.49%. Kjo do të thotë se borxhi i vendit tejkalon prodhimin e tij ekonomik vjetor, një situatë që mund të ndikojë në normat e interesit, investimet dhe stabilitetin e përgjithshëm ekonomik.
- Protesta e kamionistëve dhe shpallja e emergjencës: Një kapitull i errët
Përdorimi i Emergencies Act për të mbyllur protestën e kamionistëve krijoi një hendek mes kanadezëve. Ndërsa disa e mbështetën qeverinë për të rikthyer rendin, të tjerë e panë këtë si një sulm ndaj të drejtave civile. Pse duhet të shqetësohemi? Më 23 janar 2024, Gjykata Federale vendosi që kjo shpallje e gjendjes së jashtezakonshme ishte e paarsyeshme dhe shkeli disa dispozita të Kartës Kanadeze të të Drejtave dhe Lirive. Gjykata arriti në përfundimin se situata nuk e përmbushte pragun e lartë të kërkuar për të shpallur një emergjencë kombëtare. Disa masa, si ndalimi i tubimeve publike dhe ngrirja e llogarive bankare, u konsideruan si shkelje e padrejtë e lirive të shprehjes dhe mbrojtjes kundër kontrollit dhe sekuestrimit të paarsyeshëm. Qeveria Kanadeze nuk reagoi me asnjë koment për këtë megjithëse ne paguam për të gjitha me taksat tona.
- Të drejtat e popujve autoktonë: Premtime të parealizuara
Pavarësisht premtimeve për pajtim, komunitetet autoktone vazhdojnë të luftojnë për ujin e pijshëm, shëndetësi dhe arsim. Protestat e Wet’suwet’en dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura mbi tokat janë një kujtim i hidhur i një historie të pambaruar. Pse duhet të shqetësohemi? Kriza e popujve autoktonë ka vazhduar për dekada. Disa komunitete kanë përjetuar paralajmërime për mospërdorim uji të pijshëm për më shumë se 20 vjet. Kjo mungesë e zgjatur e aksesit tek uji i pijshëm i pastër dëshmon ekzistencën e problemeve sistemike dhe nevojën për zgjidhje gjithëpërfshirëse. Qeveria Liberale u angazhua për ta trajtuar këtë krizë. Që nga nëntori i vitit 2015 e deri në mars 2025, 35 paralajmërime mbeten ende në fuqi.
- Rritja ekonomike: Një përrallë e pabarabartë
Rritja ekonomike ka qenë e pabarabartë, me rajone si Alberta dhe burimet e naftës të lëna pas dore dhe industri si turizmi që ende luftojnë për të rimarrë veten pas pandemisë. Pse duhet të shqetësohemi? Në vitin 2015, PBB-ja për frymë në Kanada ishte afërsisht 43,594 USD (sipas Macrotrends). Deri në vitin 2025, projektimet parashikojnë se ajo do të rritet në rreth 55,890 USD (sipas Wikipedia), duke reflektuar një rritje prej rreth 12,296 USD gjatë dekadës. Kjo përkon me një normë mesatare vjetore rritjeje prej rreth 2.8% ose 28% rritje. Gjatë të njëjtës periudhë, dollari kanadez (CAD) ka pësuar një ulje në krahasim me dollarin amerikan (USD), me kursin e këmbimit që ra nga një mesatare prej 0.7832 USD në vitin 2015 në rreth 0.75 USD në vitin 2025, duke shënuar një ulje prej rreth 4.25% gjatë dekadës. Po ashtu, çmimet e pasurive të paluajtshme në Kanada janë dyfishuar. Në vitin 2015, familjet kanadeze shpenzuan mesatarisht 8,629 dollarë për ushqim, që përbënte 14.3% të shpenzimeve të tyre totale për mallra dhe shërbime (Statistics Canada). Projektimet për vitin 2025 parashikojnë se çmimet e ushqimeve në Kanada do të rriten nga 3% deri në 5%. Si rezultat, një familje mesatare prej katër personash mund të shpenzojë deri në 801 dollarë më shumë për ushqime krahasuar me vitin e kaluar, duke e çuar shpenzimin vjetor për ushqime në rreth 16,833.67 dollarë, domethëne dyfish (Universiteti Dalhousie). Kostoja e jetesës është rritur 100%, ndërsa pagat vetëm me 28%.
- Pabarazia e të ardhurave: Hendeku që rritet
Pabarazia e të ardhurave po rritet, duke i lënë familjet me të ardhura të ulëta të luftojnë për të mbijetuar. Inflacioni dhe rritja e çmimeve të ushqimit i kanë bërë gjërat edhe më të vështira. Pse duhet të shqetësohemi? Kur një pjesë e popullsisë mbetet pas, të gjithë ne humbasim. Pabarazia minon kohezionin social dhe krijon një shoqëri me themele të paqëndrueshme. Në periudhën 2015-2025, përdorimi i strehimoreve emergjente dhe radhët në bankat e ushqimit në Kanada janë rritur ndjeshëm. Përdorimi i strehimoreve: Në vitin 2023, rreth 105,655 individë përdorën strehimoret emergjente në Kanada. Përdorimi i bankave të ushqimit: Vizitat në bankat e ushqimit u rritën nga 852,137 individë në mars 2015 në më shumë se 2 milionë vizita deri në mars 2024, duke shënuar një rritje prej 90% që nga viti 2019 (Food Banks Canada). Këto shifra tregojnë një krizë në rritje të mungesës së strehimit dhe pasigurisë ushqimore, me një numër gjithnjë në rritje njerëzish që kërkojnë mbështetje emergjente. Ky trend thekson nevojën urgjente për një rrjet mbështetës më të fortë social.
- Mjedisi dhe energjia: Një balancim delikat
Ndërsa Liberalët flasin për ndryshimet klimatike, ata vazhdojnë të mbështesin projekte të karburanteve fosile si Trans Mountain Pipeline. Pse duhet të shqetësohemi? Në Kanada, taksa federale për karbonin ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme që nga zbatimi i saj në vitin 2019, me rritje të të ardhurave pas rritjes së normave çdo vit. Gjatë vitit 2022-2023, norma e taksës për karbonin arriti në 65 dollarë për ton, duke gjeneruar rreth 8.2 miliardë dollarë të ardhura (cfib-fcei.ca). Në vitin 2021, taksat mjedisore, përfshirë taksën për karbonin, arritën në 31 miliardë dollarë, një rritje prej 17% krahasuar me vitin e kaluar (www150.statcan.gc.ca). Në vitin 2023, taksa për karbonin gjeneroi rreth 5.7 miliardë dollarë USD, duke e bërë atë të dytën më të lartë globalisht atë vit (statista.com). Në prill 2024, norma e taksës për karbonin u rrit në 80 dollarë për ton (davidsuzuki.org). Këto të ardhura kthehen kryesisht në provinca përmes kompensimeve për familjet, bizneset e vogla dhe entitete të tjera (ecofiscal.ca). Shuma totale e të ardhurave nga taksa për karbonin nga 2019 deri në vitin 2024 në Kanada ka një total prej rreth 43 miliardë dollarësh. Ky është një total i përllogaritur duke marrë parasysh të ardhurat nga vitet 2019-2024 dhe normat e ndryshueshme të taksës për karbonin. Qeveria i shpërndan këto fonde nëpër provinca për programe dhe për të ndihmuar qytetarët që ndikohen nga taksa e karbonit.
- Sistemi shëndetësor: Një sistem në krizë
Kohët e gjata të pritjes, mungesa e mjekëve dhe kriza në spitalet rurale janë bërë norma. Pse duhet të shqetësohemi? Kur sistemi shëndetësor dështon, të gjithë ne vuajmë. Familjet po detyrohen të presin javë ose muaj për kujdes thelbësor. Ndërmjet 2015 dhe 2025, sistemi shëndetësor i Kanadasë përjetoi ndryshime të rëndësishme. Koha e pritjes: Në vitin 2015, koha mesatare e pritjes për trajtimin nga specialistët ishte 18.3 javë. Deri në vitin 2024, kjo u rrit në 30 javë, me 15 javë për referimin tek specialisti dhe 15 javë të tjera për trajtim. Kohët e pritjes ndryshonin sipas provincave, me Ontario në 23.6 javë dhe Prince Edward Island në 77.4 javë. Mjekët për 1,000 banorë: Në vitin 2015, Kanadaja kishte 2.7 mjekë për 1,000 banorë, 20% më pak se mesatarja e OECD Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, me një minimum prej 3.4 mjekë për 1000 banorë. Deri në vitin 2023, kjo normë u ul në 2.43 mjekë për 1,000 banorë.
- Reputacioni ndërkombëtar: Një yll që zbehet
Nën drejtimin e Justin Trudeau, Kanadaja fillimisht pati një reputacion si një komb progresiv, i përkushtuar ndaj diversitetit, ndryshimeve klimatike dhe të drejtave njerëzore. Megjithatë, me kalimin e kohës, administrata e tij u kritikua rëndë për skandale etike, siç ishte çështja SNC-Lavalin dhe trajtimin e diskutueshëm të pandemisë COVID-19. Ndërsa popullariteti i Trudeau u luhat, po ashtu u luhatën edhe perceptimet globale për Kanadanë. Nga tensionet me Kinën, kur dy kanadezë, Michael Kovrig dhe Michael Spavor, u burgosën si përgjigje ndaj arrestimit të drejtores financiare të Huawei, tensionimi i marrëdhënieve me Indinë, ndërhyrja e huaj në procesin zgjedhor e deri te tarifat e imponuara nga Donald Trump pas nisjes së betejës tregtare mes Kanadasë dhe SHBA, reputacioni i Kanadasë si një lider global është në rënie. Gjatë qeverisjes liberale Kanadaja nuk arriti as të votohej për një vend të përkohshëm si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB. Pse duhet të shqetësohemi? Një reputacion i dobët ndërkombëtar nuk është thjesht një çështje imazhi - ai ka pasoja reale për ekonominë dhe jetën e përditshme të kanadezëve. Kur marrëdhëniet tregtare dhe diplomatike janë të tensionuara, eksportet kanadeze vuajnë, çmimet e mallrave të importuara rriten dhe mundësitë e punësimit zvogëlohen. Për më tepër, një imazh i dobët global mund të zvogëlojë investimet e huaja dhe të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike.
Përfundim
Këto 10 çështje nuk janë thjesht numra dhe statistika - ato kanë ndikime reale në jetën e përditshme të kanadezëve. Ndërsa zgjedhjet afrohen, është koha për të kërkuar llogari nga qeveria dhe për të ndikuar për një të ardhme më të mirë. Kanadaja meriton më shumë dhe këto zgjedhje që po vijnë janë një thirrje përgjegjësie, janë rasti ynë për të kërkuar dhe sjellë ndryshim.
© Petro Karanxha