Opinione

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut pa mbrojtje - Nga Xhevdet Nasufi

Të shprehesh se partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kanë braktisur kujdesin e duhur për kombin dhe shtetin konsiderueshëm, është elaborim simplifikues. Mbase me apo pa vetëdije po këto parti ka disa vite që po e legjitimojnë edhe aktivisht politikën e shtetit monoetnik të maqedonasve, apo okupimin e qetë të hapësirës së shtetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kjo është rrjedhojë e mosefikasitetit të këtyre partive për të mbrojtuar dhe avancuar përgjegjshëm kombdashurinë dhe shtetdashurinë.

I gjithë ky absurditet shqiptar po ndodh edhe sot, kur kombet dhe shtetet në botë me tërë mençurinë dhe përkushtimin, potencialin dhe fuqinë sepse janë vënë në rrezik, zëshëm dhe vendosmërisht përqëndrohen për t’u mbrojtur nga sfidat e një lufte të re në përmasa botërore (shikoni edhe hakerimet iraniane në Shqipëri), por pse jo edhe ato rajonale (shikoni kërcënimet e Vuçiçit i cili edhe ka kaluar një praktikë makabër).

Pra, politika shqiptare me liderët e saj godasin me apo pa vetëdije më lehtë vlerat themelore të kombit dhe shtetit, manipulimin për ruajtje dhe marrje të pushtetit, sesa të kujdesen për   raportin e shqiptarëve me shtetin, raportet dhe zhvillimet e Maqedonisë së Veriut me partnerët strategjikë siç është boshti Shkup-Budapest- Beograd. Ky zhvillim degradues i politikes shqiptare ngrihet nga disa rrafshe papërgjegjësie të politikës si mjerim i ripërsëritur.

Së pari, qeveria Mickoski arriti ta rrëzojë mitin e Bashkimit Demokratik për Integrim për gjoja se e implementoi në tërësi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, apo se ajo është e paprekshme. Momenti aktual e dëshmon këtë, pasi tani disa shtylla mbi të cilat ngrihet Marrëveshja e Ohrit janë shembur. Deklarimet e rrejshme të BDI u shembën si kullat e letrës, pasi kombdashuria dhe shtetdashuria e munguar që nga Partia Demokratike Shqiptare e vitit 2002 e këndej dhe në vijim, është konvertuar në partidashuri dhe narcizizëm politik të konjukturuar edhe në lakmi dhe voluntarizëm politik. Thjesht dhe shkurt, BDI që nga viti 2002, kurse tani VLEN pa krye dhe bisht, bashkë me partnerët maqedonas, dje LSDM e sidomos sot VMRO e Mickoskit i kanë “harruar” arsyet e konfliktit të armatosur në vitin 2001, e kanë harruar Marrëveshjen e Ohrit si aktin e paqes mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi politike e partive shqiptare në pushtet, por e tërë spektrit politik-intelektual, sepse neglizhimi i interesit etnik është sulmi më emblematik dhe më tradhëtues ndaj kombit. Sot, bile në sensin e poshtërsive politike ballkanase, as që edhe mund të pritet që VLEN të përballet me sfidat kombëtare, sidomos për shqiptarët.

Së dyti, Mickoski dhe VMRO parimisht asnjëherë nuk janë pajtuar me Marrëveshjen e Ohrit. Mu për këtë, pritshmëria për revanshizëm e maqedonasve në pushtet është tipike ballkanase, mbase edhe ndjeshmëria etnike e shqiptarëve në politikë është e dobët dhe e varfër. Andaj, sot si requiem politika zyrtare maqedonase i këndon nacionalizmit të egër ballkanas, përkundër vakumit patriotik shqiptar. Veprimet unilaterale maqedonase, apo edhe revanshizmi politik për zhvillimet e vitit 2001 duhet të na shqetsojnë si shqiptarët, por edhe maqedonasit për disbalancën e kohezionit ndëretnik.

Së treti, edhe për faktin e konsolidimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan, por edhe proporcioneve dhe parametrave realë që shqiptarët i bëjnë fuqi në Ballkan, mosuniteti sidomos mes dy kryeministrave reflektohet edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Imagjinoni ndikimin dhe kontributin pozitiv të dy vendeve në të kaluarën e afërt (1998-2002) me të sotmen, kur edhe u ngrit Kosova shtet, kurse Maqedonia e Veriut shtet edhe i shqiptarëve. Aktualisht Tirana dhe Prishtina zyrtare te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut paralel me ndasitë e brendshme, kanë ngritur edhe ndasinë e tyre si asnjëherë deri tani, me efekt pragmatik negativ. Kjo realisht e rriti diversitetin dhe hutimin ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe dobësoi fuqinë e tyre në raport me agresivitetin e politikës nacionaliste maqedonase.

© Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut