Normalizimi i rrenës
- Nga: Ardian Vehbiu
Lajmi se Bashkimi Europian po shqyrtonte mundësinë e ngritjes së kampeve të refugjatëve në Shqipëri u përhap, së paku në krye, krahas një lajmi tjetër, më të hershëm, për ngritjen në Shqipëri të një qendre për trajtimin dhe rehabilitimin e luftëtarëve “të penduar” të ISIS-it, të kthyer në Ballkan. E vetmja gjë që kishin të përbashkët këto dy lajme ishte që Shqipëria gjithnjë vjen në vështrim, kur është fjala për të anashkaluar ligjin dhe për të eksportuar probleme delikate. E megjithatë, afërsia në kohë dhe ngjashmëria në përmbajtje, i ndihmoi të gjithë ata që u kapën të papërgatitur nga shqetësimi publik, për të turbulluar ujërat, duke përgënjeshtruar njërin në vend të tjetrit.
Kur lajmin për kampet e refugjatëve e përcollën edhe media me prestigj kontinental, filloi të përmendej edhe shifra e ekzagjeruar e 600 mijë sirianëve që do të strehoheshin në Shqipëri; kjo shifër vinte nga një deklaratë – reale – e zv. Ministrit të Brendshëm të qeverisë Rama, i cili i pat thënë një televizioni gjerman se Shqipëria ka kapacitet të presë deri 600 mijë refugjatë, siç e tregoi gjatë luftës së Kosovës. Kaq u duhej kundërshtarëve të qeverisë Rama, për ta bërë “600 mijëshin” kryetemë të histerisë së tyre në mediat; çfarë i dha qeverisë mundësinë e papritur që të përgënjeshtronte “me tabelë”: duke hedhur poshtë shifrën e 600 mijëve si të pavërtetë, në mënyrë implicite hidhej poshtë edhe lajmi tjetër për kampet. Sërish, bëhej fjalë për gjëra pa lidhje: nëse do të hapeshin kampet apo jo, kjo nuk varej nga ndonjë kapacitet i supozuar i tyre.
Kjo është edhe mënyra siç ka arritur “post-truth” në Shqipëri: me disonancë kognitive alarmante. I përçarë dhe gjysmë-analfabet, publiku i mediave të sotme elektronike dhe sociale nuk arrin dot të gjykojë informacionin në mënyrë kritike dhe u gjysmë-beson të gjitha atyre që dëgjon, meqë, në thelb, nuk beson më asgjë, sikurse nuk u beson më as liderëve politikë që i ka zgjedhur vetë. Virtytin për të dyshuar ia kanë topitur edhe mediat tabloide, të cilat në mënyrë sistematike përhapin të pavërteta, duke i shkëputur, sërish në mënyrë sistematike, lajmet nga burimet e tyre.
Diçka e ngjashme ndodhi me Teatrin Kombëtar: pas përplasjeve në dukje të ashpra midis Aleancës që kërkonte ruajtjen e godinës ekzistuese dhe pushtetit (lokal dhe qendror) që kërkonin realizimin e projektit të firmës Fusha, u tha papritur se Erion Veliaj kish arritur një marrëveshje me përfaqësues të “artistëve” (ky lajm u shoqërua me një fotografi të kryebashkiakut me disa pak aktorë protagonistë të protestës) dhe se “teatri i ri nuk do të jetë me kullë”. Pa çka se, edhe në projektin e prezantuar muaj më parë, edhe në renderimet që kemi parë, teatri i ri i Bjarkes nuk ka qenë me kullë: pra u mohua një gjë për të cilën nuk kish pasur drejtpërdrejt protestë. Sikur kaq të mos mjaftonte, ndonjë artist e përgënjeshtroi Veliajn dhe tha se nuk kish lidhur ndonjë marrëveshje me të. Në kundërpërgjigje, qarkulloi sakaq një peticion “me 65 firma” nga aktorë dhe regjisorë, që kërkonin ngritjen e një Teatri të Ri: në krye të peticionit ishin emra të nderuar, duke filluar nga “i madhi Piro Mani”, siç e quajti ministrja entuziaste e Kulturës, në falënderimin e vet publik “me përulje” për firmëtarët e peticionit (të botuar, siç pritej, në Facebook). Por menjëherë ia behu kundërlajmi: Piro Mani nuk kish nënshkruar gjë. Natyrisht, publiku e kish të pamundur të verifikonte nënshkrimet e peticionit të parë, sikurse e ka të pamundur të verifikojë tani nëse përgënjeshtrimi nga Piro Mani është i vërtetë apo jo: sërish, burimet e këtyre lajmeve nuk identifikohen; por edhe kur identifikohen, nuk japin gjë garanci të vërtetësisë. Dhe më në fund, nëse njëra nga firmat e këtij peticioni kaq oportun rezulton e gënjeshtërt, çfarë do t’i garantonte firmat e tjera? Vallë do të shkojë ndonjë gazetar t’i pyesë të interesuarit një nga një?
E vetmja gjë që kanë lajme të tilla, është ajo që në debatet e sotme në SHBA për patologjinë e “post-truth” në politikë e kanë quajtur “truthiness” (vërtetshmëri): diçka që tingëllon si e vërtetë, që ia vlen (do t’ia vlente) të jetë e vërtetë. Por truthiness ka edhe te peticioni i të 65-ëve, edhe te përgënjeshtrimi i Piro Manit, ose mundësia që firma e tij të jetë shtuar atje nga një dorë e tretë: nuk është hera e parë që ndodh me këto peticione. Aq më tepër që peticioni në fjalë hyri në qarkullim mu në momentin kur Këshilli i Ministrave e miratoi projektligjin për ndërtimin e Teatrit të Ri (dhe zhvillimin komercial të truallit përreth). Me sa duket, ky projektligj është identik me atë që ishte përfolur para “negociatave” të Veliajt me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit; prandaj nuk kuptohet më se ç’marrëveshje u arrit me atë rast: ndoshta marrëveshja për ta ngrënë sapunin për djathë?
Edhe më mallëngjyes ishte konfuzioni që shoqëroi vendimi i tanishëm, i Bashkimit Europian, për ta shtyrë një vit hapjen e negociatave; një vendim i cili, në përgjithësi në Europë, u komentua si një formë e butë refuzimi: qeveria Rama, me kryeministrin në krye, e paraqitën këtë si sukses të shkëlqyer, ndërsa opozita e interpretoi si dështim. Sërish, disonancë kognitive e kulluar. Meqë, në çdo rast, bëhet fjalë për shtyrje të datës së hapjes së negociatave të pranimit, dhe jo të pranimit në Europë, duhet të jetë njeriu tejet i dëshpëruar, që ta paraqitë këtë si “fitore”; por ndoshta Rama ka arsye që të jetë tejet i dëshpëruar në këtë moment; meqë i ka vënë të gjitha bastet për një Europë që, aktualisht, është duke imploduar nën trysninë e mosmarrëveshjeve, populizmave dhe panikut të elitave.
Si edhe herë të tjera, lajmi përcillet i paketuar me interpretim; dhe këtë herë të njëjtin lajm e shoqëruan ambalazhe të ndryshme. Vetë praktika e përzierjes mes lajmit dhe opinionit nuk është gazetarisht korrekte; por kur opinioni ia zë frymën lajmit, ose e paraqet ashtu siç nuk është, duke pretenduar që jo vetëm të informojë publikun, por edhe t’i tregojë se çfarë të mendojë, atëherë informacioni ia ka lënë vendin propagandës. Dhe propaganda, që të funksionojë mirë, ka nevojë për një publik që ka hequr dorë nga gjykimi kritik dhe, në thelb, i konsumon lajmet si fast food, së bashku me spin-in që i shoqëron; dhe interpretimin bazë të realitetit ia ka lënë në dorë teorive të komplotit.
Kanë një të përbashkët këto pak shembuj që solla –përtej konfirmimit të ndarjes së informacionit nga realiteti dhe zëvendësimit të së vërtetës me truthiness; dhe kjo e përbashkët është abuzimi i të gjitha palëve me nevojën e publikut për informacion (ose shkelja e së drejtës së publikut për informacion). Që shtypi të rreket të japë të vërtetën, me aq sa mundet, duhet edhe që dikush të mbante përgjegjësi për gënjeshtrën: dhe anasjelltas, kur askush nuk paguan ndonjë haraç (qoftë edhe moral) për gënjeshtrën dhe dizinformimin, atëherë e vërteta nuk mund të përcillet më; dhe publiku do të heqë dorë deri edhe nga pretendimi se prej lajmeve mund të presë ndonjë diçka më shumë se thjesht argëtim. Madje sa më i rëndësishëm që të jetë lajmi, aq më e madhe do të jetë distanca e pritshme e këtij lajmi nga e vërteta.











