Një protestë e marrë peng - Nga Dritan Goxhaj
Më datë 7 të këtij gushti të nxehtë, Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës organizoi pas kaq kohe një tubim në shenjë proteste ndaj veprimeve të paligjshme dhe të cënueshme, që Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar po bëjnë kundrejt të akuzuarve dhe të paraburgosurve në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hage, me moton “Kundër Padrejtësisë”.
Kjo protestë e organizuar me sinqeritet nga Kryesia e OVL të UÇK-së u mor peng nga një individ i cili e përdori këtë tubim për nevoja të vetat personale politike dhe për të promovuar ide që nuk i shërbejnë aspak kauzës së tubimit, por që në realitet do të cënonin Kosovën dhe UÇK-në, dhe do t’i jepnin këtij individi dhe ndonje tjetri flamurin e patriotizmit, të cilin pastaj do të mund ta përdornin për luftën e tyre politike të brendshme.
Personi që e mori peng këtë protestë të datës 7 gusht në Prishtinë është Ali Ahmeti.
E para Kryesia gaboi që në këtë tubim me një temë kaq të ndjeshme kish planifikuar që të mbaheshin vetëm 4 fjalime. Dhe ndër ta vetëm njëri do të ishte kryesori, ai i Ali Ahmetit.
Kryesia e OVL-së do të duhej që në atë tubim të sillte në tribunë për të mbajtur fjalën ish anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm (SHP) të UÇK-së dhe Ali Ahmeti nuk ka qënë anëtar i tij.
Do të duhej që në atë tubim të mbanin fjlalë ish-komandantët e Zonave Operative të UÇK-së, si dhe pjesëtarë të familjeve të personave të dënuar e të akuzuar nga kjo gjykatë padrejtësisht.
Do të duhej që në këtë tubim me moton “Kundër Padrejtësisë” të flisnin aty juristë që të shpjegonin shkurtimisht padrejtësitë që po bëhen dhe shkeljet ligjore.
Por jo, asnjë nga këto nuk ndodhi dhe aty ishte vetëm Ali Ahmeti.
Dmth, tubimi u organizua për Ali Ahmetin që ai të marrë sërish flamurin e patriotizmit për riardhur në pushtet në Maqedoni.
Por çfarë tha Ali Ahmeti në atë tubim? Asgjë!
Na tha që UÇK ka bërë luftë të drejtë.
Këtë e thotë në trojet shqiptare anembanë çdo fëmijë i moshës 6 vjeç e lart.
Çfarë na tha Ali Ahmeti si anëtar i Sektorit të Rëndësisë së Veçantë, sektor ky që, prej nga themelimi i UÇK-së e deri në datën 10 qershor 1998 ka qënë përgjegjës për çdo veprimtari të bërë dhe komunikatë politike të lëshuar në emër të UÇK-së? Asgjë!
Por Ali Ahmeti aty doli dhe na propozoi “që përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që janë në Këshillin e Europës, të kërkojnë rishikimin e Rezolutës së Këshillit të Europës të vitit 2011, sepse deri më tash është vërtetuar nga shumë drejtime, se kurrë nuk ka ndodhur trafikim i organeve njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mbi të cilën të pavërtetë, është kërkuar pa të drejtë formimi i Gjykatës Speciale”.
A ju kujtohet, që një gjë të tillë e ka kërkuar para Ali Ahmetit edhe Ed(vin) Rama?
Pra kjo tregon që këta të dy janë koordinuar për të marrë peng këtë tubim për interesin e tyre politik në dëm të UÇK-së dhe Kosovës.
Pse them në dëm të UÇK-së dhe Kosovës?
Lexoni me vëmendje: këta kërkojnë “rishikimin e Rezolutës së Këshillit të Europës së vitit 2011, sepse deri më tash është vërtetuar nga shumë drejtime, se kurrë nuk ka ndodhur trafikim i organeve njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
Raporti i Asamblesё Parlamentare tё Kёshillit tё Evropёs titullohet “Trajtimi ҫnjerёzor i personave dhe trafikimi i paligjshёm i organeve njerёzore nё Kosovё”.
Por për akuzën e trafikimit të paligjshëm të organeve u krye një hetim i plotë nga Gjyakta Ndërkombëtatre e Hagës me miratim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe hetimi arriti në rezultatin e deklaruar publikisht se nuk ka pasur trafikim të organeve nga UÇK-ja.
Dhe bazuar mbi këtë edhe Prokurori Special i Task Forcës së BE, Clint Williamson, Task Forcë Hetimore Speciale (TFHS) e ngritur pёr kryerjen e një hetimi tё pavarur tё pretendimeve tё ngritura nё raport dhe krimeve tё tjera nё lidhje me to, pat raportuar zyrtarish në 2013 se “TFHS-ja ka zhvilluar hetimin më të plotë që është bërë deri sot për krimet e kryera pasi lufta përfundoi në Kosovë në qershor të vitit 1999. Si rezultat i këtij hetimi, ne besojmë se TFHS-ja do të jetë në gjendje të ngrejë një aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë të caktuar të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këta individë mbajnë përgjegjësinë për fushatën e persekutimit që është drejtuar kundër popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera në Kosovë si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës të cilët i etiketuan si kolaboracionistët e serbëve ose, më shpesh, të cilët ishin thjesht kundërshtarë politik të udhëheqësisë së UÇK-së. Të dhënat e përpiluara nga TFHS-ja tregojnë që elementë të caktuar të UÇK-së qëllimisht i vunë popullsitë pakicë në shënjestër me veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe vendeve të tjera fetare”.
Dhe mbi bazë të këtij raporti të Clint Wiliamson u ndërtuan edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës. Nëse cilido do të shkojë në faqen zyrtare të tyre në ballinën e faqes do të mund të lexoje se juridiksioni i tyre është vetëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pra nuk figuron aspak dhe askund çështja e trafikimit të organeve. Ndërkohë që edhe raporti i KE ndahet në dy pjesë siç e shikoni edhe nga titulli i tij “Trajtimi ҫnjerёzor i personave dhe trafikimi i paligjshёm i organeve njerёzore nё Kosovё”.
Ali Ahmeti e Ed(Vin) Rama kërkojnë dhe merren vetëm me trafikimin e organeve, i cili nuk ekziston askund dhe aspak nuk propozojne e kundërshtojnë pjesën e parë të këtij raporti, trajtimin çnjerëzor i cili ka të bëjë me akuza të ngritura në bazë të një pretendimi të bërë shkrim nga Altin Raxhimi e Vladimir Karaj me urdhër dhe direktiva të Birn-it të Sërbisë në 2009 për burgosje në kampet e UÇK-së në Kukës.
Por ajo që është edhe më dëmtuesja është se këta e kërkojnë ta rishikojnë këtë rezolutë tashti që kjo gjykatë ka dhënë edhe dy vendime për akuzën e mbajtjes dhe torturimit nga ana e UÇK-së me dëshmitarë të rremë. Dhe çdo rishikim i kësaj rezolute tashti do shkonte në favor të Serbisë, sepse ajo do paraqiste si vlefshmëri të rezolutës së parë dënimet që kjo gjykatë ka dhënë, dhe atëherë çfarëdo rezolute e re që të bëhej do të ishte më e keqe se e para dhe më e dëmshme se e para kundrejt Kosovës dhe UÇK-së, pasi do të merrte në konsideratë ato vendime të Gjykatës Speciale.
Thua vallë që Ali Ahmeti e Ed(vin) Rama të jenë kaq injorantë sa të mos e kuptojnë një gjë të tillë?!
Në vend që Ali Ahmeti t’u bënte thirrje shokëve të tij të luftës, si Nait Hasani që i rrinte nga mbrapa në atë tubim dhe që nuk guxoi të mbante një fjalim si ish-udhëheqësi i parë i Shtabit Qëndror të UÇK-së (dhe që si parlamentar i Kosovës të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor në Kuvendin e Kosovës që të mbikqyrë gjithë veprimtarinë ligjore të kësaj gjykate dhe gjithë procedurat e saj, e në bazë të shkeljeve që janë pafund të ndërmerret inciativa për rishikimin e kësaj gjykate dhe ligjit të saj), Ali Ahmeti kërkon të promovoje politikisht vetveten dhe Ed(Vin) Ramën me flamurin e patriotizmit.
Tubimi i datës 7 gusht 2025 është për t’u përshëndetur për inciativën, por jo për organizimin.
Radhës tjetër Kryesia e OVL të UÇK-së do bëjë mire të mos bjerë pre e individëve me agjenda politike personale si Ali Ahmeti, e mos ta shndërrojë protestën në peng të njerëzve të cilët nuk kanë si qëllim as të mbrojnë UÇK-në, as ata që janë marrë peng nga kjo gjykatë, por vetëm të promovojnë vetveten si patriotë të mëdhej, ndërkohë që në anën tjetër së bashku me Ed(Vin) Ramën po ky Ali Ahmeti u mundua të na fuste në Jugosllavinë e re nëpërmjet Ballkanit të Hapur, e po ky Ali Ahmeti i shiti interesat kombëtare shqiptare kur votoi në Parlamentin e Maqedonisë për njohjen e emritt të ri të Maqedonisë si Maqedonia e Veriut, duke e bërë kështu gjithë Maqedoninë tokë greke.
© Dritan Goxhaj












