Opinione

Paguani detyrimet ju hileqarë të Nato-s, përndryshe!

Nga: Eric Margolis

"Ne jemi budallenjtë”, shpërtheu presidenti Donald Trump. Objekti i zemërimit të Trump në tubimin e "Make America Great Again" në Great Falls, Montana ishin vendet evropianë anëtare të NATO-s, ku vetëm 16 nga 22 prej tyre kanë buxhet për shpenzimet e ushtarisë të komanduar nga SHBA. Trump kërkon që vendet anëtare të shpenzojnë shumë më tepër.

Trump dhe neokonservatorët e tij duan që NATO të shërbejë si një lloj legjioni i huaj i SHBA në luftërat e Botës së Tretë në Afrikë dhe Azi. NATO u formua si Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të mbrojtur Evropën Perëndimore, për të mos luftuar në Afganistan dhe kush e di se ku tjetër?

Po aq e rëndë, sipas Trump, është se SHBA-ja ka një defiçit tregtar me Bashkimin Europian, i cili është i zënë me transportin e automjeteve dhe verërave të mira në SHBA. Të huajt e pabesë nuk blejnë mjaftueshëm “Bourbon” amerikan, misër dhe derra të keqtrajtuar.

Trump ka të drejtë në njëfarë mënyre që aleatët e Amerikës në NATO, veçanërisht Gjermania dhe Kanadaja, nuk shpenzojnë sa duhet në mbrojtje. Gjermania raportohet të ketë më pak se njëzet tanke operacionale. Forcat e armatosura kanadeze  duket të jenë më të pakta në numër se departamenti i policisë së qytetit të Nju Jorkut.

Por evropianët pyesin, 'mbrojtje kundër kujt?' Bashkimi Sovjetik ishte dikur një kërcënim i madh në kohën e Luftës së Ftohtë kur Ushtria e Kuqe kishte 55,000 tanke me shënjestër perëndimin. Sot, forcat tokësore dhe detare të Rusisë kanë avulluar. Rusia ka ndoshta 5,500 tanke  në shërbim aktiv dhe po kaq në rezervë,  paksa larg nga armatimet e Luftës së Ftohtë.

Dhe më e rëndësishmja, buxheti ushtarak i Rusisë për vitin 2018 ishte vetëm 61 miliardë dollarë, 17% më pak se vitin e kaluar. Kjo është 4.3% e GDP-së. Rusia po përballet me kohë të vështira ekonomike. Rusia ka rënë në vendin e tretë në shpenzimet ushtarake pas SHBA, Kinës dhe Arabisë Saudite. SHBA dhe aleatët e saj të pasur përbëjnë dy të tretat e shpenzimeve ushtarake botërore. Në fakt, buxheti i përgjithshëm ushtarak amerikan (duke përfshirë edhe për armët bërthamore dhe luftërat e huaja) është rreth 1 trilionë dollarë, 50% e shpenzimeve totale të qeverisë amerikane.

Përveç kësaj, Rusia duhet të mbrojë një territor të gjerë nga Balltiku në Paqësor. SHBA është me fat që ka Meksikën dhe Kanadanë si fqinjë. Rusia ka Korenë e Veriut, Kinën, Indinë, Lindjen e mesme dhe NATO për t'u ruajtur.  Ashtu si me forcat e saj detare, forcat ushtarake ruse janë tepër larg për t'i dhënë njëri tjetrit mbështetje. Dy linja hekurudhore vulnerabël janë lidhja kryesore e Rusisë ndërmjet Rusisë Europiane dhe Lindjes së Largët.

Buxheti suplementar për ushtrinë i Trump i shtuar këtë vit me 54 bilion dollarë është pothuajse sa i gjithë buxheti i Rusisë për ushtrinë i vitit 2018. Sa i përket pretendimit të Trump se Evropa nuk po paguan pjesën që i takon të shpenzimeve të NATO-s, vini re se Britania dhe Franca të kombinuara së bashku shpenzojnë më shumë për forcat e tyre ushtarake sesa Rusia.

Në Evropë, është e vështirë të gjesh njerëz që ende e konsiderojnë Rusinë një kërcënim serioz, përveç disa Danezëve të mërzitshëm, suedezëve të krahut të djathtë dhe ca rusofobëve evropiano lindorë. Frika kryesore prej Rusisë duket e përqendruar në mendjet e neokonservatorëve amerikanë, medias dhe përkrahësve rural të Trump, të gjitha viktima të histerisë së çuditshme anti-ruse që ka kapluar SHBA.

Po aq e rëndësishme, është se shumica e civilëve nuk e kuptojnë se qoftë forcat e SHBA dhe NATO, qoftë ushtria e Rusisë nuk janë në formë për të zhvilluar një luftë që zgjat e shumta veçse disa ditë. Të dyja palët nuk kanë municione, pjesë këmbimi, lubrifikantë dhe pajisje për betejën. Forcat ajrore të SHBA-ve, të zëna me popujt muslimanë, kanë pakësuar bombat. Industria amerikane nuk duket se përballon furnizimet. Flitet edhe për blerjen e eksplozivëve nga Kina!

Gjithë këto gjëra, që përbëjnë bazën e luftës, janë lënë pas dore në favor të blerjes së armëve të sofistikuara. Por armë të tilla kanë nevojë për hapësira, elektronikë, depo të karburantit, raketa dhe mijëra pjesë thelbësore. Siç tha ish-Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Donald Rumsfeld, "ju shkoni në luftë me atë që keni." Asnjëra palë nuk ka mjaft. Një luftë do të mbaronte pasi furnizimet të ishin shterur. Përveç kësaj, asnjë palë nuk mund të lejojë që të zëvendësojë 100 milionë dollarë avionë luftarakë ose 5 milion dollarë çdo tank pas një lufte, sado e shkurtër.

Presidenti Trump ka mësuar për luftën nga Fox TV. Evropianët kanë mësuar nga përvoja dhe nuk duan më.

 

*Eric Margolis, është një gazetar dhe shkrimtar i njohur amerikan. Për 27 vjet deri në 2010 ai ka shkruar për gazetën Toronto Sun kryesisht për çështjet e Lindjes së Mesme, Azisë Jugore dhe Islamit. Ai kontribuon për Huffington Post (që sot edhe për Flasshqip.ca) dhe shpesh herë shfaqet si i ftuar në rrjete të njohura televizive kanadeze, po ashtu edhe tek CNN.

Margolis ka lindur në New York në vitin 1943. Babai i tij Henry M. Margolis ka qenë biznesmen, pronar restoranti, producent teatri dhe investitor, ndërsa e ëma Nexhmie Zaimi, një shqiptaro-amerikane me origjinë nga Libohova, ka qenë gazetare dhe shkrimtare e njohur. Libri i saj autobiografik, i publikuar në 1938, “E bija e shqiponjës” ishte një best-seller.

 

Tagged under Eric Margolis