Opinione

Berat Buzhala: E Kadri Veseli ku është zhdukur??

Nëse nuk gaboj dy vite më parë serbët patën filluar të ndërtonin një mur në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, sipas tyre, për të mbrojtur nga veturat pjesën për këmbësorë në anën serbe të qytetit.

Kjo punë u bë aq e madhe, aq shpejt, sa u ngrit i madh e i vogël për ta mbrojtur Mitrovicën prej ndarjes. Më i zëshmi prej të gjithëve, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i lindur dhe i rritur në atë qytet, ku edhe sot e kësaj dite i jeton një pjesë e familjes. E mbaj në mend, kur të gjithë e kishin pranuar një lloj të kompromisit që nuk nënkuptonte rrënimin e tërësishëm të murit, Veseli e dontë rrafsh për toke. Asnjë centimetër mbi asfalt. Për këtë temë, thuhej, kishte biseduar edhe më ndihmëssekretarin e shtetit në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Por ku është sot z. Veseli, tash kur (ar)miku i tij z. Thaçi nuk e ka ndërmend të ndërtojë mur, e ka ndërmend të ndërtojë kufi aty. Pa pyetur askënd.

Për t'i shtyrë përpara idetë e tij lunatike, dhe për ta shpëtuar lëkurën e tij, Thaçi nuk do të lërë asnjë gurë pa e rrotulluar, e nuk ka asnjë pengesë morale që nën atë gurë ta fusë secilin që do t'i dalë përpara. Ta zemë sot i ra në qafë ish liderit të pensionuar të Shqipërisë, vetëm pse ai guxoi ta zinte në gojë Luginën e Preshevës, sikur të kishte thënë ndonjë mendim Berisha për arat e Brojës. I shpërthyen Thaçit komplekset e ndrydhura, si fontanë. U pa se sa shumë e paska vuajtur Berishën, por që për arsye politike i paska mbajtur të ndrydhura brenda vetës. Pra, është i njëjti Berishë me të cilën Thaçi jepte intervista të përbashkëta në studio të ndryshme televizive, sa të Fevziu, sa në RTK.

Këtë fat të Berishës do ta ketë tash e tutje çdokush prej shqiptarëve të rajonit që do të guxojë të flasë një fjalë të vetme për paqën ose luftën në rajon. Këtë kryq Thçi e ka vendosur që ta bartë i vetëm mbi supe. Kuptohet për momentin, për arsye pragmatike, të vetmin që do të provojë ta shikojë përmes gishtave kur flet diçka është Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj. Thaçi tash ka nevojë për stabilitet qeverisës. Nuk është i interesuar që Kosova të shkojë në zgjedhje, sepse e di mirë që rezultati për të do të jetë në formë të referendumit. Pra, për këto arsye, Thaçi do t'ua rrahë supët haradinajëve, edhe nëse ata kohë pas kohë do t'i thonë atij ndonjë fjalë të rëndë.

Mirëpo të kthehemi në temën tonë, ose në pyetjen tonë: Kush është z. Veseli? Apo ndoshta duhet që ta kërkojmë përmes Aida Shtinos, në rubrikën Njerëz të Humbur?

Ka shumë pyetje që do të doja t'ia bëjë z. Veseli, edhe unë edhe Gazeta Express, por që për shkak të mungesës totale të gjurmëve të tij nuk po mundemi. Pra, z. Veseli, kudo që ndodhesh, nëse rastësisht po e lexon këtë shkrim, dëshiroj të të pyes, fillimisht si jeni më shëndet, dhe pastaj ca pyetje politike, të cilat ia ke më borxh edhe mitrovicalive të tu, por edhe banorëve të tjerë të Kosovës.

Në intervistat që keni dhënë për mediat, prej kur jeni në politikë, shpeshherë me emocione të panevojshme, ju kemi dëgjuar të flisni me pasion për veriun e Kosovës, për Boletinin e Isës, për liqenin e Ujmanit, për minierat e Trepçës, e për çka jo tjetër, sot pse nuk po flisni për këto çështje? A e përkrahni edhe ju KORRIGJIMIN e kufijve në veri të Kosovës dhe BASHKIMIN e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ju z. Veseli, që e njihni Thaçin më mirë se çdo njeri tjetër, sigurisht e dini që këto janë gënjeshtra të z. Thaçi.

Ju duhet ta dini, përndryshe ju dekoroj me titullin naivi më i madh në Republikën e Kosovës, se në fakt Thaçi kur flet kështu ai mendon për korrigjim të kufirit në pjesën e territorit që lidhet me Luginën e Preshevës dhe ndarje të veriut të Kosovës. Në fakt duhet ta dini që ai kur flet kështu mendon vetëm për Tribunalin Special. Prandaj, z. Veseli, cili është mendimi i juaj për këtë çështje? A do të thotë që nën mandatin tuaj si Kryetar i Kuvendit, veriu i vendit do t'i jepet Serbisë, me vulën tuaj?

Veseli, askush në Kosovë nuk është aq idiot sa t'i besojë ato çfarë thotë z. Thaçi - vetëm ndonjë leshko. Po besoj që ju nuk jeni ky. Po ta dëgjosh Thaçin me vëmendje këto ditë, ai po thotë që Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, më kusht që ne të marrim Luginën e Preshevës. Dhe për këtë thotë duhet të nxitohemi. Mirëpo, nëse qenkërka kështu, atëherë kur flet Thaçi për proces të dhimbshëm, për çfarë dhimbje është duke menduar? Nëse ai e quan dhimbje bashkimin e Preshevës dhe Bujanovcit me Kosovës, atëherë le të definojmë se çfarë quajmë gëzim?

Një prononcim i juaji z. Veseli për këtë çështje nuk e zgjidh problemin, mirëpo në këtë fazë politike do të ishte i nevojshëm. Secilit prej nesh i intereson një mendimin i juaj për këtë temë. Jemi kurioz për të mësuar nëse kjo heshtja  juaj është aprovim apo refuzim.

Më lejo që ta mbyll këtë shkrim me një thënie spektakolare latine: qui tacet consentire, që do të thotë "ai që hesht pajtohet".

Burimi: gazetaexpress.com