Opinione

Strategjia e parë e Gjermanisë për SHBA dhe afrimi radikal i pozicioneve me Francën

Nga: AURON DODI

Moment kthese apo samit përcaktues për raportin Gjermani-SHBA

Deri në samitin e G7-ës, Gjermania si dhe shtete të tjera perëndimore besonin se me Presidentin Trump mund të gjendet gjuhë e përbashkët, mbi bazën e rregullave të rendit ndërkombëtar të pasluftës, që ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm, veçanërisht për përparimin e Gjermanisë.
Por në samit Presidenti Trump tregoi se nuk i preferon forumet ndërkombëtare të komunikimit. Prandaj samiti po quhet nga evropianët si samit formatues i marrëdhënieve: evropianët që ndodhen përballë politikës America First të Presidentit Trump.
SHBA e kërcënojnë tani Gjermaninë hapur edhe se do ta frenojnë, me taksa ndëshkuese importin e automjeteve gjermane në SHBA. Po të bëhet ky kërcënim realitet, kjo do ta godiste në themel bashkëpunimin ekonomik dypalësh.

Strategjia e pare e qeverisë gjermane për SHBA

Edhe ky hap e bën qeverinë gjermane të hartojë - për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore - një strategji si duhen trajtuar SHBA. Këtë Gjermania deri tani e ka bërë me kundërlojtarët gjeopolitikë të Gjermanisë, Kinë dhe Rusi.
SHBA janë konsideruar partner i ngushtë, me të cilin kuptohesh në çdo situatë. 
Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas në një fjalim programatik të mërkurën në Berlin tha se “nën Presidentin Trump Atlantiku është bërë më i gjerë”.
Maas i dha përgjigje pyetjes, sa po e ndryshon Trumpi Amerikën, a është politika e tij vetëm një anomali e përkohshme.
Ai tha se dalja nga Marrëveshjet e Klimës së Parisit, nga marrëveshja atomike me Iranin; kërcënimi me sanksione kundër partnerëve evropianë e kanë tronditur sigurinë se mund të luftohet së bashku me SHBA për një botë të bazuar në rregulla. Ministri i jashtëm gjerman tha se tronditja, është që tani, aq e thellë, sa me siguri do të vazhdojë përtej presidencës së Trumpit.
Prandaj ai kërkoi një "partneritet të ri, të balancuar me SHBA". Dhe shtoi se ndaj vendimeve të SHBA na duhet të përgjigjemi me kundërmasa rezistuese përkatëse.

Afrim radikal qendrimesh me Francën dhe vendime me shumicë në BE

Deri në 19 korrik pritet të shpallet një plan gjermano-francez për reformimin e BE. Në këtë kuadër është formuluar edhe ideja e një Këshilli Evropian të Sigurisë, që mund të mblidhet të paktën një herë në vit.
Ministri i jashtëm Maas kërkoi në Berlin që të hiqet dorë nga parimi i marrjes së vendimeve njëzëri në BE. Pra kërkoi që një sërë vendimet të merren në të ardhmen vetëm me shumicë votash. Kështu disa grupe në BE do të avancojnë pa u bllokuar dot nga të tjerat.
Sipas ministrit të jashtëm gjerman, Këshilli Evropian duhet të përcaktojë sa më shpejt fusha, ku do të merren vendime me shumicë votash. Në këtë kuadër Maas bëri thirrje për një "afrim radikal qëndrimesh me Francën". Konkretisht ai mbështeti propozimin francez për një inisiativë ndërhyrjeje evropiane. Ai foli për një "ekip evropian të reagimit në kriza."

Oferta të mençura për shtetet jugore të Europës

Ministri Maas u bëri thirrje gjermanëve ta shohin Evropën, më shumë me sytë e të tjerëve. Dhe që shtetet perëndimore të heqin dorë nga roli i mësuesit ndaj të tjerëve.
Ai kërkoi që ndaj shteteve jugore të BE të bëhen oferta të mençura për kompensim interesash. Të investohet p.sh. për të luftuar papunësinë 20-40 përqind tek rinia, në disa vende të BE.
Ministri i Jashtëm gjerman u shpreh edhe për një politikë të re ndaj Lindjes së Evropës. Në këtë kuadër do të kërkohen rrugë komunikimi me Rusinë, por pa harruar interesat e shteteve të tjera lindore.

Gatishmëri për integrimin e Ballkanit Perëndimor

I ftuar nga Fondacion Schwarzkopf në Berlin, ministri i Jashtëm gjerman tha se po të mos arrijë BE të avancojë në procesin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, kjo do të ketë pasoja fatale. Rusia, Kina, aktorë nga Lindja e Mesme, me parime të tjera, janë të gatshëm të plotësojnë boshllëkun, tha ai. Maasi tha se disa vende si Maqedonia, me zgjidhjen për emrin, por edhe Shqipëria - me një reformë në drejtësi për ta marrë shembull - kanë avancuar në kriteret e kërkuara. "Unë jam shprehimisht për një hapje të kushtëzuar të negociatave të anëtarësimit në BE me këto dy vende".

Burimi: Lidhja DW-News24, 15.06.2018, publikuar në Facebook nga gazetari i DW Auron Dodi

 

Tagged under Auron Dodi