Opozita dhe farsa e pushtetit me procesin e integrimit në BE
- Nga: Gavrosh Levonja
Kryetari i parlamentit, në seancen e pare plenare lëshoi një mesazh, të cilin mediat prej të cilave u njoha me përmbajtjen e tij, e cilësonin si një “mesazh të fortë”. Personalisht nuk pashë ndonjë aspekt për të vlerësuar ndonjë pasazh të fjalës së Ruçit si “mesazh të fortë”. Nuk kam asnjë dyshim se mediat i referohen thirrjes së kryeparlamentarit ku ftoheshin forcat politike “që të ndajnë luftën për pushtetin e radhës, nga beteja e përbashkët për integrimin në Europë.” Thirrje me një përmbajtje të tillë për të lënë mënjanë luftën për pushtet kur vjen puna tek integrimi, për mua, duke qenë se i kam dëgjuar prej më shumë se dy dekadash, nuk janë më shumë se një refren i bërë “bozë”.
Eksperienca ka treguar se mesazhe të këtij lloji, ku vihet theksi tek nevoja për bashkëpunim të forcave politike në interes të objektivave madhore për vendin, i adresohen opozitës. Kjo natyrisht bëhet për dy qëllime. E para për të fashitur frymën opozitare duke synuar që ajo të heshtë ose të paktën të minimizojë aktivitetin e saj, më saktë atë aspekt që ka të bëjë me problemet, hallet, vuajtjet dhe sakrificat e qytetarëve, të cilëve u ka shkuar thika më shumë se në palcë. Nga ana tjetër slogani për “bashkëpunim për integrimin në Europë, është nje thirrje indirekte për opozitën që për interesa me rëndësi kombëtare si puna e integrimit, të ndërpresë denoncimin dhe zbulimin e “bëmave” të pushtetit në aferat korruptive, nëpërmjet tenderave, prokurimeve apo PPP-ve etj, ku nuk ka as edhe një minimum transparence. E dyta, duke e paraqitur aktivitetin opozitar si “luftë për pushtet” që sipas forcës politike në pushtet “saboton” procesin e integrimit, një thirrje si ajo e zotit Ruçi është një përpjekje që çdo përplasje dere turinjve që marrin përfaqësuesit e qeverisë, kur trokasin për biletën e hyrjes në Europë, të interpretohet para opinionit publik, në menyrë të veçantë votuesve shqiptarë, se është pasojë e lojës së opozitës, e lobimeve të kësaj kundër integrimit të vendit.
Por, në të vërtetë integrimi nuk ka ngecur si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe gjuhës së përbashkët për ato që duhen bërë për shpejtimin e tij. Shkaqet reale që e kanë lënë Shqipërinë në bisht të listës së vendeve kandidate për integrim kanë të bëjnë me probleme për të cilat opozita nuk ka gjë në dorë. Kështu korrupsioni bëhet nga njerëzit e pushtetit, në qendër e bazë dhe lufta kundër tij është detyrë e strukturave të caktuara të pushtetit. Që vendi është pa Gjykatë të Lartë e Kushtetuese, nuk është pasojë e aktivitetit apo gabimeve të ndonjë force opozitare të caktuar, në kohën që shumica socialiste, përfshi Ministrinë e Drejtësisë apo grupin përkatës parlamentar, të krijojnë përshtypjen se nuk janë aspak të shqetësuar për një gjendje të tillë.
Drogën që kultivohet dhe kapet në kamionët e gomonet e bllokuara nga forcat ligjzbatuese të vendeve fqinjë nuk është detyrë e opozitës që ta pengojë duke filluar nga mbjellja e deri tek kalimi i kufirit. Në mënyrë të ngjashme opozita nuk ka asnjë mëkat përsa i përket rritjes së vazhdueshme të numrit të shqiptarëve që duan të ikin një orë e më parë nga vendi në të cilin nuk shohin qoftë edhe ndonjë shenjë shprese se diçka do të ndryshojë për të mirë. Përshtypjet e të huajve, që nxjerr kryeministri shqiptar çdo ditë në facebook, ku ata mahniten me bukuritë, mrekullinë e begatinë shqiptare, vetë vendasve u kujtojnë rubrikën qesharake të dikurshme “Të huajt për Shqipërinë”.
“Mesazh të fortë” nga ana e kryeparlamentarit Ruçi do të konsideroja një mesazh në drejtim të partisë së cilës i përket dhe qeverisë së dalë prej saj, ku t’i shprehte shqetësimin për fenomenin e ikjes në masë të shtetasave, cilat janë shkaqet e saj, për korrupsionin dhe shkeljet financiare për të cilat akuzohet nga opozita, për shtimin e numrit të vrasjeve dhe figurat e tjera të krimit, bashkëpunimit të disa emrave të saj me eksponentë të krimit të organizuar. Duke preferuar një rrugë të tillë, kreu i parlamentit do të jepte shembullin personal, në drejtim të lënies mënjanë të interesave partiake për hir të integrimit europian. Nuk e di sa e preokupon kryeparlamentarin dalja ne dritë nëpërmjet përgjimeve që opozita i ka publikuar si prova të bashkëpunimit të PS, kryeministrit dhe ushtarëve të tij të partisë, me njerëz të malavitës shqiptare.
Një reagim pozitiv i opozitës ndaj thirrjes së Ruçit për “bashkëpunim në shërbim të integrimit”, do ta vinte opozitën në rolin e një aktori figurant në farsën që kryeministri Rama shfaq çdo ditë për shqiptarët, shpesh dhe nga amfiteatri parlamentar. Duke pasur parasysh gjendjen e vendit, por dhe raportet e forcave në parlament, opozita do t’i shërbente më shumë vendit duke qëndruar jashtë parlamentit. Aktiviteti i saj tashme duhet të përqëndrohet në mbarë Shqipërinë. Kur bëhet fjalë për aktivitet, me këtë nuk duhen kuptuar mitingjet, ku leader-ët e opozitës e deputetë të saj lexojnë hartime kundër qeverisë duke tentuar të bëjnë bravura oratorie. Në radhë të parë, aktiviteti opozitar duhet zhvilluar nëpër shtëpitë e atyre që po rrënohen dita ditës nga efektet shkatërruese të politikave ekonomike të Rilindjes, tek bizneset që mezi mbijetojnë apo tashmë janë mbyllur si pasojë e konkurencës së pandershme dhe politikave asfiksuese fiskale të qeverisë.
Dhe, nëse do të vinte puna tek mitingjet, këto duhen organizuar jo në Tiranë po në çdo fshat e lagje dhe të ardhurit e partive të mos flasin pa dëgjuar njëherë zërin e atyre që mbajnë mbi shpinë barrën e paudhësive të qeverisjes aktuale. Kjo ndoshta do të ishte dhe kontributi më me vlerë në kuadër të përgatitjes së fushatës zgjedhore për lokalet e vitit të ardhshëm.












